E Diel, 1 Nëntor 2026

Kryeministri Berisha: Pyjet dhe kullotat tu kthehen pronarëve

TIRANË- Kryeministri Sali Berisha gjatë një takimi me pjesëmarrjen e ministrive dhe institucioneve të ngarkuara për zbatimin e procesit të transferimit të pyjeve dhe kullotave në varësi të pushtetit vendore ka kërkuar që pronarëve tu jepen pyjet dhe kullotat, si dhe të bëhet gjithcka për të përcaktuar kriteret më të drejta të shfrytëzimit, menaxhimit, qëndrimit ndaj tyre.

Duke e vlerësuar pozitive përvojën e administrimit të pyjeve dhe kullotave nga pushteti vendor, Kryeministri Berisha theksoi se, "mbetet ende një punë e madhe për të bërë në drejtim të përmirësimit dhe konsolidimit të mëtejshëm të kësaj eksperience. Pyjet janë një pasuri e madhe kombëtare e çdo vendi. Sot ato marrin një rëndësi të jashtëzakonshme në një kohë kur planeti përballet me ndryshime të mëdha të klimës dhe faktikisht pyllëzimi dhe pyjet janë një levë e fuqishme për të mundur që të ndikohet në zvogëlimin e pasojave të rënda të këtij fenomeni".

Kryeministri kërkoi nga ministria përkatëse dhe institucionet e lidhura me të, që ky të jetë viti i zgjidhjes përfundimtare, në vija të përgjithshme, të problemeve të pronësisë së pyjeve.

"Qeveria nuk do të mund të ketë më shumë se 10 % të pyjeve. U takon ju, së bashku me institucionet e varësisë të përzgjidhni këtë 10 % se cila do të jetë, por më shumë se kaq nuk mund të administrojë. Ky është një standard kudo në vendet e BE. Ky standard është që pyjet u përkasin komunave dhe bashkive",-tha kryeministri.

Kreu i qeverisë evidentoi se është shumë e rëndësishme gjetja e mekanizmave sa më të përshtatshme dhe transparente për privatizimin e pyjeve, por njëkohësisht edhe për mbrojtjen dhe zhvillimin e tyre, duke vendosur disiplinën më të fortë për menaxhimin.

Duke vlerësuar se çdo sipërfaqe toke në vendin tonë mund të shfrytëzohet për mbjellje, kryeministri theksoi se, "duhen bërë të gjithë përpjekjet për të zhvilluar konceptin e pyjeve me drurë frutorë.
(el.me/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›