Kryeministri Berisha: Zona verilindore e vendit do të ketë një program të veçantë për financimin dhe heqjen e të gjitha kufizimeve për kulturat bujqësore më fitimprurëse

Kryeministri Berisha ishte sot në qytetin e Peshkopisë, ku inauguroi disa objekte të rëndësishme për qytetin. Fillimisht Kryeministri inauguroi rikonstruksionin e Pallatit të Sportit të lojërave me dorë, një investim prej rreth 70 milion lekë, bashkëfinancim i qeverisë shqiptare dhe asaj holandeze përmes një granti. Më pas, kryeministri Berisha inauguroi Konviktin e shkollës pedagogjike të Peshkopisë, investime me vlerë 50 milion lekë si dhe një rrugë të këtij qyteti.
Kryeministri vlerësoi se këto investime, janë sipas të gjitha parametrave bashkëkohore, evropiane dhe do ti shërbejnë më së miri nevojave të qytetarëve dhe rinisë së qytetit. Kryeministri garantoi se në mandatin e dytë investime të tilla do të shumëfishohen si një domosdoshmëri për një jetesë sa më pranë niveleve evropiane.
Në fjalën e tij, gjatë takimit me qytetarë të Peshkopisë, kryeministri Berisha u shpreh:
Të dashur qytetarët të Peshkopisë!
Ju sjell përshëndetjet më vëllazërore nga Saranda dhe Gjirokastra blu, nga Tropoja, nga Kukësi dhe mbarë Shqipëria. Dua të shpreh kënaqësinë time të madhe që takohem sot me ju, në këtë shesh, si qytetarë të një vendi anëtar të NATO-s, takohemi së bashku pasi në katër vite ia dolëm të lartësojmë si asnjëherë më pare, emrin tonë, emrin e Shqipërisë. Në 4 vite përpjekje të përbashkëta ne e renditëm Shqipërinë në krye të rritjes ekonomike në Evropë për dy vite me radhë. Ne rritëm të ardhurat për frymë, nga 2300 dollarë, në 4200 dollarë. Ne nxorëm nga varfëria mbi 400 mijë shqiptarë. Se bashku me mundin djersin tonë ne ndërtuam dhe rindërtuam mbi 5900 km rrugë në mbarë vendin, ndërtuam aortën e kombit, korridorin e shqiptarëve. Në 4 vite Peshkopia, komunat e saj, kanë patur ndryshimin më të madhe se asnjëherë më parë. Në Peshkopi janë në ndërtim e sipër rrugë kryesore të kombit, si rruga e Arbrit , e cila afron Peshkopinë më Tiranën dhe shkurton distancën Peshkopi-Tiranë së paku 50 %. Afrimi juaj me Tiranën është lehtësia më e madhe që mund ti bëhet transportit dhe zhvillimit të këtij vendi, afrimi juaj me Tiranën do ju afrojë ju me tregun, prodhimet tuaja të mrekullueshme do të kapin tregun më të madh të vendit, por ne nuk do të ndërtojmë vetëm rrugën e arbrit në këtë zonë, rruga po ecën me shpejtësi drejt kalasë së Dodës. Autostrada Maqellarë- Peshkopi është tenderuar e tëra dhe rruga Selisht- Burrel është në projekt dhe unë ju garantoj se gjatë mandatit të dytë ajo do të ndërtohet tërësisht. Sikundër do të lidhim Peshkopinë me Librazhdin dhe në këtë mënyrë ne do të kompletojmë rrugën më të gjatë të këtij kombi, unazën që fillon në Tropojë dhe përfundon në Delvinë.
Qytetarë dhe qytetare të Peshkopisë,
Projekti ynë është Peshkopia evropiane, Shqipëria evropiane, në këtë projekt ju qytetarë të Peshkopisë, banorë të komunave të këtij rrethi duhet të udhëtoni në rrugë të standardeve evropiane, me projektin tonë secili prej jush aty ku jeton duhet të ketë ujë 24 orë. Unë ju premtoj qytetit dhe fshatrave të këtij rrethi se do të ndërtohen të gjithë ujësjellesat që do të furnizojnë me ujë 24 orë. 4 vitet që shkuam ne kemi investuar në këtë qytet dhe në këtë rreth 37 herë më shumë se qeveritë socialiste në dy mandate të tyre. Vetëm në sheshin ku ne jemi mbledhur , në pallati e sportit , në ndërtimin e konviktit të ri të shkollës pedagogjike të qytetit tuaj, ne kemi investuar mbi 300 milion lekë. Unë ju garantoj sot, se Peshkopia do të ketë universitetin e saj. Tradita juaj arsimore do të marrë mbështetjen më të fuqishme nga qeveria ime.
Qytetarë të Peshkopisë,
Peshkopia evropiane, Shqipëria evropiane, do të thotë një fshat i zhvilluar, do të thotë që fshatrat tona të kenë infrastrukturë moderne, rrugë kanalizime, ujësjellës, shkolla, shërbime shëndetësore njësoj me lagjet e qytetit, ndaj dhe unë ju jap fjalën se në 4 vitet që vijnë , të gjitha komunat nga Lura, Zallë- Dardha, Gollobordë dhe në të gjithë rrethin do të lidhen me rrugët kombëtare përmes rrugëve të asfaltuara, fshatrat e tyre do të lidhen me qendrat e tyre me rrugë të asfaltuara. Në 4 vite ne mbajtëm premtimet tona, dyfishuam pensionet për të gjithë fermerët e Shqipërisë, dyfishuam rrogat për mësuesit shqiptarë, për mjekët dhe infermieret. Në kontratën e re , në marrëveshjen tonë të re për Peshkopinë evropiane, për Shqipërinë evropiane, unë ju garantoj rroga dhe pensione më të larta se 6 vende anëtare të BE. Fermerëve të Peshkopisë ju premtoj sot në këtë shesh, financim pa kufizim për të gjithë projektet e tyre. Ju ftoj të mbillni atë kulturë bujqësore që ju mendoni se ju jep më shumë përfitime, mollë qershi, apo çfarëdo që ju të mbillini, ne do tu subvencionojmë. Ne do ju financojmë ju dhe biznesin për përpunimin e prodhimeve bujqësore. Zona verilindore e vendit do të ketë një program të veçantë për financimin dhe heqjen e të gjitha kufizimeve për kulturat më fitimprurëse për to. Për qarkun e Peshkopisë ka projekte të mëdha . Në këtë qark janë të parashikuara ndërtimi i mbi 20 HEC-ve, ndër të cilat Hec i Skavicës. Dua të përshëndes banorët e zonës ku kalon liqeni i Skavicës dhe ti garantoj ata se qeveria ime do të zgjedhe projektin që përmbyt më pak dhe do ta bëjë këtë projekt në ujdi të plotë me banorët.
Së fundi për Dibrën dhe mbarë Shqipërinë 4 vjeçari që vjen është 4 vjecari i Shqipërisë nën ujë. Unë ju premtoj se do të ndërmarrim rindërtimin e të gjitha veprave ujitëse për të vendosur nën ujë të gjitha tokave tuaja dhe të mbarë fermerëve shqiptarë. Nga ky shesh, në emrin tuaj dua të bëj një thirrje vëllazërore të gjitha banorëve të këtij qyteti pavarësisht bindjeve të tyre politike, që të bashkohen me ne në projektin e Peshkopisë evropiane, në projektin e Shqipërisë evropiane. Këto ditë le ta pyesin veten në se ka për shqiptarët projekt më madhështor, më të bukur se ky projekt. Jam i bindur se të gjithë shqiptarët, këtë e kanë projektin ëndërr për veten e tyre, për fëmijët e tyre. Le të bashkohen me ne , se ne jemi ata që me mundin djersën përkushtimin tonë ëndrrat i shndërrojmë në realitet. Ne jemi ata që mbajmë premtimet. Ne premtuam anëtarësimin e Shqipërisë në NATO, dhe sot mblidhemi si qytetar të një vendi anëtar i saj. Ne u zotuam se do të mbështesim pavarësinë e Kosovës dhe sot Kosova është e pavarur. Ne premtuam dyfishimin e pensioneve tuaja, sot ato janë të dyfishuara. Ne premtuam Rrugën e Arbrit dhe ajo çdo ditë e më shumë po hedh shtat. Ne premtuam rrugën e Kalasë së Dodës dhe ajo po ecën me shpejtësi drejt Kukësit. Ndaj dhe ju ftoj të bashkohemi, pavarësisht bindjeve politike se ky është projekti i shekullit për shqiptarët. Se me këtë projekt ju votoni për ëndrrën tuaj, ju votoni për pensionet tuaja, për shkollat tuaja, për shërbimin tuaj shëndetësor, për fermat tuaja, për infrastrukturën moderne. Edhe njëherë më 28 qershor , të gjithë së bashku të votojmë 10-tën. 10-ta jeni ju, 10-ta janë fëmijët tuaj, 10 është Peshkopia, 10 është Shqipëria blu, 10 është partia demokratike, 10 është Evropa e cila vitin e parë të mandatit tonë të dytë do të heqë vizat për shqiptarët. Në emrin tuaj le ta mbyllim këtë miting me një përshëndetje vëllazërore për të gjithë qytetarët e Dibrës së Madhe që janë sot këtu, për të gjithë shqiptarët në Maqedoni, shprehim kënaqësinë se rruga e Arbrit është rruga tjetër e kombit, rruga e Arbrit i afron shqiptarët me mbi 100 km.
Rroftë Peshkopia, Rroftë Shqipëria
21/06/2009