E Diel, 1 Nëntor 2026

Kryeministri Berisha diskuton me Drejtorin e Përgjithshëm të Eurocontrol mbi zhvillimin e sektorit të shërbimit civil ajror

Kryeministri Berisha prit sot Drejtorin e Përgjithshëm të Organizatës Europiane për Siguri dhe Kontrollit Ajror (Eurocontrol) David McMillan.

Zoti McMillan i prezantoi Kryeministrit punën e bërë deri tani dhe arritjet në këtë drejtim. Ai tha se Shërbimi Civil Ajror (ACA) ka performuar me sukses në projektin e asistuar nga kjo organizatë. Shqipëria është anëtare e këtij organizmi dhe ka shënuar arritje të dukshme për sa i përket modernizimit të sistemit dhe rritjes së sigurisë. Arritjet e shënuara që nga momenti i anëtarësimit deri tani, u shpreh zoti McMillan, e kanë bërë Shqipërinë një treg të kërkuar të kompanive ajrore. Si rezultat i reformave të ndërmarra, rritjes së autonomisë së këtij institucioni dhe asistencës nga organizmat ndërkombëtare është arritur rritja e trafikut ajror dhe shumëfishimi i të ardhurave nga ky aktivitet. Zoti McMillan falënderoi Kryeministrin për mbështetjen e dhënë dhe për atmosferën bashkëpunuese, të krijuar nga qeveria dhe institucionet shqiptare me të cilat kjo organizëm bashkëpunon.

Kryeministri Berisha e falënderoi zotin McMillan për asistencën e dhënë në këtë drejtim. Ata diskutuan për situatën ekonomike në kuadrin e krizës botërore dhe mbi masat dhe forcimin e përpjekjeve në drejtim të evitimit dhe minimizimit të pasojave të krizës. Duke qenë se, në përgjithësi, sektori i shërbimit civil ajror  është prekur nga kriza dhe ka ulje të ndjeshme në tregun europian, në takim u diskutua mbi masat për evitimin e saj në tregun shqiptar. Deri tani tregu shqiptar nuk është prekur ende, por qeveria, tha Kryeministri Berisha, do ta marrë këtë si një shenjë për të nxitur fluturimet dhe për të parë mundësinë e tërheqjes sidomos të turistëve që duan të vijnë për turizëm me kosto të ulët, mundësi që ua ofron Shqipëria. Kryeministri Berisha tha se do të punohet më tepër për të tërhequr linjat ajrore me kosto të ulët që veprojnë në Europën veriore.


12/02/2009

Më shumë nga Zyrtare

Të gjitha ›