E Diel, 1 Nëntor 2026

Kryeministri Berisha përshëndet Sofrën Tiranase

Kryeministri Berisha ka marrë pjesë sot në mbrëmje në “Sofrën Tiranase”,  një aktivitet  që organizohet nga Shoqata Tirana. I shoqëruar edhe nga kryetari i Bashkisë së Tiranës z. Lulzim Basha dhe kryetari i Shoqatës Tirana z. Arben Tafaj, kryeministri Berisha i ka drejtuar të pranishmëve një përshëndetje ku ka vlerësuar kontributin e tiranasve ndër vite duke theksuar se Tirana ka qenë gjithnjë zemra e të gjitha ngjarjeve të mëdha të kombit shqiptar.

Në përshëndetjen e tij kryeministri Berisha u shpreh:

“Po vij nga një takim me të rinjtë, ju më ftuan dhe ju thash se nuk jam për këtë takim kaq serioz, por Arbeni me thotë e ke gabim është zemra e Tiranës.  Ndaj dhe nuk mund të rrija pa ardhur dhe pa ju përshëndetur  juve të përulem me nderimin më të madh para qytetarëve dhe qytetareve të Tiranës. Për të gjithë kontributin tuaj të jashtëzakonshëm në historinë kombëtare këto ditë ne festuam 100 vjetorin e Pavarësisë , Tirana ka qenë gjithnjë zemra e  të gjitha ngjarjeve të  mëdha të kombit shqiptar. Të gjithë kemi lexuar shumë libra historie dhe unë pak kohë më parë po lexoja librin e një francezi, i cili përshkruante udhëtimin e tij në  viti 1913 nga Vlora  drejt Tiranës. Shkruhej në libër, : - “Kudo që kalojë më flisnin për  Tiranën si qytetin më të bukur dhe kur arrita në Tiranë konstatova se bashkëbiseduesit e mi kishin pasur plotësisht të drejtë . Tirana ishte një qytet shumë i bukur”,  por Tirana më e bukur se kurrë në historinë e saj ishte me datën 28 nëntor me 100 vjetorin e pavarësisë së Shqipërisë.

Tirana me zemrën e saj të madhe, tiranasit dhe tiranaset me bujarinë, me mikpritjen, me qytetarinë  e tyre kanë bërë të mundur që në këtë qytet të bekuar të bëjnë të vërtetë  ëndrrën e tyre, shqiptarët nga Shqipëri dhe nga të gjitha trevat shqiptare. Tirana është ëndrra e kombit.  Tirana është zemra  e kombit, është mendja e tij, ndaj dhe unë përulem me nderimin më të madh para jush. Por sot këtu nuk jemi në një takim partiak, por veçse kurrë nuk mund të le pa përmendur një moment të historisë sonë. Momentin e zgjedhjeve të  ‘91 ku ju qytetarët autokton të Tiranës, përmbytët diktaturën e fundit në Europë, në mbështetje të forcës politike. Ajo ishte një votë historike, votë për të cilën shqiptarët do t’ju jenë mirënjohës përjetë. Dola këtu për t’ju uruar gëzuar sofrën e bujarisë suaj, e virtyteve tuaja, e respektit dhe dashurisë që keni për njëri- tjetrin, për miqtë tuaj në Shqipëri dhe më gjërë, dola këtu për t’ju dhënë fjalën që do të bëjmë gjithçka sëbashku me bashkinë, që qytetit na lartësojmë çdo ditë dhe më shumë,  ëndrrën tuaj të mrekullueshme. Do të bëjmë  gjithçka që qytetin e Tiranës ta përparësojmë sepse kjo është dëshira e çdo qytetari. Ndaj dhe ne sëbashku le të punojmë për  Tiranën e shekullit të ri. Tirana ka qenë gjithnjë qyteti më i bukur i tokave shqiptare, Tirana do të mbetet e tillë përjetë.

Gëzuar dhe urimet më të përzemërta për ju, për të gjithë tiranasit, për të gjithë qytetarët e këtij kryeqyteti, për të gjithë miqtë tuaj kudo që janë.

Faleminderit.”


30/11/2012

Më shumë nga Zyrtare

Të gjitha ›