Kryeministri Berisha: Fushë Kruja do të jetë një nga zonat më të fuqishme industriale të vendit
Pasditen e sotme, Kryeministri Berisha zhvilloi një takim me qytetarë të Fushë Krujës. Në fjalën e tij, Kryeministri Berisha u shpreh:
“Qytetare dhe qytetarë të fushë Krujës,
Përshëndetjet më vëllazërore dhe mirënjohjen më të thellë për ju, për mbështetjen e madhe që na keni dhënë dhe jepni, për mitingun madhështor që keni organizuar. Ju sjell përshëndetje të përzemërta nga Saranda, nga Gjirokastra, nga Tirana, nga Peshkopia, nga Bulqiza dhe nga mbarë Shqipëria. Sot, ne firmosim këtu fitoren, firmosim 22 marsin e ri, firmosim Fushë Krujën evropiane, firmosim Shqipërinë evropiane.
Zotimi im para jush është: Fushë Kruja një nga zonat më të zhvilluara të metropolit shqiptar, Fushë Kruja një nga zonat më të fuqishme industriale të vendit, një nga zonat më të rëndësishme turistike të Shqipërisë.
Qytetarë të Fushë Krujës,
Më 28 qershor ne firmosim shndërrimin në realitet të ëndrrës tonë më të bukur, të ëndrrës tonë fisnike, të ëndrrës tonë evropiane. Sot zotohem para jush se në katër vitet që vijnë rrugët e qytetit tuaj, të fshatrave tuaja, komuna e Thumanës dhe të gjithë Shqipërisë do të jenë të asfaltuara. Kruja dhe Fushë Kruja do të krijojnë mijëra dhe mijëra vende pune. Në Fushë Krujë ne do të përfundojmë ndërtimin e unzës së qytetit, do të përfundojmë rrugën që të çon drejt Ishmit, do të ndërtojmë të gjithë sistemin shkollor dhe shëndetësor.
Ju, qytetare dhe qytetarë të Fushë Krujës, në katër vitet që do të vijnë do të shpërbleheni me rroga dhe pensione me të mëdha se ato të qytetarëve të gjashtë vendeve anëtare të Bashkimit Evropian. Fushë Kruja do të jetë një nga epiqendrat kryesore të biznesit të Shqipërisë. Qendra Kombëtare e Panaireve do t’i japë Fushë Krujës të gjithë peshën që meriton.
Qytetarë të Fushë Krujës,
Kam një thirrje vëllazërore për të gjithë ju, për të gjithë qytetarët shqiptarë, pavarësisht nga bindjet e tyre, që të bashkoheni me ne, të bashkohemi në projektin tonë evropian. Socialistëve të Fushë Krujës dhe mbarë Shqipërisë u bëj thirrje të pyesin veten, a kanë projekt më të madh dhe më të bukur sesa ëndrrën e tyre evropiane? Jam i sigurt se nuk kanë. Atëherë, ne i mirëpresim ata. Ne jemi burrat dhe gratë që bëmë realitet ëndrrën atlantiste të shqiptarëve. Ne do të bëjmë realitet ëndrrën evropiane të shqiptarëve. Ndaj, le ta ndajmë së bashku gëzimin e Fushë Krujës evropiane, të Shqipërisë evropiane.
Vota për Fushë Krujën evropiane, për Shqipërinë evropiane është para së gjithash votë për punësimin tuaj, votë për rrogat dhe pensionet më të larta se ato të gjashtë vendeve anëtare të Bashkimit Evropian, është votë për 24 orë ujë të pijshëm, është votë për rrugë evropiane.
Unë i premtoj fermerëve të Fushë Krujës se qeveria ime do të financojë çdo projekt që ata do të sjellin për të shtuar prodhimin, për çdo rrënjë ulliri, për çdo rrënjë peme frutore. Unë zotohem këtu se qeveria ime do të subvencionojë plotësisht inputet dhe akcizën e naftës për sipërfaqen e mbjellë. U premtoj fermerëve të Fushë Krujës pensione të barabarta me ato të qytetit në Shqipëri, u premtoj infrastrukturë moderne njësoj si në lagjet e Tiranës, si në lagjet e Krujës dhe të qyteteve të tjera të vendit.
Edhe një herë ju përshëndes vëllazërisht dhe ju bëj thirrje të votojmë 10-ën. 10-a është fitorja jonë e madhe, 10-a është fitorja me e madhe në historinë e Shqipërisë. 10-a jeni ju, janë fëmijët tuaj, familjet tuaja, është Fushë Kruja, është e ardhmja juaj. 10-ë është Partia Demokratike, është Shqipëria blu, është Evropa blu, e cila mezi pret të liberalizoje vizat për ne në vitin e parë të mandatit tonë të dytë, është besimi i madh që Evropa blu ka tek Sali Berisha, ka tek ju, ka tek Shqipëria.
Më 26 qershor ju ftoj të gjithëve, sa jeni këtu, në sheshin “Skënderbej”, në sheshin e fitores.
Rrofshi ju!
Rroftë Fushe Kruja!
Rroftë Shqipëria!”
21/06/2009