E Diel, 1 Nëntor 2026

Kryeministri Berisha: Projektet e reja për kryeqytetin, do të hapin një epokë të re për Tiranën dhe banorët e saj

“Në një hark kohor ndër më të shkurtrit bashkëpunimi bashki e kryeqytetit me qeverinë, fryma e këtij bashkëpunimi bëri të mundur hapjen e projekteve të cilat firmosin Tiranën e shekullit të 21.”- u shpreh kryeministri sot në mbledhjen e Këshillit të Ministrave, ndërsa veçoi nga rendi i ditës vendimin “Për përcaktimin e autoritetit kontratues dhe zbatues të projektit të bulevardit verior dhe të rehabilimit të lumit të Tiranës, të financuar nga Fondi për Zhvillim Abu Dhabi.”

Duke folur mbi këtë vendim, kryeministri u shpreh se qeveria vendos të hapë siparin e transformimeve të mëdha në kryeqytetin e vendit dhe kjo është një datë e shënuar në historinë e Tiranës.

Kryeministri tha se për Tiranën fillon një epokë e re të cilën qytetarët e meritojnë plotësisht, e cila lë pas periudhën kur fondet e dhëna nga qeveria u përdorën nga ish kryetari i bashkisë për shndërrimin e saj në sipërmarrjen e Partisë Socialiste. “Rama iu ankua qytetarëve se qeveria nuk i dha fonde dhe unë dua ti informoj qytetarët se qeveria i dha fonde tre herë më shumë se qeveria e tij dhe këtë  e bëmë për Tiranën se ishte normale që duhet ta bënim, por fondet u bënë rroga, u bënë firma të paguara nga ai famozi nënkryetar që firmoste nga nënkryetar bashkie në emër të PS, pagesa për firma të ndryshme të marrëdhënieve publike të zotit ram dhe rrugët nuk u rregulluan.” u shpreh kryeministri.

* * *

Në mbledhjen e Këshillit të Ministrave , kryeministri kërkoi gjithashtu përgjysmim e të gjitha detyrimeve fiskalë të industrisë turistike. Duke  e vlerësuar atë si një degë kryesore të ekonomisë, kryeministri theksoi duhet bërë gjithçka për nxitjen, inkurajimin e tij gjithnjë e më të madh. “Përgjysmimi i çdo detyrimi fiskal  në industrinë turistike, do të jetë një nga masat e fuqishme nxitëse për këtë industri dhe për zhvillimin e mëtejshëm.” u shpreh kryeministri.

Kryeministri gjithashtu veçoi nga rendi i ditës disa vendime për dhënien me koncesion të disa HEC-ve si dhe vendimin “Për ngritjen e memorialit “Ushtarët amerikanë të rënë në luftë” në Republikën e Shqipërisë.

Në fjalën e mbajtur në nisje të mbledhjes së Këshillit të Ministrave, kryeministri Berisha u shpreh:

Sot, kjo mbledhje trajton çështje shumë të rëndësishme që kanë të bëjnë me jetën e qytetarëve të Tiranës.

Qeveria vendos për të hapur siparin e transformimeve të mëdha në kryeqytetin e vendit. Përcaktohet autoriteti kontratues për zbatimin e projektit të bulevardit verior të Tiranës, të transferimit të stacionit të trenit, të ndërtimit të terminalit të trenit të pasagjerëve në tiranë dhe kjo është një  datë e shënuar në historinë e kryeqytetit të vendit.

Në një hark kohor ndër më të shkurtrit, bashkëpunimi bashki e kryeqytetit me qeverinë, fryma e këtij bashkëpunimi, bëri të mundur hapjen  e projekteve, të cilat firmosin Tiranën e shekullit të 21.

Për hir të së vërtetës duhet të them se ndërtimi i bulevardit është merita  e atij urbanisti të madh që projektoi Tiranën, por që natyrisht u arkivua për dekada nga regjimi komunist, u arkivua për 11 vite nga ish kryetari i bashkisë së Tiranës, i cili ka përfunduar tani, që të vjen keq, tek e dëgjoje kur thoshte se qeveria nuk e ndihmonte, si një qaraman i vërtet, në një kohë kur qeveria, jo vetëm po e ndihmonte, por qeveria mori kredi sovrane për unazën e kryeqytetit dhe Banka evropiane kërkoi që për pjesën jashtë territorit të bashkisë të kishte një bashkëpunim qeveri-bashki dhe që Koçoja nuk e lejoi ndonjëherë. Natyrisht po të krijohej ndonjë komision i përbashkët tenderi nuk i jepej më Koços. Jo se ne kishim ndonjë problem personal me njeri – tjetrin, por  rrugëve të kryeqytetit u kishte dalë boja dhe asfalti, aty ku kishte punuar Kristaqi. Më famoze ishin tabelat që fillonte në prill dhe mbaronte muajin tjetër dhe kaluan tre vjet me rradhë dhe tabela mbeti aty.

Tani unaza po përfundon. Rama iu ankua qytetarëve se qeveria nuk i dha fonde dhe unë dua ti informoj qytetarët se qeveria i dha fonde tre herë më shumë se qeveria e tij dhe këtë  e bëmë për Tiranën se ishte normale që duhet ta bënim. Po ku shkuan fondet? Fondet u përdorën për shndërrimin e bashkisë në sipërmarrjen e partisë. Aty u punësuan 5 mijë vetë, fondet u bënë rroga, u bënë firma të paguara nga ai famozi nënkryetar që firmoste nga nënkryetar bashkie në emër të PS, pagesa për firma të ndryshme të marrëdhënieve publike të zotit Rama dhe rrugët nuk u rregulluan. E dorëzoi bashkinë me 250 kilometra rrugë dhe rrugica balte, mund të jenë dhe më shumë ,por këtu janë ato që nuk kanë parë asfalt ndonjëherë, se atëherë asfalti vetëm sa hidhej sipër.

Pra, për Tiranën fillon një epokë e re të cilën qytetarët e meritojnë plotësisht. Tirana duhet të jetë simboli më i arrirë për të gjitha qytet e vendit tonë. Ajo është por duhet të behet e tillë në të gjitha aspektet. Ajo është qendra, zemra , truri i Shqipërisë. Me këto tre projekte të mëdha, ndërtohet dhe lumi, është projekti për trajtimin e lumit të Tiranës një lum shumë i bukur. Të gjithë këto krijojnë mijëra vende pune. Këto vende pune janë jo vetëm për ato që punojnë aty. Janë dhjetëra mijëra të tjera që krijohen me gjithçka, ku ndërtohet e krijohet në këto zona. Absolutisht gjysma  e paralizuar e Tiranës merr jetë, se gjysma nga pikëpamja e zhvillimit urban, ajo gjysmë është si e ndarë me thikë, pra gjysma tjetër bëhet e gjallë, rivalizon me këtë gjysëm. Do të krijohet zona e re rektreative  e lumit. Nga një rezervuar plehrash që ishte shndërruar më parë do të jetë një nga zonat më të bukura të qyteti.

Në përputhje me premtimet, zoti Alfred duhet të behet përgjysmimi i të gjitha detyrimeve të të gjithë industrisë turistike. Ne mbajmë fjalën tonë. Industria turistike wshtë degë kryesore e ekonomisë. Konstatojmë se interesi për Shqipërinë vjen gjithnjë në rritjen më të madhe. Imagjinoni ju që çdo vit, këto vitet e fundit, çdo agjenci e madhe turistike pohoi se Shqipëria është një nga 10 vendet, në rritjen më të shpejtë të turizmit për këto vite, çka do të thotë që ne duhet të bëjmë gjithçka për nxitjen, inkurajimin e tij gjithnjë e më të madh.

Dje isha në Lezhë, as në 92 nuk ishte ashtu. Edhe në Gjirokastër, po e njëjta gjë. Pra, siç e shihni , janë ndezur, janë çuar peshë mendjet dhe zemrat e shqiptarëve pas programit të PD. Por kudo që shkon gjen potenciale shumë të mëdha për tu zhvilluar, nga rëra e hedhur tek kepi i Rodonit, është një nga brigjet më të bukura, më të pasura me çdo gjë. Ndaj dhe ne duhet të bëjmë gjithçka për të nxitur, për të dyfishuar turizmin në Shqipëri.

Përgjysmimi i çdo detyrimi fiskal  në industrinë turistike, do të jetë një nga masat e fuqishme nxitëse për këtë industri dhe për zhvillimin e mëtejshëm.

Pra ajo që është jashtëzakonisht pozitive është ecja e HEc-ve , vazhdon gara në mënyrën më të fuqishme. Sot miratojmë një shtesë kontrate te ligjshme për një kompani e cila bashkon me një tunel 12 km Fanin e Madh dhe Fanin e Vogël,në një hec rreth 3 herë sa Ashta, një kryevepër e llojit të vet. Ndërtohen hec në Pojan ,në gjegjan , Ura  e Fanit, Fan, është një nga veprat më mahnitëse hidroenergjetike të këtij vendi, në të gjithë konceptin, idenë, projektin. Ka patur një vonesë, të cilat kanë qenë të lidhura me problemin e studimit të rrugës, por që të gjitha kanë marrë përgjigjen më të shkëlqyer dhe këta dy lumenj do të prodhojnë energji 3 herë më shumë se sa prodhon sot Ashta . Përcaktojmë autoritetin kontratues për dhënin me koncesion të Hec “Skatinë” dhe miratimin e bonusit , në procedurën përzgjedhëse konkurruese që i jepet shoqërisë. Një degë Edrinit kjo , e cila është shumë e thellë, është një lloj kanioni.

Kemi një vendim tjetër “Për ngritjen e memorialit për ushtarakët amerikanë, që në tërësi ishin shqiptaro-amerikanë , që ranë për tu bërë të pavdekshëm, për lirinë e shqiptarëve gjatë luftës së dytë botërore, edhe njëherë nje mirënjohje komitetit të veteranëve të SHBA-ve, i cili paraqiti listën dhe kërkesën. Ne në bashkëpunimin me bashkinë e Tiranës dhe ambasadën amerikane do të ngremë një përmendore në nderim të tyre.


22/05/2013

Më shumë nga Zyrtare

Të gjitha ›