Karta e Adriatikut forcon bashkëpunimin midis kombeve të Ballkanit në fushën më të ndjeshme, atë të sigurisë
- Kryeministri Berisha shpreh mirënjohje të thellë qeverisë amerikane, sepse mbështetja e saj ka patur një rol vendimtar në suksesin tonë dhe të Kroacisë për anëtarësimin dhe pa dyshim do të ketë një rol vendimtar gjithashtu, për anëtarë të tjerë të kësaj Karte, për t’u bërë anëtarë të Natos në të ardhmen.
Kryeministri Berisha përshëndeti sot punimet e takimit të Ministrave të Punëve të Jashtme të Komisionit të Partneritetit, të Kartës Adriatik 5, që u zhvillua në Tiranë, në kuadër të kryesimit nga Shqipëria të Kartës së Adriatik A5.
I pranishëm në këtë takim ishte Zv. Ndihmës Sekretari i Shtetit i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, z. Stuart Jones, Ministrat e Jashtëm të Shqipërisë, Bosnjë-Hercegovinës, Maqedonisë dhe Malit të Zi, Sekretari i Shtetit në Ministrinë e Punëve të Jashtme dhe Integrimit Evropian të Kroacisë, Ambasadori i SHBA në Tiranë, z. Xhon Withers, e të tjerë personalitete. Punimet e këtij ministeriali u përshëndetën edhe nga Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, z.Jaap de Hoop Scheffer.
Në fjalën e tij, Kryeministri Berisha u shpreh:
“Të dashur zotërinj ministra,
Zoti Xhons,
Zotërinj ambasadorë,
Është një nder i madh dhe kënaqësi për mua t’ju drejtohem juve sot, t’ju mirëpres në vendin tim dhe të përshëndes këtë takim shumë të rëndësishëm të Kartës Adriatikut 5. Kjo do të jetë për Shqipërinë një ngjarje shumë e rëndësishme, mbajtja e Samitit të Kartës së Adriatikut 5 sot, e cila, e themeluar disa vite më parë në këtë ndërtesë, është bërë një mjet shumë i rëndësishëm për vendin tim, për Kroacinë, Maqedoninë, për të dhënë shtysë drejt anëtarësimit në NATO.
Ne jemi të gëzuar që sot kryesojmë Komisionin e Partneritetit si një anëtar i NATO-s dhe jemi të bindur se Shqipëria dhe Kroacia do të mbështesin plotësisht përpjekjet tuaja për t’u bërë anëtarë të NATO-s. Unë e kam vlerësuar shumë Kartën e Adriatikut, në fillim 3 vende dhe tani 5 vende dhe të shpresojmë së shpejti 7 vende, të gjitha vendet e rajonit. Sepse së pari, kjo forcon bashkëpunimin midis kombeve tona në fushën më të ndjeshme, atë të sigurisë. Krijon gjithashtu një raport shumë të mirë për vendet tona, për të vepruar me vendosmëri. Imagjinoni, para disa vitesh Shqipëria u vendos, krahas Kroacisë dhe ndryshimet midis vendeve ishin të qarta. Por, prezenca e Kroacisë përbënte një motivim shumë të madh për Shqipërinë për nxitjen e reformave. Përballja me Kroacinë nuk ishte shkurajuese, por ishte shumë inkurajuese për Shqipërinë, për të vazhduar me reformat.
Karta e Adriatikut 3 ka pasur mbështetjen dhe vëmendjen e plotë të liderëve të NATO-s dhe SHBA. Kjo ka një rëndësi themeltare për progresin tonë dhe bashkëpunimin midis vendeve anëtarë të kësaj karte, si një plan i shkëlqyer veprimi në rrugën drejt anëtarësimit në NATO.
Edhe një herë, do të doja t’ju përshëndetja, t’i shprehja mirënjohje të thellë qeverisë amerikane, sepse mbështetja e saj ka pasur një rol vendimtar në suksesin tonë dhe të Kroacisë për anëtarësimin dhe pa dyshim, do të ketë një rol vendimtar gjithashtu për anëtarë të tjerë të kësaj Karte, për t’u bërë anëtarë të NATO-s në të ardhmen.
Shumë faleminderit”
08/05/2009