E Diel, 1 Nëntor 2026

Fjala e Kryeministrit Berisha në tubimin elektoral në Gjirokastër

Mirëmbrëma! Të dashur qytetare e qytetarë të Gjirokastrës, Përmetit, Tepelenës, përshëndetjet më të përzemërta, mirënjohjen më të thellë, respektin më të madh për këtë pritje të jashtëzakonshme. Uragani i fitores është sot në këtë shesh më i madh se kurrë në historinë e Gjirokastrës. Mirënjohje të thellë ndaj të gjithëve ju sot.

Qytetare e qytetarë të Gjirokastrës,

sot jemi këtu si qytetarë të lirë, si djem e vajza, burra e gra, të cilët forcën e madhe e kanë tek vlerat që besojnë, e kanë tek besimi tek vetja, tek njëri-tjetri, tek Gjirokastra, tek e ardhmja.

Ne vijnë sot këtu, para jush, për të paraqitur programin tonë për katër vitet që vijnë. Ky program bazohet para së gjithash, në liritë tuaja, në iniciativën tuja të lirë, në forcën tuaj krijuese, në mundin, djersën, përkushtimin e vendosmërinë tuaj për të punuar për një jetë më të mirë për vete, për Gjirokastrën më të zhvilluar, për Shqipërinë e zhvilluar.

Programi ynë bazohet para së gjithash, në krijimin e mundësive për secilin prej jush, të punojë e të jetë i dobishëm, të shpalosë aftësitë e talentin  tij, për të begatuar familjen, vendin, shoqërinë. Programi ynë bazohet në përpjekjen tuaj dhe mbështetjen tonë, për të shndërruar pasuritë përrallore të qarkut të Gjirokastrës në mirësi e të mira materiale për qytetarët e saj dhe për Shqipërinë.

Programi ynë frymëzohet nga ju, qytetare e qytetarë të këtij qarku, lebër, toskë, grekë, arumunë, romë, që jetoni në një harmoni të mrekullueshme fetare, ndëretnike, të gjithanshme.

Programi ynë bazohet në aspiratën tuaj, gjirokastrite e gjirokastritë, përmetare e përmetarë, tepelenase e tepelenas, që pavarësisht nga origjina etnike keni të përbashkët ëndrrën europiane të Gjirokastrës, ëndrrën europiane të shqiptarëve.

Vëllezër e motra,

jam sot këtu para jush, për të rikujtuar një premtim timin të katër viteve më parë, se gjirokastritët do të shkojnë nga qendra e qytetit në Tiranë, për 2 orë e gjysmë. Këto katër vite ishin vitet e krizës më të thellë për Europën e për botën. Katër vitet, opozita bëri gjithçka, për të bllokuar vendin. Por këto katër vite, rruga u ndërtua dhe brenda fundit të qershorit, ju do të mbërrijnë në kryeqytet për një kohë 2-3 herë në shkurtër.

Këto vite, ne jemi përpjekur nga Gusmari në Bogovë, nga Golemi, në Çajup, në Dishnicë e në të katër anët e qarkut kemi investuar e ndërtuar qindra kilometra rrugë dhe ato kanë shënuar një ndryshim të madh.

Vëllezër e motra,

do ju rrëfej udhëtimin sot në mëngjes, në fshatin Koshovicë. Atje ndërtuam rrugën. U ngjita sëbashku me deputetët tuaj tek rrapi i fshatit. Aty pashë një nga fshatrat më të bukur që mund të gjesh në këtë vend. Takova gra e burra të moshuar, por më e bukura që gjeta ishte optimizmi i tyre pas ndërtimit të rrugës, ishte kërkesa e tyre për planin urbanistik të fshatit, ishte besimi i tyre se djemtë e vajzat e tyre duhet të kthehen, se turistët do të vizitojnë Koshovicën, se aty ka vlera të mëdha. Dhe Koshovica është një nga fshatrat e bukura të këtij qarku, por të tilla, siç do të më shkruante një qytetar pas takimit aty, janë çdo fshat me rrugë është fshat turistike.

Qytetare e qytetarë të Gjirokastrës,

këto vite këtu në Gjirokastër, në çdo komunë e fshat të këtij qarku, ne kemi investuat 450 milionë dollarë, kemi ndërtuar qindra kilometra rrugë, kemi ndërtuar dhjetëra shkolla, qendra shëndetësore, kemi financuar mbi 520 hektarë të fermerëve të Gjirokastrës, me dhjetëra kokë bagëti. Kemi investuar në sistemin e Drinos, në rrjetin e energjisë elektrike, si dhe mbi 12 milionë dollarë në Gjirokastrën monumentale, në Gjirokastrën, e cila ka me ne historinë e regjistrimit në UNESKO si pasuri e kulturës botërore.

Kam kënaqësinë t’ju informoj se absolutisht, çdo projekt për hyrjen e Gjirokastrës apo autostradat e saj, për lumin Drino apo qendrën e qytetit, për shkollat, vaditjen dhe fermerët kanë pasur angazhimin e plotë e total të përfaqësuesve tuaj, ministrave Genc Ruli dhe Spiro Ksera. Ndaj dhe unë jam këtu për t’u zotuar para jush, se këta do të vazhdojnë të jenë ministra të qytetarëve të Gjirokastrës, gjirokastritëve, lebërve, grekëve, arumunëve, romëve, të gjithëve atyre që jetojnë në këtë qark.

Nuk jam këtu për t’u marrë me rivalët e tyre, por dy fjalë do t’i them. Biznesmenët e Edi Ramës janë: të marrin famozin Caci. Ai, socialistë demokratë të Gjirokastrës, në mënyrë absolute, përveç parave që i ka dhënë Edi Ramës për ta vendosur në listë, nuk ka asgjë të përbashkët me ju. Minoritarë mos prisni kurrë, se ai nuk ju përfaqëson juve, përveçse interesave të tij të ngushta, babëzisë së tij të pafundme. I dyti, i panjohuri, por, vëllezër, këtu në këtë shesh do të sjellim fakte se, në rast se ju dhe shumica e shqiptarëve vite më parë i kërkonim njëri-tjetrit t’i bëjmë një zile, se u ‘priste’ xhepin biseda, Arben hermesi vidhte në mënyrën më të papërmbajtur Telekomin shqiptar, me kompanitë përkatëse. Këta janë rivalët, por ne të shohim përpara.

Në Gjirokastër kemi ndërtuar me qindra kilometra rrugë dhe kemi shumë rrugë të tjera për të ndërtuar. Zotohem para jush se katër vitet që vijnë do të bëjmë gjithçka që çdo kilometër rrugë e këtij rrethi të jetë e asfaltuar. Kemi ndërtuar e rindërtuar dhjetëra shkolla dhe do të ndërtojmë e rindërtojmë çdo shkollë që nxënësit tanë të ulen në shkolla moderne njëlloj si bashkëmoshatarët e tyre këtu në qytet, në Tiranë  e kudo tjetër. Kemi ndërtuar me dhjetëra ujësjellës dhe do të bëjmë gjithçka që qytetarët e Gjirokastrës të marrë ujë 24 orë siç e meritojnë. Ne kemi financuar me qindra fermerë dhe katër vitet që vijnë do të trefishojmë grantet për fermerët e Gjirokastrës, do të trefishojmë mbështetjen për ta. Ne kemi financuar 12 milionë dollarë për Gjirokastrën monumentale. Katër vitet që vijnë do t’i kthejmë Gjirokastrës, Qafë Pazarin dhe gjithë qendrës historike, gjallërinë e merituar.

Sot, një qytetar i juaji më kërkoi që qendrën historike të Gjirokastrës ka shpallim zonë të lirë pa taksa. Zoti Flamur Bimo, nesër mblidh Këshillin e shpalle pa taksa. Ne besojmë tek liria juaj. Ne jemi partia e taksave të ulëta. Ne besojmë se me masat që morëm, me heqjen e taksën mbi çdo makineri e input, për biznesmenët, për fermerët, ne i japin një shtyrje të madhe biznesit, fermave, por, mbi të gjitha, punësimit. Jam sot këtu për t’u zotuar se hoteleria do të ketë një ulje të madhe të TVSH-së, në një kohë shumë të shkurtër. Emigrantëve shqiptarë, grekë i ftoj të vijnë në Shqipëri të investojnë tre deri në pesë vjet pa asnjë taksë. Kthehuni vëllezër. Sillni kursimet në vendin tuaj. Tre deri në pesë vjet nuk do keni asnjë taksë.

Sot, Rama në autobus deklaroi se nuk është e vërtetë se i ka rritur taksat. Vëllezër, ju garantoj se ai nesër do të thotë se nuk i ka bllokuar ligjet. Pasnesër do t’ju thotë se ai dhe grupi i tij parlamentar nuk kanë votuar kundër rritjes së rrogave e pensioneve, kundër buxhetit të restaurimit të Gjirokastrës, kundër financimit të rrugës Tepelenë-Levan, se nuk kanë votuar kundër amnistisë që donim të bënim me rastin e 100 vjetorit të pavarësisë. E ka gjetur zgjidhjen: ç’më duhet mua, çfarë them, unë jam në autobus, ç’më duhet mua se çfarë bëj, unë jam në autobus. Atëherë, o i nderuar zotëri, të cilës parti ishin ata që erdhën dhe protestuan tek kryeministria, me uniformë ceremoniale, kur me ligj ia ndalova të rrisnit taksat e bizneseve të vogla. A ishin ata bashkiakë të PD-së?! Jo! Cili ishte, o i nderuar në autobus, ai që, kur unë bëra ligjin për të mos lejuar rritjen e taksave për biznesin e vogël, doli e shpërndau plehra në bulevard, me pretendimin se nuk kishte para për të paguar pastrimin.

Shqiptarët kanë memorie dhe janë njerëz të qytetëruar. Në këtë mënyrë mund të flasë brenda mureve të autobusit, por jo në ekrane televizive, jo në valët e radiove, se 23 qershori po vjen dhe shqiptarët do të votojnë për punësimin e tyre. Ne garantojmë 250 mijë vende pune. Do të votojnë për Gjirokastrën e biznesit, rritjes ekonomike, për Gjirokastrën e turizmit, Gjirokastrën e monumenteve historike, për vokacionin perëndimor, shpirtin perëndimor të qytetarë të saj, për integrimin e Gjirokastrës dhe të Shqipërisë në Europë. Përpara! Përpara! Përpara!


20/05/2013

Më shumë nga Zyrtare

Të gjitha ›