Kryeministri Berisha inauguron rikonstruksionin e rrugës Shënkoll – Tale – Hidrovor, në qarkun e Lezhës

Rikonstruksioni i rrugës Shënkoll – Tale – Hidrovor është në vijim të investimeve të Fondit Shqiptar të Zhvillimit për nxitjen dhe zhvillimin e turizmit në qarkun e Lezhës. Më ndërtimin e kësaj rruge bregdeti i Tales, një ndër plazhet më të bukur të zonës, mund të shfrytëzohet dhe të frekuentohet gjerësisht jo vetëm nga banorët e zonës, por edhe nga qytetarët që vijnë nga rrethi i Kurbinit, Mirditës, Tiranës, nga Kosova e më gjerë.
Zona e Shënkollit njihet, gjithashtu, për aktivitetin e saj të lartë bujqësor e blegtoral dhe me ndërtimin e rrugës së re 9500 banorët e fshatrave Barbullojë, Rrilë, Shënkoll, Tale, Grykë Lume, etj., do të mund ti tregtojmë me lehtësi produktet e tyre në tregun e Lezhës dhe më gjerë. Në këto vite në komunën Shënkoll janë ndërtuar 17 kilometër rrugë, 3 ujësjellës e kanalizime, 2 shkolla edhe 1 qendër shëndetësore.
Në qarkun e Lezhës, Kurbin e Mirditë, janë investuar mbi 1.5 miliardë euro, duke bërë të mundur ndërtimin e mbi 520 kilometrave rrugë, nga të cilat 130 kilometër rrugë kombëtare, 134 kilometër rrugë rajonale dhe 256 kilometër rrugë rurale në komuna e bashki; janë ndërtuar e rindërtuar 84 shkolla, 47 qendra shëndetësore e ambulanca, 35 ujësjellës e kanalizime, përfshi edhe impiantin e Shëngjinit; janë subvencionuar mbi 600 hektarë në pemëtari, ullinj, sera, vreshta e bimë are; kanë përfituar 1280 fermerë në gjithë qarkun nga të cilët 715 fermerë në Lezhë; është dyfishuar numri i bizneseve në 4500 nga 2120 biznese që kanë qenë në vitin 2005.
Për vitin 2013 mbeten prioritet vazhdimi i ndërtimit të rrugës Rrëshen-Kthellë-Urakë me gjatësi 18.7 kilometër dhe me vlerë 1.3 miliardë lekë; është në proces rikonstruksion dhe asfaltim i rrugës Laç-Milot me gjatësi 7.7 kilometër dhe vlerë 3.48 miliardë lekë; rikonstruksion dhe asfaltim i rrugës Laç-Milot me gjatësi 7.7 kilometër dhe vlerë 3.48 miliardë lekë; rikonstruksioni dhe asfaltim i rrugës Dajç - Dragushë, investim me vlerë 53 milionë lekë; rikonstruksion dhe asfaltim i rrugës Kallmet-Ungrej, investim me vlerë 200 milionë lekë.
Në vitet që vijnë do të ndërtohet autostrada Lezhë – Shkodër, vaditja e kullimi i fushës së Lezhës e Zadrimës; landfilli i mbetjeve urbane dhe përpunimi i ujërave të zeza në krejt rajonin e Lezhës; përfundimi i autostradës Milot – Tiranë; rruga bregdetare Shëngjin – Velipojë; ujësjellësit e Milotit, Balldrenit dhe çdo projekt i njësive vendore; ndërtimi në qytetin Lezhë i sistemit të shpërndarjes së ujit të pijshëm dhe sisteme kanalizimet e ujëra të zeza.
Kryetari i komunës Shënkoll, z.Fran Frrokaj, shprehu vlerësimin e tij edhe të banorëve të kësaj komune për angazhimin dhe investimet e kryera në 8 vitet e fundit në këtë komunë, ku nga 200 mijë euro që kanë qenë investimet në kohën e qeverisë socialiste, kanë arritur në mbi 4 milionë dollarë gjatë qeverisjes së Partisë Demokratike. “Puna edhe përkushtimi i Partisë Demokratike për Bregun e Matit, për Lezhën dhe për Shqipërinë ka qenë e pashembullt. Kam qenë me mandatin e kryetarit të komunës edhe në kohën e Partisë Socialiste, por të gjithë ju e mbani mend se atëherë janë bërë vetëm 200 mijë euro investime. Ndërsa në mandatet e Kryeministrit Berisha janë investuar në komunën tonë mbi 4 milionë dollarë. Së bashku me ju, me gjithë lezhjanët dhe gjithë shqiptarët, unë shpresoj se Kryeministri ynë do të vërë në jetë të gjithë premtimet e bëra dhe Bregu i Matit do të kthehet në një nga komunat me resurset më të mëdha”, tha ai.
Kryeministri Berisha shprehu kënaqësinë për inaugurimin e kësaj rruge, e cila zhvillon më tepër këtë zonë, si dhe theksoi se qeveria mbetet e angazhuar për ndërtimin e rrugëve në të katër anët e këtij qarku, pasi rruga kursen kohë dhe ul koston e transportit për qytetarët. Nisur nga shqetësimet e ngritura prej fermerëve gjatë bashkëbisedimeve të zhvilluara, Kryeministri Berisha theksoi se qeveria do të bëjë gjithçka, sado që të kërkohet, deri sa të arrihet që edhe fshati më i largët të marrë energji me cilësinë që marrin lagjet e qytetit.
Në fjalën e tij, në këtw inaugurim, Kryeministri Berisha u shpreh:
Të dashur banorë të Bregut të Matit, banorë të shpresës së përjetshme, shpresës që ju e ndërtoni me punën, me mundin dhe djersën tuaj çdo ditë, çdo javë, çdo muaj edhe çdo vit, që e ndërtoni me përpjekjen tuaj për ta bërë jetën më të mirë.
të nderuar deputetë të ardhshëm të qarkut të Lezhës në Parlamentin shqiptar,
zoti kryetar i komunës,
zoti kryetar i bashkisë Shëngjin,
zoti Prefekt,
Përshëndetjet më të përzemërta dhe shpreh kënaqësinë time që inaugurojmë sot së bashku këtë rrugë, e cila u shërben 9500 banorëve, rrugë kjo e standardeve më të mira, rrugë në përputhje me zotimin tonë se aty ku ju banoni, ne do të sjellim infrastrukturën e lagjeve të qyteteve tona.
Për ne, qytetarët e këtij vendi janë dhe do të jenë të barabartë në shërbime edhe në ligj. Ky është qëndrimi ynë dhe mbi bazën e këtij qëndrimi ne kemi ndërtuar vetëm në rrethin e Lezhës mbi 300 kilometër rrugë, kemi rindërtuar 15 ujësjellës, 30 shkolla, 15 qendra shëndetësore. Në rrethin e Lezhës, në katër vitet që vijnë do të ndërtojmë dhe rindërtojmë çdo kilometër rrugë. Unë jam i vetëdijshëm se kemi shumë punë për të bërë, kemi përsëri infrastrukturë të rëndësishme për të ndërtuar, sepse është e domosdoshme të ndërtojmë autostradën Shkodër - Milot, është e domosdoshme të ndërtojmë dhe rindërtojmë rrugë në të katër anët e këtij qarku.
Unë isha dje në skajin më të largët të qarkut të Gjirokastrës, të zonës minoritare, një fshat malor, por t’ju them të vërtetën ishte një bukuri e jashtëzakonshme. Pasi inauguruam rrugën dhe biseduam aty, ndërsa po kthehesha në Gjirokastër, një qytetar i mençur më dërgoi një mesazh ku më thoshte: zoti Kryeministër, çdo fshati po i ndërtove rrugën është fshat turistik. Ai, absolutisht, tha gjënë më të bukur, sepse kështu është ky territor, kështu janë këto zona.
Ne do t’ju ndërtojmë ju infrastrukturën e plotë. Gjatë këtyre viteve ne kemi ndërtuar mbi 10 mijë kilometër rrugë. Ne do të nxjerrim listën kilometër për kilometër për ata që i mohojnë. Ne përsëri kemi për të ndërtuar shumë e shumë të tjera. Unë do t’ju jap vetëm një të dhënë, e cila mund t’ju duket e pabesueshme, por në inventarin e rrugëve dhe rrugicave në qytetin e Tiranës rezultonte se 250 kilometra nuk ishin asfaltuar kurrë. Në Tiranë po të dilni nga qendra zbrisni drejt baltës, por kjo nuk është vetëm në Tiranë. Kështu janë një seri qytetesh tona. Ne do të bëjmë gjithçka të asfaltojmë, ndërtojmë, rindërtojmë rrugë për qytetarët dhe të qytetarëve shqiptarë. Rruga, para së gjithash, ju jep juve gjënë më të çmuar, kohën. Sot gjëja më e çmuar për njeriun është koha. Ajo shkurton disa herë distancat për tregun, por ul shumë edhe koston e transportit në goma, në benzinë, në naftë. Ajo ul mundimet tuaja, por është edhe dinjitet, sepse ti si qytetar, në vendin ku jeton, udhëton në një rrugën normale, në një rrugë që e meriton. Më shumë se çdo gjë tjetër rrugët shpërblejnë investimin. Çdo 1 dollarë i investuar në rrugë të jep 5 dollarë fitim më pas. Ne do të vazhdojmë me rrugët që të krijojmë biznese. Sa biznese kishte bregu i detit përpara dhe sa ka sot, pas ndërtimit të rrugëve. Ne kemi zgjedhur moton tonë – Përpara, sepse ne duam të ecim me shpejtësi drejt një punësimi më të madh, drejt një infrastrukture moderne, drejt investimeve më të mëdha, drejt mirëqenies më të madhe, drejt integrimit më të shpejtë. Por në memorien tonë janë të freskëta orët e zgjatura çdo ditë pa energji elektrike; janë të freskëta situatat e furnizimit më ujë në mbarë Shqipërinë; janë të freskëta kohët kur pensionistët në fshat merrnin gjithsej maksimumi 3400 lekë pension; janë të freskëta kohët kur rrugët ishin të shkatërruara dhe nuk kalohej nëpër to. Kjo situatë nuk është më. Nuk them se është bulevard, por është krejt tjetër nga ajo që gjetëm.
Unë sot shëtis dhe vizitoj zona rurale edhe fermerët njëzëri kërkojnë furnizim më të mirë me energji elektrike. Ata kanë shumë të drejtë, sepse fermat e tyre po shndërrohen në biznese, stallat e tyre janë fabrika të vogla. Dhe ndonëse ne kemi investuar në 4 vjet 740 milionë euro për energjinë elektrike, për transmetimin dhe shpërndarjen e saj, ju garantoj se sado që të kërkohet ne do të investojmë deri sa të arrijmë që edhe fshati më i largët të marrë energji me cilësinë që merr lagja e qytetit. Ne do të bëjmë gjithçka që fermerët e Bregut të Matit, të cilët janë nga njerëzit më punëtorë të kësaj toke, të nxjerrin gjithnjë e më shumë fitim nga mundi dhe djersa e tyre, nga toka e tyre.
Gjatë këtyre viteve ne kemi financuar 42 mijë fermerë. Në qoftë se ne dhamë 56 milionë dollarë grante për fermerët, në katër vitet që vijnë do t’u japim 165 milionë dollarë, në mënyrë që ju të lulëzoni edhe më shumë fermat tuaja.
Po shkojmë drejt 23 qershorit. Të rinjtë dhe të rejat, gratë dhe burrat e këtij qarku, qytetarët e mrekullueshëm të Lezhës e kanë provën e madhe. Çdo qytetar i Lezhës, çdo qytetar i këtij qarku, çdo qytetar i Tiranës, mbarë kombi shqiptar dhe shqiptarët kudo që janë presin nga ju mandatin e artë, mandatin e 5-të.
Miqtë e mi, a ju kujtohet juve kur me Pal Dajcin, 10 vjet më parë, na u desh t’u themi atyre se me djemtë e Mamurrasit ne edhe ua japim duart, por ne jemi demokratë dhe besojmë te vota. Ne besojmë te paqja. Se na kërcënonin, na zinin prita, por ato janë të shkuara dhe nuk kanë vlerë. E thash këtë tani që me votën e Kurbinit ti lëmë në opozitë, të paktën edhe për 12 vjet të tjera.
Le të ecim ne përpara, përpara, përpara!”
21/05/2013