E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kryeministri Berisha: Programi i qeverisë është program tërësisht i interesave të drejta të qytetarëve

-        Interesat e qytetarëve janë rrugë të shtruara, shkolla të mira moderne, ujë të pijshëm dhe kanalizime, shërbime të mira sociale njësoj si lagjet e qytetit, rritja e pensioneve dhe barazimi i pensioneve të fshatit me qytetin, rritja e rrogave, integrimi në Europë, etj.

Kryeministri Berisha mori pjesë dje pasdite në inaugurimin e përfundimit të punimeve për ujësjellësin e ri të komunës Petrelë, një investim i buxhetit të shtetit, me vlerë 40 milionë lekë. 

Më pas, Kryeministri zhvilloi një takim me qytetarë të Petrelës, në kuadrin e turit “Shqipëria po ndryshon”

Në fjalën e tij, Kryeministri u shpreh: 

“Të dashur qytetarë, banorë të Petrelës, të njërës prej bukurive të mëdha, jo vetëm të Tiranës, por të mbarë Shqipërisë!

Erdha së pari t’ju përshëndes shumë përzemërsisht dhe të inauguroj me ju sistemin e ri të ujësjellësit për këtë komunë. Por erdha edhe t’i premtoj kryetarit të komunës suaj se, kjo qeveri do të financojë çdo projekt në këtë komunë, në mënyrë që ajo të shndërrohet  në një nga qendrat më të rëndësishme turistike të kryeqytetit dhe gjithashtu në këtë mënyrë të përmirësohet jeta juaj.

Duke u ngjitur rrugës deri këtu, erdha nëpër rrugën më të ngushtë që mund të ndërtohet dhe mendja më shkoi se nuk ka inxhinier që të realizojë një projekt të tillë. Por qeveritarët e mëparshëm, gjysmat e parave për ndërtimin e kësaj rruge i futën në xhep, gjysmën e futën në rrugë. Unë ju  jap fjalën se këtë rrugë, nga Mulleti deri këtu do ta rindërtojmë, me dy korsi, me ndriçimin më të bukur, me trotuare, me veprat e artit dhe çdo gjë tjetër.  Sikundër, do ndërtojmë rrugën nga këtu dhe te Kalaja e vjetër e Siopit, në mënyrë që të lidhim këto dy qendra të rëndësishme historike.

Unë dua të përgëzoj kryetarin e komunës për punën shumë të vyer që ka bërë, për t’i kthyer identitetin këtij vendi, kësaj kështjelle, oborrit të saj dhe për t’i krijuar kryeqytetit një  qendër historike turistike që e nderon për historinë ë saj, për vendndodhjen e saj, e nderon  për peizazhin që i ofron vizitorit. Ndaj uroj që të vazhdojmë kështu së bashku në mënyrë që çdo ditë  të vazhdojmë të investojmë në këtë zonë, për ta shndërruar atë në një nga zonat më të zhvilluara.

Vëllezër e motra!

 Në 8 vjet qeveritarët e mëparshëm kanë investuar në komunën tuaj 130 milionë lekë, ndërsa  qeveria që unë kryesoj, në vitet 2005-2009,  investon këtë komunë 500 milionë lekë.

Në 8 vjet, qeveritarët e mëparshëm kanë asfaltuar 3 kilometra rrugë, ndërsa ne në 4 vjet, kemi asfaltuar dhe vazhdojmë të asfaltojmë 23 kilometra rrugë. Unë ju jap fjalën se në këtë komunë nuk do të mbetet pëllëmbë rruge pa u asfaltuar.

Është rikonstruktuar;

-          Shkolla e Petrelës, me një vlerë prej 7 milionë lekë.

-          Qendra shëndetësore e Petrelës, me vlerë 4 milionë lekë.

-          Kanalizimet e ujërave të zeza, me 25 milionë lekë.

-          Rruga Mullet – Fikas me 16 milionë lekë

-          Rruga e fshatit  Daias, me vlerë 40 milionë lekë

-          Ujësjellësi i Petrelës që inaugurohet sot, me vlerë 40 milionë lekë.

-          Rruga e Zaranikës, me vlerë 36 milionë lekë

-          Rikonstruksioni i shkollës Daias, me vlerë 7 milionë lekë

-          Rikonstruksioni i qendrës së Petrelës, me vlerë 8 milionë lekë

-          Rehabilitimi i kanalit ujitës Arbanë, me vlerë 3.5 milionë lekë.  

Gjatë këtyre muajve nisin punimet në këto vepra:

-          Rruga fikas – Hekal, me vlerë 52 milionë lekë

-          Ujësjellësi i fshatit Qeha, me vlerë 10 milionë lekë

-          Ujësjellësi i lagjes Çelik të fshatit Mullet, me vlerë 9 milionë lekë

-          Ndërtimi edhe njëherë i rrugës Mullet – Petrelë, me ndriçim, trotuare dhe parametra europianë, me vlerë 80 milionë lekë

-          Ujësjellësi i fshatit Tagan, me vlerë 16 milionë lekë

-          Rikonstruksion i shkollës Picallë, me vlerë 16 milionë lekë

-          Rikonstruksion i shkollës Daias, me vlerë 12 milionë lekë

-          Kanalizimet e ujërave të zeza të fshatit Mullet, me vlerë 30 milionë lekë dhe një sërë veprash të tjera publike.

Këtu, janë financuar në periudhën 2008-2009, ngritja e 12 hektarëve ullinj, me 300-400 rrënjë ullinj për hektar. Zoti kryetar i komunës, unë do të garantoj mbështetjen dhe financimin e qeverisë edhe sikur ju të siguroni 500 hektar ullishte. Prandaj, ju bëj thirrje ju dhe këshillit komunal, të bashkëpunoni me fermerët dhe të përcaktoni sipërfaqet e reja për ullishte, t’i mbillni me ullirin me Tiranës, i cili është ulliri më i shijshëm i kësaj toke. Ndaj, le t’i rikthehemi traditës së kësaj peme të mrekullueshme

Vetëm në këta katër muaj, nga iniciativa dhe nxitja e qeverisë, në Shqipëri janë mbjellë 2 milionë rrënjë ullinj. Ne jemi zotuar se në 4 vitet e ardhshme do të financojmë mbjelljen e  20 milionë rrënjë ullinj. Le të punojmë së bashku për ta tejkaluar këtë shifër.

Vëllezër e motra!

Programi i qeverisë sime është program fund e krye i interesave tuaja. Natyrisht, as qeveria ime dhe asnjë qeveri tjetër nuk mund të përmbushë çdo nevojë e interes të çdo individi, por unë ju garantoj se do të përmbush interesat më të mira dhe më të rëndësishme të familjeve dhe komuniteteve tuaja. Këto interesa nënkuptojnë që ju të keni rrugë të shtruara njësoj si lagjet e qytetit, që ju të keni shkolla të mira, modern, njësoj si lagjet e qytetit, të keni ujë të pijshëm dhe kanalizime, njësoj si lagjet e qytetit. Këto interesa janë që këta burra dhe gra të thinjur që u tretën me punën e tyre në kooperativat bujqësore, të mos marrin pension më të ulët sesa ata që janë në qytet.

Pra, interesat tuaja janë që vendi të lartësohet, sepse çdo shqiptar do ta shohë vendin e tij lart e më lart, i bindur se në këtë mënyrë lartësohet edhe ai vet.

Unë ju garantoj se ky është programi ynë. Pikërisht për këtë qëllim, ne kemi investuar në zonat rurale të Shqipërisë 1. 6 miliardë dollarë, sa kurrë ndonjëherë tjetër në historinë e këtij vendi. Ne mbyllim gjatë këtij viti 23 kilometra rrugë në këtë komunë, ndërkohë që në Tiranë nuk janë asfaltuar as 10 kilometra rrugë. Ndokush mund të mendojë se unë si kryeministër nuk i kam dhënë financime kundërshtarit politik. Po ju them se unë i kam dhënë 5 herë më shumë sesa i ka dhënë vet Fatos Nano. Kryetari juaj i komunës, ka marrë 4 herë më shumë fonde nga qeveria, por i ka shndërruar ato në rrugë, në ujësjellës, në shkolla, në kanalizime.

Por, ku kanë shkuar paratë që ne i kemi dhënë Edi Ramës? Mund ta pyesni. Ne nuk bëjmë diskriminim për të, përkundrazi, ne e veçojmë dhe i japim mbështetjen më të fuqishme Edi Ramës, sepse Tirana është kryeqyteti i secilit prej nesh. Mirëpo paratë i marrin cedilat, paratë i marrin ata, ndërtime s’bëhen, paratë i fusin në xhep, rrugë  nuk shtrojnë. Kjo është e vërteta.

Këto katër vite, ne dyfishuam pensionet në fshat. Jua premtuam këtë dhe e shndërruam në realitet këtë premtim.  Ne, në këto katër vite investuam në mënyrë që fëmijët tanë të shkojnë në shkolla të mira, moderne, të reja, të  mos ulen nga 40-50 nxënës në klasa. Ne kemi rindërtuar apo ndërtuar nga e para 1012 shkolla, kemi çuar në çdo shkollë kabinetin e informatikës dhe internetin, në mënyrë që asnjë fëmijë shqiptar, i varfër apo i pasur qoftë ai, të mos e ketë kompjuterin mollë të ndaluar, por të lundrojë në internet, si fëmijët e vendeve më të zhvilluara.

Këto katër vite, ne ia dolëm të dyfishojmë  rrogat e arsimtarëve, të infermierëve, të mjekëve. Ia dolëm që, me rritjen e rrogave dhe pensioneve, ne, shqiptarët e varfër,  të parakalojmë dy vende që vetëm 15 vite më parë kanë qenë 15 herë më të zhvilluara se ne, Rumaninë dhe Bullgarinë.

Me reforma të mëdha, serioze, të ndershme, ne ia dolëm të bindnim 26 vende anëtare të Aleancës së Atlantikut të Veriut, se ne meritojmë të bëhemi vend anëtar i NATO-s.

Me reforma të mëdha dhe të thella, të ndershme, ne ia dolëm të bindnim 27 vende anëtare të Bashkimit Europian të votojnë në parlamentet e tyre Marrëveshjen  e Stabilizim – Asociimit dhe të pranojmë kërkesën tonë për statusin e vendit kandidat për në BE.

Besoj se për çdo shqiptar që i thotë ditës ditë, ndryshimit ndryshim, pranon se këto katër vite Shqipëria është një vend tjetër. Ndaj unë ju ftoj të vazhdojmë mandatin e dytë së bashku  dhe dua t’ju garantoj se unë, sërish, edhe katër vitet e ardhshme dhe për sa kohë që ju të vendosni që unë të jem në pushtet, në tavolinën time të punës, në zyrën time, do të ketë vetëm një program; ai i interesave tuaja, i plotësimit të tyre, sepse ato janë interesa të ndershme, të drejta. Duke punuar për to, unë kam bërë punën më të mirë për vete, për fëmijët e mi, për fëmijët e fëmijëve të mi, për vendin tim.

Katër vite më parë, jo të paktë ishin ata që më pyesnin se si do ua sjellësh dritat shqiptarëve, mos e premto këtë gjë, sepse nuk ua sjell dot. Por sot, unë vij tek ju krenar, sepse nga fundi i vitit 2008 e deri më sot dhe për sa kohë që unë të jem në pushtet, në mënyrë absolute, nuk ka pasur dhe nuk do të ketë qoftë edhe një orë të vetme ndërprerje të programuar të dritave. Jo. Kjo sepse, praktika e mëparshme  ishte një praktikë çnjerëzore, fyese për qytetarët shqiptarë.  Ata thoshin; të mos blejmë energji, sepse së pari në kushton, së dyti, nëse  japim energji 24 orë, shtohen humbjet e saj në rrjet. Por, nuk mund t’i dënosh qytetarët në këtë mënyrë. Por unë, me durim, u thashë;  për mua energjia le të kushtojë sa të dojë. Pas bukës dhe ujit, jetike është energjia elektrike. Do ta blejmë atë sa do të kushtojë. Çmimi më i shtrenjtë i saj është mungesa e saj për qytetarët dhe t’i lesh ata në errësirë. Sot, përjashto mungesën e energjisë për shkak të defekteve teknike, nuk ka dhe nuk do të ketë asnjëherë ndërprerje energjie. Por jo vetëm kaq. Në rast se për 30 vitet e fundit nuk u ndërtua  qoftë edhe një burim i vetëm energjie, sot, vetëm këto dy – tre muaj,  kanë nisur dhe do të nisin  ndërtimi i mbi 20 hidrocentraleve, ndër të cilat edhe projekti më i madh në Europë, Kaskada e Devollit, me vlerë 1.2 miliardë euro investim. 

Të dashur qytetarë!

Përballë kësaj alternative të veprave, të rrugëve, të urave, të ullishtave, të pensioneve të dyfishuara, të kanalizimeve, të ujësjellësve, të shkollave, internetit, ka edhe një alternativë tjetër; alternativa e bllofeve, e trillimeve, e skupeve, e turpeve.

Pas 18 vitesh marrëdhëniesh diplomatike me vendin më të lirë dhe më të fuqishme të botës, qeveria ime ia doli që në Shqipëri, në shenjë respekti dhe dashurie për shqiptarët, të vijë Presidenti i SHBA Bush. Por opozita, me mediat e veta, me aktin më të shëmtuar, hapi lajmin se qytetarët e Fushë Krujës, të cilët i dëshmuan Presidentit dashurinë më vëllazërore që ai kishte parë në ndonjë vend të botës, i vodhën atij orën. Ata e bënë këtë gjë, për t’u dhënë turpin shqiptarëve, vetëm e vetëm se presidenti nuk mund të shkonte në bashkinë e një antiglobali, pasi i dinte të dhënat që ai është një antiglobalist dhe nuk mund ti shkonte në bashkinë e tij. Në hakmarrje primitive, ai hapi me mediat e veta lajmin se u vodh ora.

Të  njëjtën gjë opozita bëri edhe orën që ne do të merrnim ftesën për në NATO. Me mediat e strehuara në qoshkat e bashkisë, kryetari i opozitës transmetonte nga Bukureshti se Shqipërisë nuk do t’i jepet ftesa për anëtarësim. Ndërkohë që ne ftoheshim në Zagreb për të festuar me Presidentin Bush ftesën për në NATO, opozita në Tiranë organizonte mitingje me portretet e Enver Hoxhës, për të denoncuar këtë arritje madhështore të Shqipërisë dhe shqiptarëve. 

Në muajin nëntor ne shpallëm lajmin se në datën 1 maj 2009 pensionet në fshat do të dyfishohen, por opozita e kundërshtoi këtë. Kurrë nuk kam dëgjuar që një opozitë të thotë të  mos rriten rrogat e pensionet. Ajo nisi konferencat e shtypit për të than që nuk duhet t’i rrisni rrogat e pensionet. Por, përse ne nuk duhej të rrisnim rrogat e pensionet? Për çfarë i paskemi ne paratë, nëse taksat e qytetarëve nuk ua kthejmë në rroga e pensione. Çfarë alternative është ajo që të bërtasësh mos rrit rrogat e pensionet?  

Në datën 28 prill 2009 ne patëm ngjarjen e dytë të madhe; paraqitjen  e kërkesës për kandidat në BE, që e miratoi e gjithë Europa dhe e mbështetën udhëheqësit më kryesor të Europës, ashtu siç ju e patë vet. Sërish opozita bërtiti; mos e paraqisni kërkesën. Por programi evropian nuk është program elektoral, është shumë mbi - elektoral, është shumë herë më i rëndësishëm se një palë zgjedhje, është ëndrra qytetarëve shqiptarë, është ëndrra e fëmijëve të tyre.

Ne jo vetëm e paraqitëm kërkesën për vend kandidat në BE, por unë dua t’ju garantoj se pavarësisht nga skupet  e opozitës, apo opozitës së bllofit, brenda një viti ne do të realizojmë lëvizjen e lirë në mbarë Europën të të gjithë qytetarëve shqiptarë. Ky është interesi juaj, për këtë interes punojmë ne, këtë interes ne do ta shndërrojmë në realitet. Le t’u lëmë atyre trillimet e skupet.

Qytetari vritej në aksident në gjah, ndërkohë që opozita bërtiste se e vrau qeveria dhe zhvillonte miting mortor. Ata nuk ndalen as para dhunimit të Kodit më serioz, më të pa prekshëm të njeriut, Kodit të Vdekjes, vetëm e vetëm që t’u shërbejë atyre për qëllime politike.

Unë mendoj se ne duhet t’i leme atë në bllofet dhe skupet e tyre dhe le të vazhdojmë bashkë ndryshimin e madh që po realizojmë, të ndërtojmë plotësimin e interesave tona të mohuara për gjysmë shekulli, të vazhdojmë zhvillimin e këtij vendi, të vazhdojmë  të krijojmë kushtet më të mira për investitorët shqiptarë dhe të huaj, të vazhdojmë të nxisim dhe të ftojmë turistë dhe vizitorë nga mbarë bota. Vitin  e kaluar, Shqipërinë e vizituan 2.7 milionë vizitorë, kundrejt vetëm 300 mijë vizitorëve në vitin 2004. Këtë vit do ta vizitojnë 3 milionë vizitorë.

Edhe njëherë ju përshëndes dhe ju jap fjalën se çdo projekt që kryetari dhe këshilli komunal i juaji do të  hartojë për të përmirësuar jetën tuaj, kjo qeveri do ta financojë njëqind për qind.

Edhe njëherë përshëndetje dhe gëzuar ujësjellësin e ri”.


11/05/2009

Më shumë nga Zyrtare

Të gjitha ›