PD apel kreut të socialistëve: Mos i detyro nënat të thonë atë që nuk ndjejnë Deputetja e PD, Albana Vokshi

Në një komunikim për mediat, deputetja demokrate Albana Vokshi, akuzoi kryesocialistin se është i vetmi njeri në botë, por edhe si kryetar Partie, që fut në grevë urie nëna me fëmijë “Z. Rama, nënat me fëmijë nuk futen në grevë urije. A mendon ti Z. Rama, qoftë edhe një herë të vetme, qoftë edhe një çast çfarë drame përjetojnë fëmijët e këtyre nënave? Ti Z. Rama nuk mund të kuptosh çfarë do të thotë përkujdesi dhe përgjegjësia për fëmijët. Vetëm ne nënat e dimë”, u shpreh Vokshi në një komunikim për mediat. Duke iu drejtuar kryesocialistit, ajo tha se “fëmija është gjëja më e shtrenjtë për çdo nënë në botë, prandaj asnjë nënë nuk ia fal atij dramën që po përjetojnë fëmijët e tyre”. Sipas saj, ata fëmijë që shohin nënat në burgun e rrugës po terrorizohen, edhe atij nuk do të t’ia falin këtë. “Nuk gjej dot emër tjetër për ty - Katil. Z. Rama mos i detyro nënat të thonë atë që nuk ndjejnë. Mos i mbaj nënat në burgun tënd të rrugës. z. Rama futja e nënave në grevë urie është e pafalshme. Vetëm ti mban përgjegjësi për jetën e tyre”, apeloi zyrtarja demokrate.