E Diel, 1 Nëntor 2026

Kryeministri Berisha: Votimi historik për heqjen e imunitetit, kurorëzim i suksesshëm i një beteje të gjatë, të ndershme dhe jo partiake

-          - Votimi për heqjen e imunitetit është një arritje  e madhe e rendit kushtetues të vendit, pasi Kushtetuta, libri themelor i vendit bëhet më i drejtë, më i emancipuar

H   - Heqja e imunitetit do ti bëjë qeveritarët dhe zyrtarët e këtij vendi të barabartë me qytetarët e tyre, të njëjte para ligjit, por edhe të barabartë me qeveritarët deputetët e shumicës së vendeve të lira

Kryeministri Berisha përshëndeti sot votimin në seancën e djeshme parlamentare të ndryshimeve kushtetuese për kufizimin e imunitetit për qeveritarët dhe zyrtarët e lartë.

Në mbledhjen e Këshillit të Ministrave, kryeministri Berisha u shpreh se u kurorëzua me sukses të plotë një beteje e drejtë,  e ndershme, jo partiake, 10 vjeçare, ku për herë të parë, deputetët e Shqipërisë ndryshuan Kushtetutën e vendit, për të zhveshur veten, qeveritarët dhe gjykatësit e Shqipërisë nga imuniteti. “Një betejë  të cilën e nisëm në kohën kur ishim opozitë, e nisëm në një kohë kur nuk flitej për status, as dhe kushte nga askush, përveçse ndërgjegjes sonë të bënim qeveritarët dhe zyrtarët e këtij vendi të barabartë me qytetarët e tyre, të njëjte para ligjit, por edhe të barabartë me qeveritarët deputetët e shumicës së vendeve të lira.” u shpreh kryeministri

Kryeministri e vlerësoi votimin si një arritje historike dhe morale të jashtëzakonshme, e cila përmbush një kusht të rëndësishëm për integrimin evropian të vendit si dhe dëshmon për një ndërgjegjësim tërësor të forcave politike në Shqipëri.

Në fjalën e tij, Kryeministri Berisha u shpreh:

Sot, në historikun e këtij kabineti apo kabinetit qeveritar të vendit në 20 vjet është një ditë shumë e veçantë. Ministrat dhe ministrat në detyrë në këtë sallë Ulen  për herë të parë “de fakto” si qeveritarë pa imunitet, “de juro”, kjo natyrisht do të jetë pasi të hyjë në fuqi. Votimi i djeshëm në parlamentin shqiptar ishte një votim historik.

Dje u kurorëzua me sukses të plotë një beteje e drejtë e ndershme, jo partiake, 10 vjeçare, një betejë  të cilën e nisëm në kohën kur ishim opozitë, e nisëm në një kohë kur nuk flitej për status, as dhe kushte nga askush, përveçse ndërgjegjes sonë të bënim qeveritarët dhe zyrtarët e këtij vendi të barabartë me qytetarët e tyre, të njëjte para ligjit, por edhe të barabartë me qeveritarët deputetët e shumicës së vendeve të lira. Kjo betejë ka qënë një betejë e gjatë, e vështirë, por pati dje kurorëzimin më të suksesshëm. Për herë të parë ndofta ose në rastet më të rralla, por për herë të parë deputetët e Shqipërisë ndryshuan Kushtetutën e vendit, për të zhveshur veten dhe qeveritarët e vendit, gjykatësit e Shqipërisë nga imuniteti. Pra ky ishte vendim për veten e tyre. Në qoftë se ata në atë sallë kishin votuar qindra apo mijëra ligje, që preknin aspekte nga më të ndryshmet të jetës së qytetarëve apo të shoqërisë shqiptare, dje ata votuan për të privuar veten e tyre nga imuniteti. Kjo është një arritje historike, nuk është arritje partiake dhe do të ishte shumë e gabuar po të interpretohej në këtë mënyrë. Është një arritje qytetare, është një arritje morale e jashtëzakonshme. Është një arritje  e madhe e rendit kushtetues të vendit, pasi Kushtetuta, libri themelor i vendit bëhet më i drejtë, më i emancipuar. Natyrisht, i shqyrtuar problemi tani së fundi, në prag të statusit, kjo merr  një vlerë edhe më të veçantë, sepse nuk mund të kishte lajm më negativ që ne mund tu dërgonim partnerëve tanë sesa vullneti ynë i keq për të mbrojtur imunitetin. Është e vërtetë se janë jo një, por disa vende të BE-së që akoma nuk e kanë arritur këtë standard, por është e vërtetë se kudo kjo është në diskutim dhe dy muaj më parë Republika e Sllovakisë, duke marrë një rast madhor korrupsioni të viteve të shkuara bëri këtë që bëmë ne, ditën e djeshme. Pra ne duhet të frymëzohemi nga shembulli pozitiv dhe dje ne u frymëzuam nga shembulli pozitiv i atyre vendeve që kanë kufizuar imunitetin. Duhet të jem i hapur, konsensusi që u arrit për këtë ligj ka vlerë shumë më të madhe, se sa në qoftë se kjo do të realizohej me vota të njëanshme të së cilësdo forcë politike, sepse kjo dëshmon për një ndërgjegjësim tërësor të forcave politike që nderuan veten, duke votuar dje në parlament për kufizimin e imunitetit, për ministrat, deputetët, gjykatësit.

Varianti të cilën ne mbrojtëm ishte më  radikal, parashikonte si kontrollin e banesës, ashtu dhe ndalimin, por unë mendoj se në rast se kontrolli i banesës duhet të lejohet, e kuptoni vetë ishin sëndyqet ato të pakapërcyeshmet, përsa i përket ndalimit unë e mirëkuptoj tërësisht opozitën që ajo nuk mund të pranonte një standard të tillë, sepse pa dyshim imuniteti është për parlamentin, por natyrisht në një shoqëri të lirë përbën një garanci për opozitën që ajo fuqishëm dhe lirisht  të kritikojë qeverinë dhe të mbrojë pikëpamjet që beson dhe natyrisht të mos mund të abuzohet në këto të drejta të saj. Kështu që edhe ndërhyrja me të cilën opozita modifikoi draftin tonë, të paktën për pjesën e ndalimit ka mirëkuptimin tim të plotë, dhe për këtë një mik më tha - më parë kalon Adriatikun në këmbë se sa të pranojnë ata, këtë gjë. Dhe kështu  ishte një tërheqje e detyrueshme. Pra mesazhi që ne dërgojmë ishte një mesazh shumë pozitiv. Bllokimi ishte një përbaltje që i bënim vetes sonë, shoqërisë sonë, nuk kishte rëndësi se njëra palë kërkonte ta hiqte, pala tjetër e bllokonte. Këtu bëhej fjalë për Shqipërinë dhe mesazhi do të ishte se në nuk bënim dot pa imunitetin. Por dje ndodhi e kundërta, dje të të gjithë partnerëve tanë iu shprehëm me votimin se ne jemi parlamentarë të vendosur me standardet më të mira. Jam i bindur se në vitet që vijnë ne do të vazhdojmë dialogun me opozitën për përmirësime të mëtejshme së paku për të lejuar kontrollin e lirë të banesës. Siç e dini unë jam njeri që nuk mërzitem, ligji im është persistimi, unë persistoj, si kushti më kryesor për të realizuar qëllimet. Them edhe njëherë se ndihem shumë i lehtësuar, ka qenë vendim in-ekstremis, vendimi i kësaj maxhorance për të ecur drejt referendumit. Ai ishte vendimi ku u duk se u mbyllën të gjitha dyert. Por nuk thonë kot: Never say never (Kurrë mos thuaj kurrë). Në rast se dje menduam se tani pas 6 gushtit mbetet vetëm referendumi, faktikisht fuqinë  e mori vetëm parlamenti dhe unë kam kënaqësinë dhe do ta theksoj sërish se ai që humbet një referendum dhe vendos për të ecur drejt të dytit, ai merr një vendim shumë të veçantë. Unë do tu them diçka këtu. Nuk ka humbje më të rëndë, se sa humbjen e një referendumi. Se të humbasësh zgjedhjet, kështu është logjika  e tyre dhe ato janë multifaktoriale, por referendumi për një çështje të veçantë që ti i beson dhe shkon dhe e humbet, të duket se je zhytur në thellësi dhe me shumë mundim shkon në krye. Megjithatë ishim të vendosur të shkonim tek Sovrani për një çështje kaq madhore. Parlamenti mbylli një kapitull të rëndësishëm, por me votën e tij dje, përveçse vendosi në ligjin e artë të konsensusit, iu kurseu taksapaguesve shqiptarë edhe shumë milion euro që do të duheshin për organizimin e referendumit.


19/09/2012

Më shumë nga Zyrtare

Të gjitha ›