Kryeministri Berisha: Në mandatin tonë të dytë, Klosi do të shndërrohet në një nga qendrat më të rëndësishme të transportit të zonës

Pas vizites në Bulqizë, Kryeministri Berisha ndaloi ne Klos ku u takua me banore te zonës. Në fjalën e tij, Kryeministri u shpreh:
"Qytetarë të Klosit,
Vëllezër dhe motra,
Përshëndetjet më vëllazërore nga Saranda e Gjirokastra , nga Tirana, Peshkopia, Bulqiza e mbarë Shqipëria. Unë shpreh kënaqësinë që takohemi sot së bashku si qytetarë të një vendi anëtar të NATO, takohemi së bashku pasi në këto 4 vite, ia dolëm të ndryshojmë Klosin dhe mbarë Shqipërinë.
Ne investuam në Klos gjatë këtyre katër viteve 9 herë më shumë sesa qeveria socialiste. Do të fillojë menjëherë ndërtimi i ujësjellësit rajonal të Klosit, do të ndërtojmë të gjithë sistemin vaditës të zonës, do të fillojë ndërtimi i rrugës suaj Klos- Rrëshen. Në këtë mënyrë ju shndërroheni në një nga qendrat më të rëndësishme të transportit në këtë zonë.
Klosi evropian është premtimi im për ju, kjo do të thotë infrastrukturë moderne në të gjithë zonën, rrugë të asfaltuara për të gjitha fshatrat, ujë 24 orë, në të gjitha shtëpitë e këtij rajoni dhe të mbarë Shqipërisë.
Ju premtoj fermerëve të Klosit se do të subvencionojmë dhe do të financojmë çdo projekt të tyre për rritjen e prodhimit bujqësor apo blegtoral. Do të subvencionojmë naftën dhe imputet e tjera bujqësore për sipërfaqet e mbjella. Rrogat dhe pensionet tuaja, në krye të 4 viteve, do të jenë më të larta se rrogat dhe pensionet e 6 vendeve anëtare të BE-së. Në vitin e parë, të mandatit tonë të dytë , mandatit të përbashkët,ne do të lëvizim të lirë pa viza në mbarë Evropën, ndaj le tu bëjmë thirrje së bashku të gjithë banorëve të Klosit ,pavarësisht nga bindjet e tyre politike, pra simpatizantë të çdo partie , por edhe pa parti, le të bashkohemi së bashku në projektin tonë më të bukur, më madhështorin , më të rëndësishmin ,për ne dhe fëmijët tanë, në projektin për Klosin evropian, Matin evropian, Shqipërinë evropiane. Ju drejtoj një thirrje vëllazërore. Gjatë këtyre ditëve le ta pyesin veten në se ka projekt më të madh për të ardhmen e tyre sesa projekti evropian. Jam i sigurte se nuk ekziston projekt tjetër. Le të pyesin veten, se me cilin ndihen më të sigurte në realizmin e këtij projekti. Ju garantoj, se njeqind herë më të sigurtë janë me ne, që bëmë realitet ëndrrën atlanciste, që dyfishuam rroga e pensione, që po ndërtojmë rrugët e kombit, që po i japim Shqipërisë infrastrukturën me moderne, që do të garantojmë lëvizjen e lirë të qytetarëve shqiptarë në vitin e parë , të mandatit tonë të dytë ndaj dhe në 28 qershor të gjithë së bashku të votojmë 10 , 10-jeni ju, 10 e meritoni secili prej jush, 10 janë fëmijët tuaj, 10-ta janë familjet tuaja të mrekullueshme, 10 është Klosi, 10 është Mati, 10 është Shqipëria, është Partia Demokratike, është Evropa blu, që pret Klosin, Matin, Shqipërinë, në gjirin e saj.
Rroftë Klosi, rroftë Shqipëria!"
21/06/2009