E Diel, 1 Nëntor 2026

Kryeministri Berisha: Në mandatin e dytë do të bëjmë 3 herë më shumë sesa kemi realizuar gjatë këtij mandati

-          Në komunat e Dumresë dhe në Bashkinë e Belshit, qeveria ka investuar 1 miliardë e 324 milionë lekë, kundrejt 29 milionë lekë të investuara nga qeveria e mëparshme në 8 vjet.

Kryeministri Berisha mori pjesë sot në inaugurimin e nisjes së punimeve për ndërtimin e rrugës Belsh- Kuçovë, në Belsh. Kjo rrugë ka një gjatësi 14 kilometra dhe realizohet me investimin e buxhetit të shtetit, me vlerë 600 milionë lekë.

Më pas, Kryeministri Berisha zhvilloi takimin me banorë të Belshit, në kuadër të turit “Shqipëria po ndryshon”. Në fjalën e tij, Kryeministri u shpreh:

“Së pari, ju përshëndes përzemërsisht për kënaqësinë time më të madhe që inaugurojmë sot një nga rrugët më të rëndësishme në tërë zonën e Shqipërisë së Mesme, një nga segmentet më të rëndësishme që lidh Kuçovën dhe Beratin me Dumrenë dhe më pas, me Tiranën. Rrugët e Dumresë janë një përparësi madhore për qeverinë time. Ne ua kemi dëshmuar këtë.  

Në katër komunat e Dumresë dhe në Bashkinë e Belshit, qeveria e mëparshme ka investuar gjithsej 29 milionë lekë gjithsej. Ndërsa ne, përfshi edhe këtë rrugë, kemi investuar 1 miliardë e 324 milionë lekë.  Qeveria e mëparshme, në 8 vjet asfaltoi 2 kilometra rrugë, ndërsa ne, së bashku me këtë rrugë që inaugurojmë sot, realizojmë ndërtimin e 46 kilometrave rrugë.

Unë jam sot këtu për t’u zotuar para jush se çdo fshat i komunave të kësaj zone, do të lidhet me rrugë të asfaltuara, me qendrën e komunës dhe me rrugët kryesore. Unë dua t’ju bëj thirrje kryetarëve të komunave të Dumresë të bëjnë projektet e rrugëve të fshatrave të tyre dhe qeveria do t’i financojë ato plotësisht. Sikundër, jemi të vendosur të investojmë në çdo projekt tjetër infrastrukturor.

Investimi në zonat tuaja, në tërësi në zonat rurale të Shqipërisë, është një përparësi e jona. Ju nuk do të ndiheni më të braktisur, sepse në konceptin tonë nuk mund të ketë një Shqipëri të zhvilluar me një fshat të prapambetur, nuk mund të ketë një barazi shoqërore në rast se ne nuk krijojmë, aty ku ju banoni, kushte të ngjashme me qytetin, në rast se ju nuk do të keni rrugë të asfaltuara, ujësjellësit dhe kanalizimet, nuk do të keni shkollat moderne, nuk do të keni shërbimet që meritoni. Prandaj edhe ne, ndonëse jemi të vetëdijshëm se zhvillimi i zonave rurale kushton më shumë se çdo gjë tjetër në këtë vend, infrastruktura e këtyre zonave kërkon miliarda, jemi të vendosur t’i realizojmë ato. Ne vijmë sot te ju t’ju njoftojmë se këto 4 vjet kemi investuar 1.6 miliardë dollarë dhe zotohem para jush se, në 4 vitet që vijnë do të investojmë dyfishin e kësaj shume.

Politika e braktisjes së zonave rurale ka marrë fund njëherë e përgjithmonë.

Në komunën Kajan, paraardhësit tanë investuan zero, ne kemi investuar 34 milionë lekë, në rrugë të brendshme në Kajan 20 milionë lekë, në rikonstruksion të ujësjellësve të fshatrave 11 milionë lekë, në rikonstruksionin e 2 qendrave shëndetësore një vlerë prej 2. 5 milionë lekë.

Në komunën Fierzë qeveria e mëparshme investoi vetëm 12 milionë lekë për shtrimin me zhavorr të rrugës Hardhi- Fierzë dhe lekët e tjera ata i futën në xhep, ndërkohë që ne kemi investuar 46 milionë lekë. Për ujësjellësin e fshatit Hardhi kemi investuar 6 milionë lekë, për qendrën shëndetësore 5 milionë lekë, për ujësjellësin e fshatit Fierzë 10 milionë lekë, për shkollën e fshatit Fierzë 25 milionë lekë.   

Në komunën Shalëz socialistët kanë investuar në 8 vjet vetëm 4 milionë, ndërsa ne në 3 vjet kemi investuar 67 milionë lekë, për shtrimin dhe asfaltimin e rrugës Shalëz – Xibrakë, me gjatësi 3.5 kilometra, kemi investuar 38 milionë lekë, për ujësjellësin Cërrik- Xibrakë 23 milionë lekë, për shkollën e fshatit Kurtalli 5 milionë lekë.

Në komunën Grekan socialistët kanë investuar 7 milionë lekë për shtrimin me çakull të rrugëve të lagjes Domi,  ndërsa ne kemi investuar 55 milionë lekë. Është ndërtuar ujësjellësi i fshatit Dëshiran me vlerë 8 milionë lekë, rruga Dëshiran – Vlashuk me vlerë 14 milionë lekë, rikonstruksioni i dy qendrave shëndetësore me vlerë 2 milionë lekë. Për rrugën e qendrës së fshatit Grekan është investuar 28 milionë lekë. Për rikonstruksionin e ndërtesës së postës në fshatin Grekan është investuar shuma prej 3 milionë lekë.

Në bashkinë Belsh, socialistët kanë investuar për kanalizime 5.5 milionë lekë, ne kemi investuar 1 miliardë e 122 milionë lekë. Është investuar ndërtimi i rrugës së Tatanëve me vlerë 7 milionë lekë, rruga e Kalasë së Belshit me vlerë 7 milionë lekë, rikonstruksioni i qendrave  shëndetësore në Marinëz, Shkëndije dhe Qafë Shkallë, me vlerë 10 milionë lekë, rikonstruksioni i gjendjes civile me vlerë 2.5 milionë lekë, rruga Belsh – Pajovë, me gjatësi 15.6 kilometra dhe me vlerë 325 milionë lekë, rrugë e cila ka filluar ndërtimin.

Ka filluar rruga Belsh- Fierzë, me gjatësi 12 kilometra dhe me vlerë 180 milionë lekë, rruga Belsh – Kuçovë që po inaugurojmë nisjen e punimeve sot, me gjatësi 14 kilometra dhe me vlerë 600 milionë lekë.

Të dashur banorë të kësaj zone dhe të mbarë komunave të Elbasanit!

Unë ju premtoj se do të financojmë çdo projekt që lehtëson jetën tuaj. Edhe me qëndrime të tjera, ne kemi faktuar ndjeshmërinë tonë ndaj jush, respektin për meritat tuaja. Këtë muaj, çdo pensionist i Belshit dhe i fshatrave të Elbasanit dhe të mbarë Shqipërisë, merr një pension 2 herë më të lartë sesa merrte në vitin 2005. Çdo pensionist që në vitin 2005 merrte 3600 lekë, sot merr 72 mijë lekë. Kjo përbën një ndryshim shumë të madh. Sot nuk kemi pensionist  në fshat që të marrë nën 2 dollarë në ditë. Kjo përbën një arritje për ne, sepse vetëm këtë muaj, me këto pensione, ne i kemi larguar nga varfëria 170 mijë familje në mbarë fshatrat shqiptare, 200 mijë familje të tjera kanë dalë gjatë katër viteve. Pra, ne i kemi bërë një luftë të vendosur varfërisë

Të dashur qytetarë të Belshit!

Në katër vite, unë besoj se çdo njeri që i thotë ndryshimit ndryshim, ditës ditë, e pranon se Shqipëria ka ndryshuar më mirë dhe më shpejtë se kurrë në historinë e saj.

Sot, ne mblidhemi së bashku këtu me një Shqipëri anëtare të NATO-s, me një Shqipëri më të sigurt se kurrë, sot mblidhemi së bashku me një Shqipëri që ka aplikuar për anëtare të Bashkimit Europian.

Sot mblidhemi këtu me një Shqipëri që në vitin e parë të mandatit të dytë, do të ketë liberalizimin e plotë të vizave dhe qytetarët e saj do të lëvizin në mbarë Europën.

Sot ne mblidhemi së bashku këtu, kur për çdo shqiptar që lëviz në vendin e tij, konstaton dhe kënaqet, se sheh që kudo, ky vend, rrugët e tij, ujësjellësit e tij, shkollat e tij, janë në ndërtim dhe rindërtim. Kemi ndërtuar dhe rindërtuar në 4 vite 1012 shkolla, ndërkohë që ato që kanë mbetur ende pa u rindërtuar apo ndërtuar janë më pak. Kemi shtrirë internetin në çdo shkollë. Kemi dyfishuar pagat e mësuesve të fëmijëve tuaj, kemi dyfishuar pagat e infermierëve dhe mjekëve që kujdesen për ne.

Kemi bërë rritjen më të madhe te pensioneve në fshat dhe dua t’i garantoj pensionistët e fshatit se në mandatin e dytë pensionet e tyre do të barazohen me ato të qytetit, sepse ata kanë derdhur lumenj djerse e mundi në kooperativat bujqësore dhe fermat e shtetit totalitar. Ata e meritojnë plotësisht, ndaj ne do të barazojmë pensionet në mandatin e dytë.

Në mandatin e dytë ne do t’i japim Shqipërisë rrjetin rrugor më të ri dhe më modern në Europë. Në mandatin e dytë ne do të ndërtojmë boshtin e jugut, që kalon nëpër trevën tuaj dhe që afron Sarandën me Tiranën.  

Në mandatin e dytë do të përfundojë asfaltimi i rrugëve në Shqipëri. Çdo fshat do ta lidhim me qendrat e komunave me rrugë të asfaltuara. Por në mandatin e dytë, ne, me investimet tona, do të bëjmë që çdo shtëpi të ketë ujin e pijshëm brenda në shtëpi. Ky është zotimi ynë për zhvillimin e qëndrueshëm të zonave rurale të Shqipërisë. Kjo është alternativa jonë që nuk bazohet në fjalë por në vepra dhe fakte, të cilat prekin jetën e fëmijëve tuaj, buxhetin e familjeve tuaja, përmirësojnë jetën tuaj në fshat dhe kudo që jeni. Ato i japin Shqipërisë një emër të mirë, e bëjnë atë të besueshme dhe bëjnë të mundur që shqiptarët të lëvizin të lirë, pa viza, në mbarë Europën.

Ka një alternativë tjetër paralel me këtë; alternativa e fjalëve, mashtrimeve, gënjeshtrave, alternativë e cila përpiqet të nxijë gjithçka. Ne rrisim rrogat dhe pensionet, ata bërtasin varfëri, varfëri, ata përhapin lajme se ne nuk do të anëtarësohemi, organizojnë mitingje për të protestuar. Ne aplikojmë për vend kandidat në BE dhe për vizat, ata bërtasin përse aplikoni. Por, si mundemi të mos aplikojmë kur kjo është ëndërr e çdo shqiptari? Ne e kishim ëndërr të ishim anëtarë të NATO-s, ëndërr e kemi të jemi anëtarë të BE-së, ndaj ne do të vazhdojmë,pavarësisht se çfarë duan ata. 

Në përçartjet e tyre unë do të veçoja një: thirrjen e tyre gjatë muajit prill që të mos rriteshin rrogat dhe pensionet. Ne e dëgjuam thirrjen  e tyre dhe nuk rritëm rrogat dhe pensionet më të larta, të ministrave dhe deputetëve, rritëm rrogat dhe pensionet tuaja, ashtu siç kishim parashikuar. Mund të shtroni pyetjen, si ka mundësi që një opozitë të kërkojë mosrritje rrogash dhe pensionesh. Por si do ta luftojnë ata varfërinë pa rritje rrogash dhe pensionesh?. Pra, opozita e tyre është opozitë e skupeve, e trillimeve.

Në Shqipëri ndodhi akti politik më madhor në historinë e marrëdhënieve të Shqipërisë me SHBA. Presidenti i tyre vizitoi Shqipërinë. Shqiptarët i tregojnë atij dashurinë dhe respektin më të madh, mirënjohjen më të thellë për Presidentin amerikan, sepse vlerësuan se ai, në momentet më kritike për kombin shqiptar, ndërhyri me vendime shpëtuese për ne. Por çfarë bëri opozita?. Opozita tha që shqiptarët i vodhën orën Presidentit, për të krijuar një lajm të turpshëm për shqiptarët.

Vazhdojmë më tej. Ne po merrnim ftesën për në NATO, që për Shqipërinë dhe Kroacinë ishte lajmi më i madh i Samitit të Bukureshtit. Por mediat që kishte sjellë opozita atje, informonin se Shqipërisë nuk do t’ia japin ftesën. Por, çfarë u mbeti atyre kur pas gjysmë ore e morëm ftesën?

Kryeministri i vendit mik, Greqisë, ku punojnë rreth 1 milionë shqiptarë erdhi për një vizitë miqësore në Shqipëri. Në mënyrën më të përsëritur ai shprehu mirënjohjen për punën dhe kontributin e tyre në Greqi dhe natyrisht unë, në emrin tuaj, shpreha mirënjohjen time më të thellë për punën dhe ndihmën e tyre për Shqipërinë. Por opozita vazhdoi të thoshte: Berisha i dha ujërat shqiptare. Këto ishin trillime primitive që edhe nxënësi i klasës së pestë, me kompas, është në gjendje të provojë se ato janë ndarë në bazë të ligjit dhe se nuk ka pasur asnjë milimetër devijim. Kjo është një gjë e turpshme.

Ju e keni ndjekur betejën që kanë bërë kundër Skënderbeut. Mirë me mua dhe kundërshtarët e tjerë politikë,  por e pyes veten çdo dite; po me Skënderbeun çfarë patën këta? Çfarë borxhi i kishte Skënderbeu këtyre? Skënderbeun, hero kombëtar dhe botëror e bëri lufta e tij, e beri qëndresa e tij. Skënderbeun hero botëror e bëri Europa që shkroi për të me mijëra libra, ndërkohë kur shqiptarët nuk kishin mundësi të shkruanin më shumë se 2-3 libra.  Atëherë çfarë desh kjo soj opozite që sulmoi Skënderbeun? Kjo nuk është e paqëllimshme. Kjo ka një arsye, ka një fakt të madh. Skënderbeu nuk është vetëm e shkuara jonë, nuk është vetëm legjenda jonë, Skënderbeu është e sotmja dhe e ardhmja jonë, është vokacioni ynë perëndimor, është simboli i qëndresës sonë për liri e dinjitet. Jo më kot sulmohej Skënderbeu dhe nga njerëz të cilët  vetëm pak vite më parë deklaronin lartë  e poshtë rrugëve të Europës se e kanë për turp të quhen shqiptarë. Kjo është e vërteta. Ata mbanin në shtëpi bunkerë kartoni për të thënë se shqiptarët janë si ky bunker. Bunkerët ishin një problem që na i imponuan, por le të vinë  e të shohin dhe të hapin sytë; shqiptarët po ndërtojnë rrugë, vila, ujësjellës, shkolla, po luftojnë dhe po përpiqen çdo ditë për t’u bërë si kombet e tjera.

Vëllezër dhe motra!

Edhe njëherë dua t’ju përshëndes dhe dua t’ju ftoj që të vazhdojmë së bashku. Në mandatin e dytë ju garantoj se do të bëjmë 3 herë më shumë sesa kemi bërë gjatë këtij mandati”.


09/05/2009

Më shumë nga Zyrtare

Të gjitha ›