Kryeministri Berisha: PD, parti përjetësisht e të rinjve shqiptarë
Kryeministri Berisha njëherësh dhe Kryetar i Partisë Demokratike përshëndeti sot takimin e organizuar nga grup seksioni i PD i minibashkisë nr.5 në kryeqytet, në të cilin u bë anëtarësimi i rreth 400 të rinjve e të rejave të kësaj njësie. Kryeministri Berisha shpërndau disa karta anëtarësimi ku i falenderoi të rinjtë për këtë zgjedhje, duke theksuar se ky është një nder i madh për të gjithë demokratët dhe demokratet e Tiranës.
Në përshëndetjen e tij kryeministri u shpreh:
Te dashur të reja, të rinj, anëtarë dhe anëtare më të rinj të Partisë Demokratike në Shqipëri, që banoni në zonën e minibashkisë nr. 5 të Tiranës, në zemër të kryeqytetit të vendit.
Zoti kryetar i Partisë Demokratike për Tiranën, Aldo Bumçi.
Sekretar i degës për Tiranën, Keltis Kruja.
Të dashur anëtarë dhe anëtare të Partisë Demokratike.
Sonte, Partia Demokratike e Tiranës, por e tërë Partia Demokratike e Shqipërisë, përjetoi një ngjarje të madhe, përjetoj një ngjarje të veçantë, sepse në gjirin e saj sot anëtarësohen mbi 400 të rinj dhe të reja, dhe ky është nderi më i madh për të gjithë demokratët dhe demokratet e Tiranës.
Ky është besim i të rinjve shqiptare, i të rinjve të Tiranës tek ajo forcë politike, e cila 22 vjet më parë do të themelohej nga idealet tuaja, aspiratat tuaja, do të themelohej nga guximi i bashkëmoshatarëve tuaj të atyre viteve. Do të shfrytëzohet nga vizioni i tyre për të ardhmen e vendit.
Ju sot vini në Partinë Demokratike, por unë mund t’ju them ju, me bindjen më të thellë, se kjo parti si asnjë parti tjetër në Shqipëri, por jo për rastësi dhe si asnjë parti tjetër e qendrës së djathtë në Europë, është para së gjithash e mbi të gjitha, parti e të rejave dhe të rinjve shqiptarë.
Këto 22 vite ju të rejat dhe të rinjtë e vendit tim, keni qenë energjia e pashtershme, guximi dhe trimëria, vetëmohimi dhe frymëzimi, keni qenë përcaktuesit e çdo fitoreje të veçantë të Partisë Demokratike.
Partia Demokratike u themelua në dhjetor të vitit ’90, si parti e aspiratave, e idealeve, e ëndrrave kombëtare dhe Europiane të të rinjve shqiptarë.
Do të ishin studentët, të rinjtë e tjerë të qytetit, që do të vendosnin në themelet e Partisë së tyre, si vizion kryesor të saj, vizionin Europian. “Shqipërinë si Europa” ishte përcaktimi i tyre profetik. Partia e të rejave dhe të rinjve të Shqipërisë, që mbushen rrugët dhe sheshet e Tiranës, me përballjen me diktuarën me të egër do të themelohej si parti e interesit kombëtar.
Ajo po shpallte në programin e saj, si yll polar, çështjen kombëtare shqiptare. Partia Demokratike e Shqipërisë do themelohej nga studentët dhe studentet, të rejat dhe të rinjtë e vendit , si parti e lirive dhe të drejtave njerëzore.
Ajo u themelua si parti e vizionit, e vokacionit Europian perëndimor të kombit shqiptar. Në tërë historinë tonë, nuk ka ndonjë komb tjetër në Europë të ketë paguar çmim më të shtrenjtë, të ketë qëndruar më fuqishëm, të ketë sakrifikuar më shumë, sesa shqiptarët për vokacionin e tyre perëndimor. Ky vokacion është themeli i doktrinës së rilindasve tanë, për të cilët dhe në kohën kur ne jetonim në një perandori lindore, për ta, “dielli për shqiptarët dhe Shqipërinë lind nga perëndimi” do të thoshte Naim Frashëri.
Në kreshtat e majave të maleve të Shalës, do të shkruante shkrimtarja e famshme amerikan Rose Ëilder Lane, kreshtat e majave të maleve të Shalës, janë silueta perëndimore të përjetshme. Pra vendi përjetoi para këtyre 20 viteve, diktaturën më të egër që Europa ka njohur, por shqiptarët për të mbrojtur vokacionin e tyre perëndimor, për të mbrojtur vlerat e qytetërimit të tyre perëndimor, sakrifikuan, vuajtën më shumë se çdo komb tjetër. Dhjetëra, mijëra prej tyre u internuan, u burgosën u dënuan, vetëm për besimin tek Zoti, për besimin tek vlerat e mëdha të qytetërimit perëndimor.
Dogma e atij regjimi, që ju jeni fatlum që nuk e njohët qoftë edhe një ditë të vetme, ishte as Shqipëri, as lindje, as perëndim, pra Shqipëri skllave e një regjimi barbar, por kështu nuk mendonin të rinjtë shqiptarë. Ata mbushën rrugët e Tiranës, “E duam Shqipërinë si gjithë Europa”.
Sot pas 20 vitesh ëndrrat tuaja Europiane, ëndrra juaj Europiane është qindra herë me e forte seç ishte 22 vite me parë. Sot në këtë përpjekje të madhe, Shqipëria vjen në 100 vjetorin e Pavarësisë së saj anëtare e NATO-s, aleancës më të fuqishme të kohërave të lirisë dhe këtë ju të dashur të reja dhe te rinj, jua dedikoni më shumë se kujtdo tjetër, bashkëmoshatarëve tuaj, që u përballën në vitin ‘90 me diktaturën më të egër, e degdisën atë. Jua dedikoni bashkëmoshatarëve tuaj, të cilët në të gjitha betejat këtyre 22 viteve qëndruan në ëndrrën e tyre të palëkundur, në besimin dhe ëndrrën e tyre Europiane. Në këtë ëndërr, realizmi i saj u bë e mundur, që ju sot të fluturoni si zogj të lirë, në mbarë hapësirën Europiane pa viza.
Në këtë ëndërr u bë e mundur që të shënohen marrëdhëniet më të fuqishme kontraktuale me Bashkimin Europian dhe të ecet drejt integrimit në këtë bashkësi, që përbën pa diskutim mrekullinë më të madhe të Europës, në të gjitha kohërat e ekzistencës së saj.
Kjo rrugë nuk ka qenë e lehtë. Për 50 vite shqiptarëve, këtë rrugë jua bllokuan despotët e një regjimi barbar, të cilët me të gjithë forcën shtypëse të tij besonin të mbanin Shqipërinë në hapësira, as lindje as perëndim. Kjo rrugë nuk ka qenë e lehtë, sepse pasardhësit e tyre në vitin ‘97 erdhën me dhunë në pushtet mbi një rebelim. Por ishit ju, ishin bashkëmoshatarët tuaj, që ata që erdhën me dhunë i përzutë me votë.
Ju dhe bashkëmoshatarët tuaj të mëparshëm, mbartni një mrekulli të vërtetë dhe do t’ju them ku qëndron mrekullia juaj. Unë gjithmonë kështu e kam quajtur, se unë kam respekt për të gjithë brezat, për të gjitha moshat, por kur përpiqesha të lexoja, të mësoja nga ju, shihja se mendja juaj ishte një mendje me një hapësirë të pakufishme. Ishte një mendje, e cila natyrisht nuk njihte të gjitha proceset, konceptet, praktikat që do të zbatonim, por ishte magnet, e hapur për të përvetësuar ato dhe për ti bërë realitet për shoqërinë. Kurse mendja tjetër, po ta vije në provim, nuk mund të shkruante asgjë tjetër, veçse disa faqe socializëm. Nuk e kam thënë ndonjëherë këtë, por nuk mund të mos e them se, ky është një nga mësimet më të mëdha të jetës sime.
Në këto vite ne kemi patur sigurisht vështirësi serioze. Në këto vite ne kemi patur tronditje të pamerituara. Ne kemi bërë gabime, të cilat duhet të ishin shmangur, por në të gjitha rastet ju të rejat dhe të rinjtë keni qenë faktori përcaktues i këtij zhvillimi. Do t’ju jap disa të dhëna për periudhën kur u rikthyem në pushtet në vitin 2005 më votën tuaj, të paraardhësve tuaj, se ata e përcaktuan por edhe këtë votë ju do ta përcaktoni.
Për koincidencë unë në rininë time kisha rastisur të jem i lidhur me kompjuterin dhe në vitin ‘96 kisha në plan ti shtrija kompjuterat në laboratorët e të gjitha shkollave. Ndodhi rebelimi dhe u ktheva prapë në projektin tim. Dhe shoh të dhënat. Shoh që Shqipëria në përdorimin e internetit ishte 4.8% ,një ndër nivelet më të ulta në botë dhe shpalla brenda pak muajve, “Shqipërinë dixhitale”, si projektin kryesor të qeverisë. Përveç të rinjve, të shumtë më shihnin me mosbesim, madje kishte dhe nga ata që talleshin, përqeshnin këtë projekt, mbushnin titujt e gazetave me sarkazëm, por unë natyrisht ju besoja juve dhe isha i palëkundur në projektin tim.
Për ta zbatuar këtë projekt, zgjodha një vend, i cili është një vend i vogël, por që kishte nivelin më të lartë në Europë, ndoshta në Botë të përdorimit të internetit. Ky vend ishte Estonia. Shkoj atje, ju them miqve se ky është qëllimi kryesor dhe konstatoj se një nga faktorët kryesorë kishin qenë pensionistët, te të cilët ishte vendosur një sistem dixhital i shpërndarjes së pensioneve, pastaj sigurisht në shkolla e kudo. Pensionistët bënë të gjithë kurse për përdorimin e kompjuterit. Këta që më shoqëronin mua, mendonin për pensionistët shqiptarë, por unë mendoja për të rinjtë shqiptarë.
Dhe ne bëmë përpjekjet tona. Sot ne jemi, nga 4.8% në mbi 60%, por në qoftë se e marrim për moshë, jemi 90% rini dhe 10% jemi në të tjerët. Para dy vjetësh po shihja statistikat e Facebook-ut dhe shoh aty 1 milion e 30 e ca mijë shqiptare në facebook. Konstatoj se renditeshim para 17 vendeve anëtare të Bashkimit Evropian në përdorimin e facebook-ut.
Dhe faktikisht ju pra e sollët Shqipërinë në moshën tuaj, në moshën dixhitale dhe unë ju dhashë një shembull, por mund të marr çdo shembull tjetër të zhvillimit të shpejtë të këtij vendi. Asnjë vend tjetër, ju garantoj unë ju, që në 22 vjet të të ketë bërë hopin e madh që kanë bërë shqiptarët në shumicën dërrmuese të drejtimeve. Unë mora internetin në një kohë kaq të shkurtër, por të gjitha reformat që janë bërë. Reformat janë bërë në tërësinë e tyre, nga punonjës, nga nënpunës, nga të shkolluar, nga të graduar, të rinj, të cilët me përkushtim të madh kanë hedhur në reforma vizionin e tyre. Pra, unë ftoj çdo të re, çdo të ri shqiptarë, ku mund ta gjejë tjetër veten më mirë se në këtë parti përjetësisht të të rinjve shqiptarë.
Partia Demokratike u themelua si parti e lirive dhe të drejtave njerëzore.
Të dashur të reja dhe të rinj
Për herë të parë, pas dekadash në diktaturë, fjala liri dhe të drejta njerëzore u përdor nga një poet, në një strofë dhe ky poet u var në vitin ‘89 në sheshin qendror të qytetit të Kukësit . Kjo ishte Shqipëria e lirive dhe të drejtave të ndaluara, të ndaluar me Kushtetutë, të dënuara me dënim kapital.
Studentët që themeluan partinë e tyre, Partinë Demokratike të Shqipërisë, në takimin e parë më ta nuk do të harroj kurrë atë dokument, atë faqe fletoreje ku kishin renditur kërkesat e tyre. Për mua pas deklaratës së Pavarësisë është dokumenti më i rëndësishëm që kam parë në jetën time.
Nga pikat kryesore ata kishin liritë dhe të drejtat njerëzore. Ata u përballen shesh më shesh, ata u shpërndanë si misionarë të vërtetë në të katër anët e këtij vendi, në takime, mitingje, demonstrata, protesta ,nën moton “Liri Demokraci”. Çliruan nga frika një shoqëri të terrorizuar për dekada.
Shqipëria sot është vendi i lirive dhe të drejtave njerëzore jo vetëm të garantuara me Kushtetutë, por të gëzuara nga çdo qytetar shqiptar dhe ju duhet të ndiheni krenarë. Krenarë më shumë se kushdo tjetër për standardin shqiptar të lirive dhe të drejtave njerëzor.
Të dashur të reja dhe te rinj.
E drejta e të gjitha të drejtave, ajo më bazikja, më personalja, është e drejta e besimit tek Zoti.
Një president amerikan i madh, që ka bërë më shumë se kushdo tjetër në shembjen e sistemit komunist, Ronald Regan, do të deklaronte në atë kohë, se Bashkimi Sovjetik është perandoria e së keqes. Njerëz afër tij i thanë se kjo na prish shumë punë në marrëdhëniet me ta. Ky burrë gjenial i thotë: “a ka të keqe mbi tokë se mos të lësh tjetrin ti lutet Zotit”?.
Unë nuk po them, nuk e quajta perandori të së keqes pse është armike e SHBA, nuk e quajta perandori të së keqes pse shajnë apo nuk duan amerikanët , por të mos lejojnë qytetarët e tyre të besojnë Zotin?Ky është fundi. Por si qëndron problemi! Ky problem qëndron se tek ju, tek familjet tuaja, është e drejta më e respektuar se kudo në botë. Ne jemi një komb me pasuri të madhe, kemi tre besime fetare, jemi mysliman, jemi katolik, ortodoks, kemi dhe besime të tjera.
Ky është vendi ku besimi i tjetrit respektohet më shumë se në çdo vend tjetër të planetit.
Ju jeni të rinj dhe lexoni libra sigurisht. Po të lexoni libra për kohërat e shkuara do të gjeni se batërditë e mëdha , masakrat, genocidet kanë në themelin e tyre luftën, ose për motive të besimeve fetare, ose për motive etnike gjenetike dhe këto për fatin më të keq, nuk janë kryer vetëm nga grupe fanatike të decelebruara nga ideologji e caktuar, jo. Lexoni për Holokaustin. Cfarë ishte ai, ishte gjah i tmerrshëm kundër një kombi të shpërndarë në të gjithë Europën. Gjah për ti gjetur kudo që ishin dhe për ti nisur në krematorium për fajin e vetëm se ishin hebrenj dhe i përkasin asaj etnie dhe atij besimi. Kush e bëri këtë? Këtë e bënë sigurisht nazistët ishin në krye, por kolaboracionistët e tyre të kollarisur, në më shumë se 20 vende të Europës morën pjesë aktive në dorëzimin e tyre në furrat e pjekjes. Pse e them këtë? Këtë e them, sepse qëndrimi ndaj lirive të drejtave njerëzore është një qëndrim themelor, ato që i bënë këto , ata ishin njerëz me universitete, ata nuk ishin të varfër, ata ishin zotërinj, por në këtë gjah morën pjesë. Ka një komb dhe vetëm një në Europë, që nuk mori pjesë në këtë gjah dhe ky është kombi shqiptar. Baballarët, gjyshërit tanë myslimanë, katolikë, ortodoksë, i mbrojtën këta qytetarë nga një gjah, që po zhvillohej vetëm për besimin e tyre fetar, për etninë e tyre.
Baballarët, gjyshërit, gjyshet ,nënat tona, nuk vinin nga universitetet në tërësinë e tyre, se Shqipëria më së shumti kolegje dhe shkolla të mesme kishte, kishte edhe njerëz pa shkollë, por njerëz që vunë jetën e tyre në rrezik, për të mbrojtur, njerëz që po gjykoheshin, po ndiqeshin për besimin e tyre.
Ndaj dhe kjo është partia e këtyre lirive dhe të drejtave dhe ju duhet të luftoni gjithnjë për standardet më të larta të lirive dhe të drejtave njerëzore dhe të jeni krenarë.
Partia Demokratike u themelua si parti e interesit kombëtar.
Të dashur të rinj dhe të reja.
Çdo njeri jeton në një tërësi interesash, nuk ka interes më të madh se shkollimi, se punësimi, se standardi i jetesës, por ju garantoj se është një interes tjetër i të gjitha interesave dhe ky është interesi kombëtar, dinjiteti kombëtar, liria kombëtare. Çfarëdo që të kesh ti, nëse vendi yt nuk është i lirë, nëse vendin tënd e nëpërkëmbin të tjerët, nuk ke dinjitet, je një qenie e zbrazur që shtyn ditët dhe kjo nuk ka më keq.
Ku ishim ne shqiptarët në vitin ’90? Në vitin ’90, ne ishim në situatën më të rëndë se çdo komb tjetër në Europë. Shqipëria sapo doli nga diktuara më e përçudnuar, diktaturë që kishte dërguar lajmet më të neveritshme në Europë dhe në Botë. Diktaturë që kishte ekzekutuar një prift, i cili nuk ushtronte më se Kishat ishin shkatërruar, por mori përsipër në emër të Zotit të pagëzonte një fëmijë, ju përgjigj kërkesës së një familje në Fushë-Kuqe, që të pagëzonte fëmijën e tyre, kjo mjafton që Imzot Shtjefen Kurti të vihej para togës së pushkatimit. Ky ishte një nga aktet makabre të atij pushteti.
Kosova ishte e tërë në një aparteid të vërtetë , aparteid i cili në një mënyrë apo në një tjetër maskohej nga propaganda gjigante e atyre që e ushtronin. Po kështu shqiptarët në Maqedoni, në Mal të Zi përjetonin regjimin e një diktatori.
Nuk kishte në atë kohë situatë më të rëndë kombëtare sesa ajo situatë, por të rinjtë dhe te rejat shqiptare, në partinë e parë pluraliste që themeluan, shpallën çështjen kombëtare si yllin e tyre polar. Ne i qëndruam asaj në çdo përpjekje, në çdo qëndrim, në çdo takim, në çdo arenë, në çdo tryezë dhe në çdo rast për ne, çështja e parë ishte çështja kombëtare
Partia Demokratike përdori të gjithë mundësitë e saj, për ta vendosur çështjen e Kosovës dhe çështjen shqiptare në axhendën e të gjitha Samiteve ndërkombëtare dhe ia doli.
Partia Demokratike mbështeti me të gjithë potencialin e saj burrin e madh, njërin prej burrave më të rrallë të këtij kombi, Presidentin Ibrahim Rugova, i cili një çështje për të cilën shumë pak flisnin, ia doli me mençurinë e tij, me rezistencën e tij, me qëndrimin e tij, ta çojë nga një barakë në Prishtinë ku kishte selinë Lidhja Demokratike në dhomën ovale tek presidenti Bill Klinton. Përsëri Partia Demokratike ka dhe do të ketë përjetë yll polar çështjen kombëtare dhe interesin kombëtar të shqiptarëve.
Ata, të cilët mendojnë se ne do të mund të kemi çështje më të madhe se çështjen kombëtare të shqiptarëve gabohen rëndë. Duhet ta dinë mire se shqiptarët janë agresuar, kanë përjetuar pas hebrenjve racizmin më të egër në Rajon dhe më gjërë . Duhet ta dinë mirë, se ndaj tyre më shumë se ndaj çdo kombi tjetër janë hartuar paraprakisht programe të shfarosjes së tyre.
Ne festuam 100 vjetorin, por imagjinoni ju paraardhësit tanë 100 vite më parë, nuk kishin shtet, sepse kishin ndarë nga një perandori që i kishte cunguar 500 vite dhe tani në falimentimin e kësaj perandorie vërsulen fqinjët tanë me një aleancë e quajtur “Aleanca e fshehtë”, e cila kishte si synim grabitjen, pushtimin e trojeve shqiptare esktreminimin e farës së shqiptarëve.
Imagjinoni ju se çfarë grash dhe burrash të guximshëm ishin ata, që më së shumti armë personale kishin u përballën në luftëra, në kryengritje, në luftëra nga më të pabarabartat dhe ia dolën të konsolidojnë 1/3 e territoreve shqiptare. Shqipërinë që kemi ne sot.
Por rinia shqiptare është arkitekti e emancipimit, e çlirimit kombëtar të shqiptarëve. Janë të rejat dhe te rinjtë shqiptarë që rrokën armët në fundin e viteve ’90, nga Kosova, nga Shqipëria, nga Diaspora nga mbarë e bota me një vendim solemn , do të fitojmë.
Një gazetare amerikane që i ndiqte këta të rinj në fushë betejat e Kosovës shkruan një libër shumë të bukur, dy gjera janë shumë mbresëlënëse, thotë se : " këta, kishin ardhur nga SHBA, Gjermania, vende të tjera me betimin se nuk do të mund të bëhet ndaj tyre më ajo që ju ishte bërë etërve të tyre dhe së dyti këta po mësonin luftën. Këta nuk vitin nga lufta vinin nga shkollat, universitetet, fabrikat, uzinat dhe në beteja vriteshin me dhjetëra, por të nesërmen armiku i tyre që mendonte se fitonte betejën ngjallte me dhjetëra të tjerë. Këta ishin të pamposhtur".
Sot Kosova është e lirë. Ushtria çlirimtare e Kosovës , ushtria Kombëtare e Maqedonisë, bënë luftën e fundit çlirimtare në Europë.
Shqiptarët në këtë betejë qëndruan si një Komb i vetëm, në çdo rast në çdo moment, në çdo rrethanë, shqiptarët do të qëndrojnë një komb, një qëndrim.
Përsëri sot shqiptarët janë të lirë, por prapë Albanofobia është një re që qarkullon në Rajon, sepse ata të cilët janë mësuar ti shihnin shqiptarët si qytetarë të dorës së dytë apo të tretë, nuk mund ti pranojnë ata si qytetarë të lirë. Ndaj dhe jeni ju, ndaj dhe janë shqiptarët kudo. Shqiptarët s’janë kurrë më të prirur të pranojnë pozicion tjetër përveçse të qytetarëve të lirë kudo që jetojnë në trojet e tyre. Shqiptarët sot janë më të bashkuar se kurrë. Çdo pëllëmbë e territoreve etnike shqiptare është territor në ndërgjegjen kombëtare të çdo shqiptari.
Ne u ofrojmë fqinjëve mirëkuptim, ofrojmë bashkëpunim, u ofrojmë mirëbesim. Ne kemi të gjithë energjinë tonë për të punuar në projektin tonë Europian, por ata që gabojnë, ata që mendojnë se mund të trysnojnë liritë dhe të drejtat tona kudo që jemi, gabojnë shumë rendë. Do dështojnë siç kanë dështuar deri më sot.
Të dashur të reja dhe të rinj,
Festuam 100 vjetorin. E festuat faktikisht festën, e bëtë festë ju dhe nuk kishte asgjë më të bukur në këtë festë , sesa rinia shqiptare me gëzimin, entuziazmin, këngën, atdhetarinë e saj.
Para një jave mua më ftuan te shkolla “Ismail Qemali” kam dhe mbesën aty dhe shkova për të festuar 50 vjetorin e gjimnazit. U kënaqa shumë, sepse gjimnazin e gjeta shumë të pajisur. Me të vërtetë një gjimnaz shumë modern. I kërkova ministrit të arsimit dhe unë u jap fjalën ju, se çdo gjimnaz të Shqipërisë do ta bëjmë si gjimnazi “Ismail Qemali”, dhe unë i qëndroj fjalës time . Faktikisht festa ju ishit dhe kjo ishte festa më e bukur që ne të tjerët kemi jetuar në jetën tonë.
Ndaj dhe u ndala në këtë ekspoze, në këto 20 vite të lirisë së Shqipërisë, por ju garantoj se ky rol ka qenë i jashtëzakonshëm i rinisë shqiptare në vitet e Luftës së II Botërore. Janë të rejat dhe të rinjtë e Shqipërisë ata që mbushën malet, fushat dhe kodrat dhe u përballën me armikun më të egër, me dinjitetin më të madh. Ata rreshtuan Shqipërinë në anën e fitimtarëve. Janë të rejat dhe të rinjtë e Shqipërisë që mbushën radhët e kryengritësve shqiptarë, të cilët tronditën portën e Lartë dhe Europën dhe bënë të mundur shpalljen e pavarësisë së Shqipërisë.
Tani kemi një betejë tjetër, betejën e qershorit të vitit 2013. Kjo betejë është përcaktuese, sepse do të përcaktojë realizimin përfundimtar të ëndrrës tuaj Europiane. Përballja elektorale, fushata elektorale në këtë betejë ka dy alternativa. Alternativa e Integrimit dhe alternativa e bllokimit, flamurin e së cilës e mbajnë neobllokmenët shqiptarë të bllokimit. Ju mbani flamurin e integrimit.
Pas përpjekjes për të marrë pushtetin me dhunë më 21 janar dhe ëndrrës së Edi Ramës që të mbante fjalim nga ballkoni i zyrës sime bashibuzukëve që kishte sjellë përreth dhe që sigurisht s’mund të ndodhte, dhe pasi nuk pranonte të votonte asnjë ligj, pasi bëri gjithçka për të bllokuar vizat, dilte me një kuti nën sqetull nëpër Shqipëri dhe thoshte “hap kutitë të çliroj vizat”. Unë do t’ju them diçka private. U them disa miqve të huaj, që zotërinj ju keni bërë përpjekje të mëdha me këtë njeri, por ky nuk dëgjon. Por unë do t’ju them një gjë, -“ky është opozitë e vendit tim. Unë nuk them që është e një vendi tjetër. Nuk them se forca armike e kanë bindur atë të veprojë në këtë mënyrë. Jo. Ky është opozita ime. Për një opozitë e para dhe më kryesorja është të jetë sovrane, të mos varet nga qeveria. Një opozitë që varet nga qeveria nuk është opozitë. Është fallcitet. Ashtu nuk e duam kurrë. I thashë se tani mundësisht do ta zgjidhin shqiptarët këtë punë. I leni shqiptarët se do ta zgjidhin ata. Shqiptarët janë shumë më të maturuar dhe të pjekur nga ç’mund të mendojnë të tjerët në rrafshin demokratik, duan demokracinë, duan integrimin, duan Europën. Prandaj ju lutem shumë lëreni ta zgjidhin shqiptarët. Ja ku janë zgjedhjet lokale. Ato janë përpara ata do kenë mundësi të shprehen për të gjitha anët pozitive dhe negative të qeverisë apo të opozitës.
Zgjedhjet erdhën. E patë vetë si doli. Me 142 mijë vota më pak. Bëri çdo gjë. Mobilizoi milionerë dhe miliarderë për të imponuar mos numërimin e votave. Harrojeni u thashë unë. Nuk mund të ndodhë kurrë që vota të mos numërohet në këtë vend. Votat u numëruan para pesë kamerave. Nuk kundërshtoi dot qoftë dhe një votë të vetme. Qytetarët e Tiranës i thanë “"Goodbye". Zotëria pas këtij leksioni të merituar doli dhe tha se nuk do të bllokojë më dhe se do të votojë çdo reformë që nevojitet për integrimin.
U bë reforma elektorale, absolutisht partia juaj (PD) i la atyre të bëjnë çdo propozim dhe kështu duhej. Opozitës i duhen krijuar të gjitha hapësirat e nevojshme për të propozuar çdo gjë që mendon, pasi kjo i bën zgjedhjet të sigurta të lira dhe ne vepruam kështu. E votuam reformën elektorale. Erdhi tek imuniteti dhe pasi ishte zotuar se do ta votonte u tërhoq dhe tha nuk e votojmë. Ju luta dhe bëra gjithë përpjekjet, haptas dhe me komunikime private. Kurrën e kurrës tha. Atëherë ne propozuam Referendum. Vetëm atëherë ai u bind. Natyrisht ne na interesonte votimi. Erdhi e votoi në Parlament. Tani janë për tu votuar tre ligjet. Tre ligje, të cilët zyrtarët më të lartë të Brukselit i cituan në mënyrën më eksplicide.
Të reja dhe të rinj shqiptarë kudo që jeni,
Ata kërkuan nga ne, pasi dhanë rekomandim pozitiv për statusin, të votojmë këto tre ligje që të bëjmë dhe një raport shtesë përfundimtar. Nuk i votoi për të treguar se është parti e bllokimit, se është trashëgimtari i atyre që izoluan këtë vend 50 vite . Dhe të gjitha mesazhet ndërkombëtare, të cilat thonin se duhet të punoni për interesin e vendit, nuk i votoi.
Tani dua Fierin thotë. Të rinj e të reja ja si qëndron problemi. Një grup këshilltarësh të tij kanë kaluar në një parti tjetër, siç kanë kaluar edhe këshilltarët tanë në partinë e tij. Këtu kemi të bëjmë me liritë e qytetarëve, të njeriut, pavarësisht se s’na vjen mirë, ata kanë të drejtë të zgjedhin, të ndërrojnë parti. Kjo ndodh në çdo vend të botës. Ai ka dy deputetë të mi (PD) në grup. Dy ikën. Por prapë së prapë gëzuan një të drejtë të tyren. Kanë të drejtë të zgjedhin. U mërzitën për një arsye a një tjetër. Dhe kurrë ndonjëherë nuk më ka shkuar mendja se mund ti kushtëzoj qoftë dhe gjënë më të vogël me rikthimin e tyre në grupin e PD. Jo. Në diktaturë mund ti kapje për zvergu ti çoje ku të doje. Në liri nuk u prek dot qoftë edhe një qime floku. Kjo është e vërteta. Këto i di zotëria. Por a ka shqiptarë mbi tokë që mund të pranojë bllokimin e procesit të statusit me pretekstin e këshilltarëve të Qarkut të Fierit? Nuk ka mendje më të mbrapshtë që mund ta bëjë një gjë të tillë.
Ndaj dhe çështjen do ta zgjidhin shqiptarët. Dhe unë e garantoj zotin Rama se do marrë leksionin më shembullor njëlloj si etërit e tij në 1992. Dhe këtë leksion, edhe kësaj herë këtë leksion nuk ia jep Sali Berisha, por do t’ia japin të rejat dhe të rinjtë shqiptarë të mbarë Shqipërisë. Nuk mundesh ti tu zësh rrugën europiane, nuk mundesh kurrë të bllokosh ëndrrën europiane të rinisë shqiptare.
Ndaj dhe çfarë duhet të bëjmë ne. Ju keni një detyrë nga sot dhe gjer në 23 qershor. Do merreni vetëm me bashkëmoshatarët tuaj. Unë e di se jo të gjithë kanë pasion politikën, por të gjithë kanë pasion Europën. Ndaj dhe ju do të uleni me ta, do të trokisni në zemrën dhe mendjen e tyre, do të bëni një dialog për Europën më të madhin që keni bërë ndonjëherë në mënyrë që në qershorin e vitit që vjen ti japim zotit Rama atë leksion të madh që i dha rinia e shqiptarëve etërve të tyre në vitin 1992.
Edhe njëherë me mirënjohjen më të thellë ju falenderoj për vendimin fisnik të madh të jetës suaj për tu bashkuar me forcën politike lokomotivë e integrimit të këtij vendi, të zhvillimit dhe progresit.
Urimet më të përzemërta , juve, familjeve, miqve, shokëve tuaj.
30/11/2012