Kryeministri Berisha: Projekte si gazsjellësi TAP janë me rëndësi të madhe strategjike, politike dhe ekonomike
- Kryeministri Berisha takon Bordin Drejtues të TAP
Kryeministri Berisha priti dje në mbrëmje Bordin Drejtues të projektit të gazjellësit Trans-Adriatik (TAP), të përbërë nga Drejtori i projektit Robert Klein dhe përfaqësues të kompanisë finlandeze StatoilHydro Jan Mikal Heiberg dhe Irene Rummelhoff dhe asaj zvicerane EGL Markus Brokhof dhe Hans Schulz.
Bordi Drejtues bëri mbledhjen e tij në Shqipëri, meqenëse Shqipëria është vendi kryesor i këtij projekti gazsjellësi. Qëllimi i mbledhjes ishte prezantimi i arritjeve dhe vizionimi i këtij projekti në të ardhmen. Ata u shprehën të sigurt që fillimi i këtij projekti do të jetë i shpejtë dhe se roli i Shqipërisë në mbështetjen dhe nxitjen e tij në rajon është vital.
Përfaqësuesit e kompanisë StatoilHydro u shprehën se iu shtuan këtij projekti të madh një vit më parë, sepse e panë atë si një projekt ekonomik dhe të mundshëm. Shqipëria, gjithashtu me performancën e saj ekonomike, u bë një arsye tjetër serioze që e nxiti këtë kompani t’i bashkohej këtij projekti.
Kryeministri Berisha tha se ky projekt e fut Shqipërinë në hartën e gazit dhe është projekti i dytë pas atij italian të kompanisë Falcone. Kryeministri falënderoi Bordin Drejtues të këtij projekti madhor për besimin që kanë tek vendi i tij për ndërmarrjen e kësaj iniciative të madhe dhe i garantoi mbështetjen e mëtejshme të tij dhe të qeverisë. Projekte të tilla, - u shpreh Kryeministri - janë me rëndësi të madhe strategjike, politike dhe ekonomike.
Kompania zvicerane EGL dhe ajo finlandeze StatoilHydro janë kompani të rëndësishme në fushën e gazit dhe të naftës. StatoilHydro është ndër më të mëdhatë në botë në këtë fushë dhe operon në linja gazi dhe nafte në mbarë botën dhe së fundi, ka përzgjedhur edhe rajonin tonë, ku një vend kryesor ka Shqipëria, për të shtrirë aktivitetin e tyre.
12/02/2009