E Diel, 1 Nëntor 2026

Kryeministri Berisha: Ne qëndrojmë të vendosur që të adaptojmë çdo rregull në mënyrë që tregu i energjisë në Shqipëri të krijojë kushtet më të qëndrueshme të një konkurrence të ndershme

Kryeministri Berisha përshëndeti sot konferencën me temë “Tregu dhe Infrastruktura Energjetike drejt Integrimit: Paketa e 3-të e BE-së për energjinë - Implikimet për zhvillimin e sektorit të Energjisë në Shqipëri”, të organizuar nga Enti Rregullator i Energjisë, në bashkëpunim me Ministrinë e Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjetikës dhe AIDA, me mbështetjen financiare të ambasadës norvegjeze, në Prishtinë.

Në këtë event merrnin pjesë Zëvendës/kryeministri dhe Ministri i Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjetikes, zoti Edmond Haxhinasto, ambasadori i BE në vendin tonë Ettore Sequi, ambasadori i Mbretërisë së Norvegjisë në Prishtinë, Braathu, drejtues të enteve energjetike të vendit, si dhe përfaqësues dhe investitorë të sektorit energjetik.

Kryeministri falënderoi organizatorët e kësaj konference të rëndësishme, dedikuar njërës prej çështjeve më themelore të tregut të energjisë, liberalizimit dhe rregullimit të mëtejshëm të tij si dhe përshtatjes së tregut shqiptar me direktivat e fundit, paketën 3 të tregut më të madh energjetik të botës që është tregu evropian.

Duke theksuar se për qeverinë dhe maxhorancën, energjia mbetet përparësia më madhore, Kryeministri vuri në dukje se investimet e viteve të fundit, në të gjitha fushat e këtij sektori i tejkalojnë 2 miliard euro. “Shqipëria ka një projekt të shndërrohet në një superfuqi të vogël energjetike rajonale. Në përputhje me këtë projekt në këtë vend zhvillohet një nga garat më të ethshme në fushën e energjisë së rinovueshme të ndërtimit të HEC-ve. Vendi duhet të ndërtojë se ka potencial për të ndërtuar rreth 443 HEC.” u shpreh kryeministri.

Kryeministri tha se në interesin më madhor të tregut energjetik, Shqipëria ndjek dhe do të ndjekë me vendosmëri rrugën e diversifikimit të këtij tregu, që do të thotë përdorimin e burimeve të tjera të mëdha për gjenerimin e energjisë elektrike. Duke iu referuar investimit më të fundit në pusin e Shpiragut 2, Kryeministri theksoi se  vendi ka potenciale të pafundme dhe një perspektivë të madhe energjetike, e cila është e domosdoshme të vendoset në baza më liberale të një tregu të decentralizuar dhe të rregulluar.

“Paketa 3 e BE synon së pari garantimin e një konkurrence të ndershme si kushti më themelor për lirinë  e këtij tregu, por mbrojtja  e konsumatorit është dhe duhet të mbetet një qëllim tjetër madhor i kësaj  pakete dhe i këtyre qëndrimeve, u shpreh kryeministri, i cili vijoi se “Mbrojtja më e mirë afatgjatë  e konsumatorit është liberalizimi maksimal i tregut dhe ndezja e konkurrencës së lirë.”

Kryeministri u shpreh se qeveria do të qëndrojë e vendosur që të adaptojë çdo rregull në mënyrë që tregu i energjisë në Shqipëri të krijojë kushtet më të qëndrueshme të një konkurrencë të ndershme, për të qenë një segment i tregut evropian dhe ndofta segmenti më i hapur i tij.

Në fjalën e mbajtur me këtë rast, kryeministri Berisha u shpreh:

Së pari unë dëshiroj të falënderoj përzemërsisht Entin Rregullator të vendit, Ministrinë e Ekonomisë, ambasadën e Norvegjisë dhe të gjithë ata që sponsorizuan dhe organizuan këtë konferencë për një nga çështjet më themelore të tregut në tërësi dhe të tregut të energjisë në veçanti, siç është liberalizimi i mëtejshëm i tij, rregullimi i mëtejshëm i tij dhe përshtatje e tregut shqiptar me direktivat e fundit, paketën 3 të tregut më të madh energjetik të botës që është tregu evropian.

Për qeverinë dhe këtë maxhorancë, energjia mbetet përparësi e të gjitha përparësive. Kushdo që hedh  një vështrim në këtë sektor gjen se në një angazhim të madh në të gjitha fushat e këtij sektori investimet e viteve të fundit tejkalojnë 2 miliard euro. Shqipëria ka një projekt të shndërrohet në një superfuqi të vogël energjetike rajonale. Në përputhje me këtë projekt në këtë vend zhvillohet një nga garat më të ethshme në fushën e energjisë së rinovueshme të ndërtimit të HEC-ve. Vendi duhet të ndërtojë se ka potencial për të ndërtuar rreth 443 HEC.

Për më shumë se 330 janë firmosur kontrata koncesionare me kompani nga mbarë bota. Vitin e ardhshëm në Shqipëri fillon ndërtimi i Hec-ve të Kaskadës së Devollit, ndofta investimi më i madh aktual në evropë, prej 1 miliard euro. Këtë vit përfundon investimi dhe ndërtimi përfundimtar i HEc të Ashtës, i icili përbën veprën më të rëndësishme me turbina matrix që ekziston në ndonjë vend tjetër, investim prej 200 milion euro. Kaskada të tjera në mbarë vendin janë në studim, janë në ndërtim e sipër. Shqipëria do të jetë brenda viteve që vijnë prodhues kryesor i energjisë së rinovueshme dhe eksportues të saj.

Por, siç është në interesin më madhor të tregut energjetik, Shqipëria ndjek dhe do të ndjekë me vendosmëri rrugën e diversifikimit të këtij tregu. Diversifikimi i këtij tregu nënkupton përdorimin e burimeve të tjera të mëdha për gjenerimin e energjisë elektrike. Gjithnjë e më shumë po konkretizohet projekti i gazsjellësit Adriatik. Ne jemi të vendosur të shfrytëzojmë kontributin tonë për ndërtimin  e termocentraleve të mëdha të cilat do të gjenerojnë energji jo vetëm për vendin, por edhe për rajonin.

Por, zonja dhe zotërinj,

Shqipëria është një vend nafte dhe gaze dhe një vend me rezerva të konsiderueshme. Këtë fundjavë unë isha në Shpirag dhe atje, Petromanas dhe Shell po realizojnë një nga shpimet më të thella në Evropë, por një shpim me shumë optimizëm, një shpim në një fushë e cila premtonte nga 50 në 150 milion fuçi rezerve nafte. Dhe kjo është vetëm njëra fushë. Përveç zonës së Fierit, Vlorës dhe Beratit, Shqipëria është e tëra për tu eksploruar. Të dhëna të shumta janë jashtëzakonisht premtuese për naftë të lehtë, gaz në sasi të mëdha.

I theksova këto momente për perspektivën e madhe energjetike që ka Shqipëria. Është jetike që kjo perspektivë, që ky potencial të vendoset në baza më liberale të një tregu sigurisht të decentralizuar, të një tregu të rregulluar. Paketa 3 e BE synon së pari garantimin e një konkurrence të ndershme si kushti më themelor për lirinë  e këtij tregu, por mbrojtja  e konsumatorit është dhe duhet të mbetet një qëllim tjetër madhor i kësaj  pakete dhe i këtyre qëndrimeve. Mbrojtja më e mirë afatgjatë  e konsumatorit është liberalizimi maksimal i tregut dhe ndezja e konkurrencës së lirë.

Ne qëndrojmë të vendosur që të adaptojmë çdo rregull në mënyrë që tregu i energjisë në Shqipëri të krijojë kushtet më të qëndrueshme të një konkurrencë të ndershme, në mënyrë që tregu i energjisë në Shqipëri të jetë një segment i tregut evropian dhe ndofta segmenti më i hapur i tij. Ne po punojmë shumë për të krijuar lidhje me të gjitha vendet përreth. Kemi vendosur lidhjet me Malin  e Zi , do vendosim me Kosovën, Maqedoninë dhe do të ridimensionohen lidhjet me Italinë. Ky vend i cili është një gllabërues i uritur i tregut përbën avantazhin më të madh për tregun shqiptar të energjisë. Ndaj dhe qevetria do të konsiderojë partneritetin publik, privat të linjave të reja të transmetimit dhe të lidhjeve me Italinë njërin prej vend4eve më të zhvilluara të botës dhe njërin nga vendet me import energjie të konsiderueshëm.

Në të gjitha këto përpjekje kemi patur një ndihmë të çmuar të institucioneve publike financiare, të Gjermanisë, të Norvegjisë, të Zvicrës dhe vendeve të tjera mike. Ne kemi patur një ndihmë të çmuar të institucioneve financiare ndërkombëtare siç është Banka Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim, Korporata financiare ndërkombëtare, Banka Islamike  e zhvillimit dhe një sërë institucionesh të tjera të cilat unë dua ti falënderoj me shumë përzemërsi. Dua të falenderoj Komisionin Evropian për të gjithë mbështetjen që i jep përpjekjeve të Shqipërisë për të realizuar vizionin e saj ambicioz, në fushën e energjisë dhe në fusha të tjera.


29/10/2012

Më shumë nga Zyrtare

Të gjitha ›