E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kryeministri Berisha: Pas internetit në shkolla, hapi tjetër i madh do të jetë interneti në çdo shtëpi

Në kuadër të turit “Shqipëria po ndryshon”, Kryeministri Berisha u ndal sot në Vorë ku mori pjesë në inaugurimin e kopshtit të fëmijëve, ndërtim me vlerë 45 milionë lekë, si dhe inauguroi përfundimin e rikonstruksionit të shkollës 9-vjeçare Vorë, me vlerë 45 milionë lekë. Fillimisht, Kryeministri Berisha u ndal dhe vizitoi mjediset e kopshtit të fëmijëve dhe shprehu kënaqësinë që ndërtimi i tij ofronte mjedise bashkëkohore.

Më tej, Kryeministri Berisha u ndal në shkollën 9-vjeçare të Vorës dhe vizitoi mjediset e brendshme të saj. Duke u përshëndetur me mësuar dhe nxënës, Kryeministri Berisha shprehu kënaqësinë që shkolla ofronte mjedise bashkëkohore të mësimdhënies, e pajisur me laboratorë mësimorë, me kabinet informatike dhe terrene sportive.

Kryeministri tha se qeveria ia doli të shndërrojë në realitet zotimin e saj për të shtrirë internetin në çdo shkollë, një projekt ky që ka transformuar shkollat dhe mësimdhënien në to. “Në këtë shkollë sot ka dy kabinete informatike. Këtë javë edhe në 500 shkolla të tjera është instaluar interneti dhe gjatë 2-3 javëve nxënësit e të 2000 shkollave të Shqipërisë do të lundrojnë në internet. Ne kështu finalizojmë një projekt të madh, një projekt që transformon shkollën tonë, mësimdhënien dhe i shërben në mënyrë të jashtëzakonshme si informimit të nxënësve, ashtu edhe projektimit nga ana e tyre të temave për të cilat kanë më shumë interes. Lundrimi në të gjitha skutat e dijes njerëzore është hapi i parë, ndërsa hapi tjetër i madh do të jetë interneti në shtëpitë tuaja. Por, ky ishte një tjetër hap i madh dhe shumë i rëndësishëm. Ne ia dolëm që në të gjitha shkollat e vendit të kenë internet, që çdo fëmijë në shkollat e vendit të mund të lundrojë në internet. Rreth një vit më parë ne inauguruam fillimin e punimeve në këtë shkollë, ndërsa sot kjo është shndërruar në një nga shkollat më moderne të vendit me; ngrohje, me internet dhe me terren të bukur sportiv, ashtu siç ju e meritoni”, u shpreh Kryeministri Berisha.

Kryeministri Berisha përgëzoi kryetarin e Bashkisë së Vorës z. Fiqiri Ismajli për punën e madhe që ka bërë, për transformimin e këtij qyteti dhe për modernizimin e tij.


11/05/2009

Më shumë nga Zyrtare

Të gjitha ›