E Diel, 1 Nëntor 2026

Kryeministri Berisha: Nënë Tereza nderoi sa askush tjetër njeriun dhe vlerat e tij shpirtërore

Selia e Këshillit të Ministrave ishte sot vendi i një eventi të veçantë. Në ambientet e saj, nën kujdesin e Kryeministrit Sali Berisha dhe zonjës Liri Berisha u prezantua ekspozita kushtuar Nënë Terezës, e cila përmbylli edhe vitin jubilar në nderim të 100 vjetorit të lindjes së figurës së madhe të humanistes me origjinë shqiptare, të Lumturuarës Nënë Tereza. Në prani të drejtuesve të klerit shqiptar, të personaliteteve të shquara të artit shqiptar, studiues dhe përfaqësues të misioneve diplomatike në Shqipëri, u rrëfyen përmes kujtimesh dhe fotografish momente nga jeta e Nënë Terezës, veçanërisht nga vizitat e saj Shqipëri. Një moment i veçantë ishte prezantimi i monografisë së Nënë Terezës e Dom Lush Gjergjit “The mother of charity”.

Kryeministri Berisha u shpreh se ndjehej veçanërisht i lumtur të mikpriste në ambientet e kryeministrisë këtë ekspozitë dhe prezantimin e monografisë së Nënë Terezës. Në përshëndetjen drejtuar të ftuarve, Kryeministri u shpreh:

“Së pari, dua të shpreh nderimin tim të madh për këtë punë të shkëlqyer që imzot Lush Gjergji paraqet para shqiptarëve dhe mbarë botës këtë monografi, e cila ka brenda dashurinë e pakufishme, adhurimin, përkushtimin e Dom Lush Gjergjit ndaj nënës, motrës, vajzës, gruas shqiptare që, me besimin e saj tek Zoti, tek Krishti, ia doli të pushtojë më shumë se kushdo tjetër në kohën e saj zemrat e njerëzve, ia doli me virtytet e veta të përfaqësojë njeriun, kombin, qytetërimin në mënyrën më fisnike, më dinjitoze, ia doli të operojë në hapësirat e dhimbjes më të madhe njerëzore, që në një farë mënyre kishin mbetur të braktisura nga të gjithë, përveç se asaj. 

Nënë Tereza i dha nder të madh njeriut së pari, i dha nder sigurisht familjes e kombit të vet, por mbi të gjitha nderoi sa askush tjetër, njeriun dhe vlerat e tij shpirtërore.

Shumë vite më parë, duke parë në një televizion të huaj në një dokumentar punën e saj në Kalkuta, duke parë qeniet njerëzore me të cilat ajo merrej dhe ndihmonte, mbeta i mahnitur, sepse ata ishin të braktisur nga të gjithë, të braktisur nga mjekësia që duhet të ishte aty, të braktisur nga shoqëria, të braktisur nga familja, të braktisur nga të gjithë, përveç asaj dhe vetishëm më krijon një kureshtje dhe doja të dija se ku qëndronte dhe cili ishte burimi i forcës së saj, ku e gjente kjo grua shtatvogël atë forcë shpirtërore të operonte aty ku të gjithë të tjerët mungonin. Dhe me padurim kam pritur ta takoj në Shqipëri. Kam pasur fatin e rastin ta takoj disa herë, ta pres edhe në shtëpi e natyrisht, sërish unë doja të mësoja nga buronte forca e saj, ku e kishte këtë forcë të jashtëzakonshme. Në të gjitha bisedat që kam pasur me të, forca e saj qëndronte tek besimi i saj i pakufishëm, tek Krishti, tek Zoti, e përqendruar në një mënyrë të atillë që vetëm misionarët shenjtorë mund të përqendrohen. Kjo grua shtatvogël të gjithë adhurimin që ajo kishte për Krishtin, për Zotin e shndërronte në një dashuri për njeriun, në një dashuri për ata, të cilët ishin më në nevojë, për ata, të cilët, fatkeqësisht, të tjerët nuk i donin më.

Në funeralin e saj në Kalkuta, shkova sigurisht të bëj detyrën që më takonte, të nderoja Nënë Terezën, por sërish duke vizituar rrugët e rrugicat e këtij qyteti, aty kuptova sesi ajo kishte përzgjedhur për të kaluar jetën në universin e dhimbjes. Qyteti ishte i tillë, me problematikën njerëzore më të madhe.

Dom Lush Gjergji për dekada i është përkushtuar njeriut, të cilin, sado e çfarëdo të bëjmë, ne nuk mund ta nderojmë kurrë, aq sa na nderoi ajo ne dhe aq sa ç’nderoi ajo njeriun në tërësi. Por duhet të ndjehemi dhe ndjehemi krenar me ju, pasi ju keni realizuar një kryevepër të vërtetë me këtë monografi për shenjtoren tonë sot e Lumturuar, por që është në procesin e shenjtërimit nga Shenjtëria e tij Ati i Shenjtë. Në këtë vepër, ju keni qenë besnik i të vërtetave të mëdha të saj dhe padiskutim që pas Zotit, familja ishte kryesorja për Nënë Terezën. Ishte nëna e saj ajo që bekoi ndërmarrjen e misionit të saj të pavdekshëm. Libri është nga të fundit, por gjer tani është porositur në mbarë Europën në 5 milion kopje dhe është koincidencë fatlume që ne mbyllim veprimtaritë e nderimit të Nënë Terezës në 100 vjetorin e lindjes së saj me një monografi të shkëlqyer si kjo. Ndaj edhe një herë unë dua t’ju falënderoj me shumë mirënjohje për punën e madhe e të shkëlqyer që ke bërë."

Autori Dom Lush Gjergji i dhuroi Kryeministrit kopjen e parë të monografisë. “Me një ndjenjë të thellë të nderimit, të falënderimit e të dashurisë që kam për të, që Kryeministri e ka për Nënë Terezën, për humanizmin dhe për atë që është munduar të bëjë vite të tëra për Shqipërinë tonë”, u shpreh në dedikimin e tij Dom Lush Gjergji.

Më pas, Kryeministri Berisha priti në zyrën e tij autorin e monografisë Dom Lush Gjergji dhe organizatorët e ekspozitës.

Viti 2010 shënoi 100 vjetorin e lindjes së Nënë Terezës dhe si i tillë u përcaktua si viti i Nënë Terezës, gjatë të cilit Ministria e Turizmit, Kulturës, Rinisë dhe Sporteve, në bashkëpunimin me Fondacionin “Nënë Tereza” organizuan një sërë veprimtarish kushtuar jetës dhe veprës së Nënë Terezës.


28/12/2010

Më shumë nga Zyrtare

Të gjitha ›