E Diel, 1 Nëntor 2026

Kryeministri Berisha: Qeveria do të procedojë me rritjen e pagave dhe pensioneve Kryeministri i Shqipërisë, Sali Berisha, gjatë një mbledhje të Këshillit të Ministrave

Kryeministri Berisha rikonfirmoi sot se qeveria do të procedojë me rritjen e pagave dhe pensioneve. Duke folur në mbledhjen e qeverisë për këtë çështje, ai tha se kjo bëhet e mundur falë një disipline të fortë të përdorimit të buxhetit dhe reformës më të fundit të qeverisë, uljen së shpenzimeve nga heqja e automjeteve të mbi 3 mijë zyrtarëve. Sipas tij, ky është një vit, në të cilin, realisht, tregjet financiare evropiane janë në gjendjen më të vështirë, në një panik të vërtetë. “Por qeveria është e vendosur me një disiplinë të fortë të përdorimit të buxhetit. Ne kemi ngrirë si qeveri, si administratë 20 përqind të buxhetit që dërguam në parlament, përveçse për institucionet e pavarura, të cilave nuk u është ngrirë asnjë qindarkë, në rast se ecim në këtë mënyrë, por, në rast se na imponohet, edhe mund të detyrohem”, sqaroi Berisha. Ai tha se deri në vendimin e Qeverisë, institucionet e pavarura janë përjashtuar nga ngrirja e buxhetit, të cilin e kanë siç është votuar në parlament. “Ndërsa të gjitha ministritë, agjencitë e varura prej tyre e kanë minus 20 përqind, nga buxheti që është votuar. Dhe kjo do të mbahet”, deklaroi kreu i Qeverisë. Ai tha se praktika e rritjes së pagave është faktuar jashtëzakonisht pozitive për mbarë shoqërinë dhe në një kohë të shkurtër, u arrit të ngushtohet diferenca midis pagës mesatare dhe asaj maksimale, nga 12 në 6 herë. Por Kryeministri vuri në dukje edhe efektin qartësisht negativ që kjo ka pasur në sistemin e drejtësisë, duke i kërkuar ministrit të Drejtësisë të përcaktojë me Kryetaren e Gjykatës së Lartë rrugët për bonuse për gjyqtarët e gjykatës së Faktit dhe të Apelit, për të zvogëluar diferencën me pagat e gjyqtarëve të Gjykatës së Lartë.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›