E Shtunë, 31 Tetor 2026

Fjala e Kryeministrit Berisha në mbledhjen e Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike

Të nderuar deputetë dhe deputete

E nderuar zonja Kryetare e Kuvendit

Së pari ju përshëndes shumë përzemërsisht dhe së dyti besoj se për të gjithë ne, për çdo shqiptar, ngjarja më e shënuar është vizita e Sekretares së Shtetit Hillary Clinton këtë javë në Shqipëri.

Kjo është një ngjarje e madhe, e cila në kurorën e festimeve të 100 vjetorit, përben dhe momentin më kulmor të këtyre festimeve, pasi Sekretarja Clinton, vjen në Shqipëri për të shprehur nderimin e saj për kombin shqiptar në 100 Vjetorin e Pavarësisë së Shqipërisë. Vjen si një mike e madhe, si ndër miqtë më të shquar në historinë tonë.  Sjell mesazhin e kombit dhe të vendit të vet të madh, të miqësisë dhe natyrisht është një rast shumë i veçantë, një rast i shkëlqyer për të gjithë shqiptarët, për të shprehur mirënjohjen më të thellë ndaj Sekretares Clinton, qeverisë së Shteteve të Bashkuara, Presidentit Obama, kombit të madh amerikan. Në këto 100  vite, vite të karakterizuar nga vështirësi dhe sakrifica të mëdha, por në të gjitha rastet shqiptarët ia dolën, shqiptarët e kryen, sepse patën në anën  e tyre mbështetjen përcaktuese të qeverisë së Shteteve të Bashkuara, nga presidenti Wilson tek presidenti Obama, patën në anën e tyre kombin e madh amerikan. Ndaj dhe kjo ngjarje mbetet ngjarja më e rëndësishme në festimet që shqiptarët i kanë bërë, apo bëjnë për 100 Vjetorin e Pavarësisë së vendit të tyre. Sekretarja Clinton, diplomatja e parë  e planetit është njëkohësisht edhe kryediplomatja me sukseset më të shënuara në historinë e diplomacisë dhe popullaritetin më të lartë, kjo jo vetëm në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, që i kalon mbi 80%, por e sigurt se këtë përqindje popullariteti  e ka në mbarë botën. Ndaj dhe le ti urojmë përzemërsisht mirëseardhjen në Shqipëri me datën 1 nëntor.

Meqë po flasim për 100 Vjetorin e Pavarësisë, unë mendoj se ky vit ka shënuar realizime serioze në këtë fushë. Në tërësi në një debat të shëndetshëm dhe të çmuar, por aty - këtu ka pasur edhe qëndrime të bazuara do të thosha në provincionalizma hoxhiste të të shkuarës dhe veçanërisht të pa ndershme dhe shumë naive, arkaike dhe provinciale, kanë qenë pretendimet se po përjashtohet Vlora nga protokolli shtetëror, apo po bëhen përpjekje për të errësuar figurën e Ismail Qemalit.

Së pari dua të theksoj se, në këtë 100 vjetor, Vlora dhe çdo pjesë e territorit shqiptarë dhe trojeve shqiptare në tërësi dhe Vlora në veçanti, nderohen në shkallën më të lartë, sa më mirë dhe sa më me dinjitet, që këto festime, këto ngjarje të organizohen në mbarë trojet shqiptare në tërësi, por në mënyrë të veçantë në Tiranë,  sepse Tirana është kryeqyteti i Shqipërisë, është kryeqyteti  në të cilin dhe prej të cilit janë të drejtuar mendja dhe zemra e të gjithë shqiptarëve.

Tirana, do të ketë sigurisht në çdo ngjarje kombëtare, cilado që të jetë ajo, do të ketë peshën më kryesore dhe vendin më kryesor. Por për ata, të cilët bëjnë një analizë skematike provinciale, më duhet t’ju rikujtoj se, deklarata e pavarësisë në Shtetet e Bashkuara të Amerikës  është firmosur në bibliotekën e Filadelfias, atje ndodhet  teksti,  por të gjitha festimet e mëdha bëhen në Shtëpinë e Bardhë, bëhen në Campton Hills, bëhen në Uashington dhe ky është një realitet që nuk mund të jetë ndryshe.

Italia mike pati 150 Vjetorin e Pavarësisë. Piemonte  ishte djepi,  festimet u bënë në Romë, ndaj dhe koncepte të tilla janë të pa pranueshme. Vlora nuk është përjashtuar, përkundrazi është përfshirë në mënyrë thelbësore në protokoll, asnjë lloj varianti nuk ka patur që të përjashtohet Vlora, përkundrazi, është e përfshirë në mënyrën më të fuqishme në protokoll.

Festimet fillojnë në Shkup me datën 25 nëntor, sigurisht Shkupi ishte epiqendra e të gjitha përpjekjeve shqiptare, kjo është e njohur. Vazhdojnë në Prishtinë me inaugurimin e rrugës, nuk ka mënyrë më të shkëlqyer për të festuar këtë 100  vjetor, se inaugurimin e autostradës, Morinë-Prishtinë.  Vazhdojnë në Vlorë dhe kthehen në drekë në datën 28 nëntor në Tiranë. Pra është bërë një program, mendoj unë, dinjitoz për 100 vjetorin, sepse ky 100 vjetor duhet të jemi të vetëdijshëm është kontribut i të gjitha trevave shqiptare, i kryengritjeve të mëdha të Kosovës, i përpjekjeve të mëdha të trevave të tjera.

Ishte mençuri e madhe e Ismail Qemalit, në mençurinë dhe vizionin e tij, që zgjodhi Vlorën dhe kjo është një nga meritat e mëdha historike të tij, për të ngritur flamurin, sepse rrethanat ishin shumë kërcënuese.

Sot një historian më sjell një dokument jashtëzakonisht interesant, më sjell deklaratën e pavarësisë, së firmosur nga Ismail Qemali në Durrës. Pse kjo deklaratë ?! Ai po udhëtonte për në Vlorë, por  e la këtë dokument, se po ti bënin prita, po ta asgjësonin të kishte shpallur pavarësinë, sepse rruga për në Vlorë ishte plot rreziqe, por nuk u ndal, eci drejt Vlorës dhe atje e mblodhi asamblenë, por ai ishte maratonomaku  i pavarësisë, ai ishte themeluesi.

E dyta se po e nënvlerësojmë figurën, këto janë deklarata të turpshme, primitive, njerëz që nuk kanë asnjë lloj sensi veçse primitivizmit të tyre. Përherë të parë pas 100 vitesh, përmendorja e tij po vendoset aty ku duhet të ishte vendosur, që me themelimin e Tiranës si kryeqytet, të vendoset në Tiranë dhe ky qenka nënvlerësimi që po i bëhet figurës së tij? Përkundrazi ky është vlerësimi i merituar që i bëhet figurës së tij, por nëse mendojnë se lartësimi qëndron vetëm duke injoruar figura të tjera, ky është koncept hoxhist, ne jemi ndarë nga ky koncept. Ne jemi shumë të privilegjuar që na jepet mundësia të vendosim shtatoren e tij në Tiranë, sikundër jemi të privilegjuar, që na jepet mundësia të vendosim shtatore të tjera.

Asgjë nuk mund të zvogëlojë veprën e ndritur të tij, por në 100 vite nuk u vendos shtatorja  e tij në kryeqytet. Ai ishte lider kombëtar, ai ishte themelues i shtetit, themeluesi i pavarësisë së vendit.  Një gjë ju them këtyre që shohin se po nënvlerësojmë figurën e Ismail Qemalit, se ati i tyre shpirtëror, dy gjëra bëri, së pari deklaroi se një grup bejlerësh me në krye Ismail Qemalin, për interesa të tyre shpallën pavarësinë në Vlorë dhe u detyrua ta kapërdijë me turp një deklaratë të tillë antikombëtare dhe së dyti, djalin ia burgosi dhe familjen ia degdisi, vetëm e vetëm, se nuk duronte hijen dhe këtu vendosi shtatoren e tij, të Stalinit dhe Leninit.

Unë ftoj mediat, të shqyrtojnë me objektivitet por edhe ndonjë eksponentë të opozitës që i lejojnë vetes të bien në këneta të tilla deklaratash. Ky është një festim që po bëhet në mbarë trojet shqiptare dhe natyrisht Vlora ka pjesën e vet të luanit, por kryeqendra është dhe mbetet Tirana.

***

Rikthehemi tek problemi i tre ligjeve që presin në Parlament. Unë dhe njëherë ftoj zotin Rama, të ulemi në mënyrë që ti votojmë ato ligje sëbashku, sepse ideja se mund të fitohet kapital politik nëpërmjet bllokimit është kryekëput e dështuar. Kjo ide u faktua e dështuar me datën 8 maj të vitit 2011 dhe nuk fitohet kapital politik duke bllokuar vendin tënd. Nuk fitohet kapital politik duke mos votuar tre ligje që kërkohen për votim në mënyrën me legjitime, më të drejtë, më të ndershme nga Komisioni Europian. Tre ligje, të cilat dëshmojnë vullnetin tonë për të konsoliduar më tej reformat. Nga njëra anë derdhen një breshëri e madhe akuzash ndaj  drejtësisë, nga ana tjetër hezitohet të votohet ligji i domosdoshëm për reformimin e Gjykatës së Lartë. Nga një anë flitet për statusin e nëpunësit civil, nga ana tjetër hezitohet për të votuar ligjin e përgatitur me ekspertizën më të mirë të agjensive të konsulencës, të kontraktuara me paratë e Komisionit Europian. Nga njëra anë pranohet oferta për ndryshimin e Rregullores dhe të nesërmen hiqet dorë prej saj. Unë mendoj se këto nuk janë mesazhet që presin shqiptarët në prag të kësaj ngjarje të madhe të rekomandimit të Komisionit Europian, për statusin e vendit kandidat.

Është një kalkulim jashtëzakonisht i gabuar praktika që të zgjidhim me dialog vendimet e gjykatave. Nuk shkon. Vendimet e gjykatave vetëm zbatohen. Po. Në qoftë se do politikisht zgjidhje politike, zgjidhje politike janë mocionet, të cilat nuk mund të pengohen në asnjë rrethanë . Në qoftë se mendon se të është marrë në mënyrë të pa merituar shumica, hajde te votojmë çdo këshilltarë të qarkut të Fierit në përputhje me nenin e qeverisjes vendore, i cili autorizon Këshillat e Komunave dhe Bashkive, për të zgjedhur dhe shkarkuar anëtarët e Këshillave të Qarqeve, të mos bëjmë sofizma, ti japim përgjigje brenda tre ditëve.

Kur merr ndonjë deputet dhe të vjen Paulini, e përfaqëson dhe e çon në qiell, dhe tani kur ndodh me këshilltarë  këtë nuk e pranon. Parlamente janë dhe ato të Komunave dhe Bashkive, Parlamenti i vendit është ky, rregullat e funksionimit janë absolutisht një dhe vetëm një, e drejta për mocion ekziston në çdo nivel Parlamenti.  Në rast se ke vërejtje  për ligjin e shërbimit civil, le të bëjnë vërejtjet dhe ta votojmë.  I është dhënë e gjithë hapësira,  për të cilën ke rënë dakord për Rregulloren e Parlamentit. Pse tërhiqesh, tërhiqesh vetëm për të bllokuar. Marrëdhëniet janë të rregulluara sipas ligjeve dhe Kushtetutës.  Ne nuk kërkojmë asgjë tjetër veçse të zbatojmë ato. Nuk merret me këto, merret me gjëra të paimagjinueshme.

Të shtunën në darkë unë isha tek  lokal Xibraku, na pritën me gëzimin më të madh, sepse ky njëri në sallën e martesës, imagjinoni, nuk ngurroi të vendoste shurdhërinë e plotë ndaj asamblesë. Në çdo sallë tjetër mendja e mbrapshtë mund ta bënte, por vetëm në atë sallë nuk mund të bunkerizonte, në atë sallë kishte ftuar 800 dasmorë, i futi në bunker njerëzit.

Imagjinoni të dashur qytetar se, çfarë është i aftë të bëjë për një moment ky njëri, po të ishte për një moment Ministër i Brendshëm. Ky do të vendoste zhurmues dhe përgjues në të gjitha rrugët e vendit, absolutisht, kur nuk ngurron ti vendosë ato në sallën e martesës, akoma pa u shteruar tingujt e muzikës. Imagjino, se çfarë është i aftë të bëjë me përgjues dhe me zhurmues. Të pyesë veten, a ka një kryetar partie në botë që ka zhurmuar komitetin, kryesinë apo asamblenë  e vet. Ky hyn në Guines. Pyetni, nëse keni lexuar apo dëgjuar për ndonjë. Dhe tjetra më thonë se i  vendos edhe në makinën e tij jashtë. Po. Pra abuzim madhor, me teknologjinë, në raport me të drejtat e njeriut. Nuk ju kujtohet kur vendoste zhurmues Enver Hoxha dhe teknikët që rrinin gjithë natën në çati duke luftuar me zhurmat e tij. Por ky  e bën më keq, ky krijoi "partinë bunker".

Ndaj dhe i bëj thirrje, kërkoju të falur pronarëve të lokalit, kamarierëve dhe punëtorëve të atij lokali të mrekullueshëm, se ju vure përgjues pa u marrë leje dhe ju dëmtove klientelën provizorisht, sepse fillimisht nuk shkonin, i kapi frika. Të dalë dhe të shpjegojë ku e gjeti ai këtë frymëzim?! Në të shkuarën, absolutisht vetëm në arkivat e Partisë së Punës se aty përdoreshin, regjistrime, përgjime, zhurmime të gjitha, copëtime fjalësh, ngjitjesh, shqitjesh, është e tëra rikthim tek bunkeri. Do të thoni ju po ç’punë ke ti me atë? Më vjen keq se aty ka një seri kryeministrash, ministrash që shkojnë dhe zhurmohen, regjistrohen. Megjithatë ajo që mbetet më e papranueshmja ishte vendosja e zhurmuesve në sallën e martesës, dëshmia e një qëndrimi absurd dhe të papërmbajtur.


29/10/2012

Më shumë nga Zyrtare

Të gjitha ›