E Diel, 1 Nëntor 2026

Kryeministri Berisha: Qeveria do të rrisë fondet në mbështetje të prodhimeve bujqësore dhe agrobiznesit

Kryeministri Berisha vizitoi sot Panairin e produkteve bujqësore, “Agrobiznes 2007” . Në këtë panair ishin të ekspozuara prodhime kryesisht vendase, të firmave kosovare, si dhe të huaja.

Kryeministri vizitoi stendat ku u ndal dhe bisedoi me prodhues dhe tregtarë  për shqetësimet dhe problemet e tyre.

Duke përshëndetur organizatorët dhe pjesëmarrësit në panair, kryeministri shprehu kënaqësinë që shumica e prodhimeve shqiptare të paraqitura janë prodhime që kanë fituar çmime evropiane dhe botërore dhe kjo për meritën e madhe të fermerëve dhe përpunuesve të prodhimeve bujqësore në vend.

Kryeministri theksoi se eksporti i prodhimeve bujqësore vendase këtë vit ka njohur një rritje prej 15 %, ndërkohë që në të njëjtën shifër është ulur importi i prodhimeve të huaja, që do të thotë se janë rritur hapsirat e tregut për prodhimet vendase.

Kryeministri siguroi se fondi i përcaktur nga qeveria prej rreth 500 milion lekë për të mbështetur prodhimin bujqësor dhe agrobiznesin, do të dyfishohet  në buxhetin e ardhshëm, duke u shpërndarë në përputhje me kërkesat.

Ndër të tjera, Kryeministri u shpreh se këtë vit fermerët shqiptarë i kanë shitur prodhimet e tyre më mirë dhe më shumë se në 17 vitet e fundit, si dhe garantoi se vit pas viti, me krijimin e lehtësirave për fermerët, prodhimet vendase do të njohin shifra më të larta të tregtimit të tyre.

Më shumë nga Zyrtare

Të gjitha ›