Kryeministri Berisha: Qeveria do të bëjë gjithçka për të shndërruar kombinatin e Poliçanit në qendër të fuqishme të punësimit të banorëve të kësaj bashkie

- Fitorja në zgjedhje përbën një sukses për çdo njeri, por për qytetarët, më i miri, më i rëndësishmi është ai fitimtar që arrin që fitoren e tij ta shndërrojë në sukses dhe mirësi për të gjithë qytetarët. Ky është kandidati Çaush Qato.
Kryeministri Berisha ishte të shtunën paradite në Poliçan, ku në një takim me qytetarët vlerësoi dhe mbështeti kandidaturën e zotit Çaush Qato, si kryetar bashkie i këtij qyteti, përfaqësues i koalicionit “Aleanca për qytetarin”.
Kryeministri premtoi për qytetarët, se qeveria do të bëjë gjithçka për të shndërruar kombinatin e Poliçanit në një qendër të fuqishme të punësimit të banorëve të kësaj bashkie. “Ky proces, u shpreh kryeministri ka nisur me sukses të plotë. Sot janë rreth 460 punonjës që punojnë në këtë kombinat, nga vetëm 130 që ishin 6 muaj më parë. Ju garantoj se ky numër do të trefishohet në një kohë të shkurtër.”
Kryeministri tha se gjatë këtyre viteve në qarkun e Beratit janë ndërtuar 430 km rrugë, duke u zotuar se në 4 vitet që vijnë në bashkinë e Poliçanit do të ndërtohet dhe rindërtohet çdo rrugë e rrugicë e saj.
Duke garantuar qytetarët se qeveria do të mbështesë çdo projekt të kandidatit Çaush Qato, Kryeministri i ftoi ata të votojnë zotin Qato, si një mundësi reale për të transformuar Poliçanin, në një qytet modern.
Në fjalën e tij, kryeministri Berisha u shpreh:
Të dashur qytetarë të Poliçanit,
vëllezër dhe motra,
Së pari ju përshëndes vëllazërisht dhe shpreh kënaqësinë time që jam sot këtu tek ju, për të paraqitur kandidatin për qytetar të parë të bashkisë së Poliçanit, zotin Çaush Qato dhe tu siguroj ju, se qeveria shqiptare do të financojë çdo projekt tuajin hartuar me zotin Çaush Qato në territorin e kësaj bashkie. Për qeverinë shqiptare në këtë fushatë në epiqendër janë qytetari, interesat, vizioni, mundi, djersa përkushtimi i tij, ndaj dhe jam sot këtu për tu zotuar se qeveria do të bëjë gjithçka për të shndërruar kombinatin e Poliçanit, në një qendër të fuqishme të punësimit të banorëve të Poliçanit, të banorëve të kësaj bashkie. Ky proces ka nisur me sukses të plotë. Sot janë rreth 460 punonjës që punojnë në këtë kombinat, nga vetëm 130 që ishin 6 muaj më parë. Ju garantoj se ky numër do të trefishohet në një kohë të shkurtër.
Ky është projekti i Çaush Qatos për kombinatin e Poliçanit. Këtë projekt qeveria shqiptare e mbështet me të gjitha mjetet.
Vëllezër dhe motra,
Gjatë këtyre viteve, në qarkun e Beratit ne kemi investuar, kemi ndërtuar 430 km rrugë, janë këtu për zotuar para muajsh që 4 vitet që vijnë, në bashkinë e Poliçanit, do të investojmë, do të ndërtojmë, do të rindërtojmë çdo rrugë e rrugicë të kësaj bashkie.
Kemi ndërtuar në Berat 45 shkolla. Jam këtu për tu garantuar ju se në 4 vitet që vijnë, në qarkun e Beratit dhe në Poliçan do të ndërtojmë dhe rindërtojmë çdo shkollë, në parametrat më moderne.
Kemi ndërtuar një seri ujesjellsash, kanalizimesh, qendrash shëndetësore. Zotimi ynë solemn është në 4 vitet që vijnë, 24 orë ujë për të gjithë banorët e qarkut të Beratit. Berati qëndron në krye të përfitimit të subvencioneve të qeverisë, për fermat dhe fermerët. Janë subvencionuar 2000 ha blloqe të reja pemëtarie, kanë përfituar 5900 fermerë. Zotohem para jush se 4 vitet që vijnë do të subvencionohen 10 mijë ha dhe do të përfitojnë mbi 10 mijë fermerë. Vetëm në vitin 2011 parashikojmë të përfitojnë 1800 fermerë në një sipërfaqe prej 700 ha.
Vëllezër dhe motra,
Ne kemi qenë dhe jemi në një përpjekje të përbashkët për të ndryshuar çdo ditë, çdo muaj dhe çdo vit jetën tuaj. Kjo qeveri në një afat të shkurtër kohor, si asnjë qeveri tjetër në Evropë, në kulmin e krizës ekonomike, ia doli të dyfishojë të gjitha pensionet e ulëta, të dyfishojë rrogat e ulëta dhe rrogat e mesme. Rritja e rrogave dhe pensioneve është dhe mbetet një nga objektiva më të rëndësishme të qeverisë shqiptare.
Këto vite nuk kanë qene vite të lehta për shqiptarët, ishin vite në të cilat ne së bashku kemi realizuar ëndrra shekullore të kombit shqiptar. Së bashku me mund, djersë, sakrifica e reforma të thella ne ia dolëm që Shqipëria të shndërrohet në vend anëtar të NATO-s, të jetë vend më i sigurt se kurrë, më i besuar se kurrë ndonjëherë nga mbarë bota. Së bashku ne ia dolëm që nga njerëzit më të izoluar të planetit, ne sot lëvizim të lirë pa viza, në mbarë Evropën. Kjo është një arritje e jashtëzakonshme për ne. Së bashku ia dolëm që ekonominë më të falimentuar në Evropë ta shndërrojmë në ekonominë që kryeson rritjen ekonomike të kontinentit në tre vitet e fundit. Së bashku Shqipërinë e harruar në hartën e turizmit botëror, ia dolëm ta shndërrojmë këtë vit në destinacionin turistik të botës, pra ne mblidhemi në këtë shesh pasi kemi realizuar disa nga ëndrrat më të bukura për veten dhe fëmijët tanë. Ne mblidhemi në këtë shesh të sigurtë se arritje të tilla të mëdha, ne do të shënojmë gjatë 4 viteve që vijnë. Ne mblidhemi në këtë shesh të sigurt se 4 vitet që vijnë ekonomia shqiptare do të njohë zhvillime shumë të mëdha. Poliçani dhe Shqipëria do të jenë qytet i zhvilluar dhe vend i zhvilluar.
Ndaj dhe unë ju ftoj ju, në datën 8 maj të votoni për kandidatin e "Aleancës për qytetarin", zotin Çaush Qato. Keni votuar për veten tuaj, për punësimin tuaj, për urbanizimin e plotë të qytetit të Poliçanit.
Dhe njëherë ju garantoj se qeveria me përparësi absolute do të mbështesë çdo projekt të zotit Çaush Qato për transformimin e bashkisë së Poliçanit.
Fitorja në zgjedhje përbën një sukses për çdo njeri, por për qytetaret më i miri, më i rëndësishmi është ai fitimtar që arrin që fitoren e tij ta shndërrojë në sukses, në mirësi për të gjithë qytetarët, siç do bëjë kandidati Çaush Qato.
Ndaj dhe ju ftoj të urdhëroi pavarësisht nga bindjet politike, në shtëpinë e "Aleancës për qytetarin". Kjo është shtëpia juaj, është shtëpia e interesave tuaja, e fëmijëve tuaja, e familjeve tuaja. Për ne ju jeni të parët, fëmijët tuaj janë të parët, familjet tuaja janë të parët. Poliçani është i pari, Shqipëria është e para.
Rrofshi ju,
Rroftë Poliçani,
Rroftë Shqipëria
23/04/2011