Kryeministri Berisha pret zotin Andrew Baker, përfaqësues i zyrës për luftën kundër anti-Semitizmit i komunitetit hebraik në Washington

Kryeministri Berisha priti sot në një takim zotin Andrew Baker, përfaqësues personal i Kryesuesit të zyrës për luftën kundër anti-Semitizmit i komunitetit hebraik në Washington.
Kryeministri Berisha i uroi përzemërsisht mirëseardhjen, si dhe vlerësoi kontributin e zotin Andrew Baker në Konferencën e Nivelit të Lartë të OSBE-së mbi Tolerancën dhe Mosdiskriminimin, të mbajtur sot në Tiranë.
Nga ana e tij, zoti Baker e falënderoi Kryeministrin Berisha për pritjen e ngrohtë dhe miqësore edhe i shprehu atij vlerësimet më të larta për Shqipërinë dhe popullin shqiptar, si dhe për traditën e shkëlqyer të tolerancës ndërfetare dhe të përgjithshme që shqiptarët kanë ruajtur ndër shekuj dhe vijojnë ta kultivojnë si një aset dhe vlerë shumë të çmuar.
Kryeministri Berisha e falënderoi Andrew Baker për vlerësimin e tij ndaj traditës së tolerancës së shkëlqyer që ekziston në Shqipëri dhe në kulturën e kombit shqiptar, si dhe theksoi se nuk ka investim më të mirë për asnjë vend dhe rajon, për paqen dhe sigurinë e bashkëjetesën harmonike, sesa investimi në konsolidimin e tolerancës, qoftë ajo ndëfetare, por edhe në tolerancës në përgjithësi.
Në takim u theksua rëndësia që këtë traditë të shkëlqyer dhe këto vlera që kombi shqiptar i ka kultivuar ndër shekuj të promovohen edhe më tej në rajon edhe më gjerë, si një kontribut që Shqipëria dhe shqiptarët, ndonëse një vend dhe komb i vogël, mund t’ia ofrojnë komunitetit ndërkombëtar si edhe u vlerësua edhe kontributi i Konferencës së Nivelit të Lartë të OSBE-së ne kete drejtim.
21/05/2013