Fjala e Kryeministrit Berisha në takimin me drejtues të pushtetit vendor
“Të nderuar qeveritarë vendorë të bashkive, komunave dhe qerqeve të vendit,
Zotërinj prefektë,
Së pari, dëshiroj t’ju përshëndes përzemërsisht dhe t’ju shpreh vlerësimin dhe mbështetjen e plotë për punën e rëndësishme që ju bëni në qeverisjen direkt të qytetarëve shqiptar, në përpjekjen tuaja për të përmbushur kërkesat dhe shërbimet ndaj tyre. Ju siguroj se qeveria, në një partneritet shumë të rëndësishëm me ju, mbetet e vendosur të bëjë çdo përpjekje ligjore në mënyrë që ju të mund t’u përgjigjeni plotësisht kërkesave të qytetarëve shqiptarë. Për qeverinë që unë drejtoj partneriteti me ju është kusht vendimtar dhe përcaktues për përmirësimin e qeverisjes në tërësi në këtë vend, për zbatimin e suksesshëm të politikave të zhvillimit dhe konsolidimin e përparësive të mëdha me të cilat përballet dhe duhet të përballet vendi.
Unë jam i vetëdijshëm se për ju, por ju siguroj po kaq edhe për ne, rëndësi të madhe ka decentralizimi. Ky është procesi i pushtetimit tuaj legjitim në të gjitha fushat dhe sektorët, për të cilët ju jeni përgjegjës direkt para qytetarëve të bashkive, komunave, rretheve dhe qarqeve tuaj. Këtë vit, ky proces ka njohur dy zhvillime të mëdha: së pari, me taksën e biznesit të vogël, të cilën po e administroni ju. Së dyti, me vendimin e fundit për ujësjellësit, që vendos në Shqipëri një praktikë, universalisht të njohur e të pranuar më eficente, të menaxhimit të furnizimit me ujë të qytetarëve.
Ju siguroj se në mënyrë të vazhdueshme i kërkoj llogari Ministrisë së Brendshme për shpejtimin e procesit të transferimit të pronave. Sipas Agjencisë së Transferimit të Pronave, gjatë dy viteve të fundit pronat e transferuara janë nga 20 në 80 për qind. Por absolutisht nuk jam aspak i kënaqur, sepse dua që pronat me shpejtësi të përfundojnë në autoritetin tuaj. Ndaj, zoti ministër, si edhe në të gjitha bisedat që kemi bërë, kërkoj që kjo Agjenci të kontraktojë punonjës të përkohshëm, në mënyrë që procesi i kthimit të pronave qeverisë vendore ta kompletojmë me shpejtësinë më të madhe.
Qeveritarët vendorë nuk mund të shfrytëzojnë të gjitha kompetencat ligjore, veçanërisht në partneritetin publik privat, në rast se nuk disponojnë pronat si alfa e këtij procesi. Unë ju siguroj se ky partneritet ka rëndësi të jashtëzakonshme për vendin dhe komunitetet që ju qeverisni. Ky partneritet, për një vend me buxhet modest si Shqipëria, shndërrohet në një levë të vërtetë arkimedi për mobilizimin e burimeve financiare private, për mobilizimin e sektorit privat në shërbime, ndërtim dhe të gjitha fushat. Ndaj kërkoj që t’i përcaktojmë kësaj Agjencie një afat kohor, jashtë të cilit nuk do të tolerohet më tutje.
Gjithashtu gradualisht do të shqyrtohet decentralizimi i shëndetësisë, arsimit dhe të gjitha funksioneve. Qeveria ka besim të plotë tek ju dhe kapacitetet tuaja. Ajo është e mendimit se vetëm duke ju dhënë mundësitë, ju mund të zhvilloni kapacitet e domosdoshme për një qeverisje efiçente në komunat dhe bashkitë ku qeverisni.
Në takimet që kam pasur me ju, informacionet fillestare janë se është përmirësuar ndjeshëm vjelja e taksës së biznesit të vogël. Kjo më gëzon, se nuk ka gjë më të rëndësishme. Natyrisht paratë në buxhet kanë rëndësi të madhe, por po kaq rëndësi ka lufta kundër informalitetit. Kjo luftë ka të bëjë me një nga parimet më themelore të të gjitha kushtetutave demokratike të botës, ka të bëjë me parimin e barazisë para ligjit dhe konkurrencën e ndershme. Një shtet duhet ta masë veten, më shumë se me çdo gjë tjetër, me parimet që mbron dhe konsolidon. Në këtë kontekst, duke shprehur vlerësimin tim për rezultatet që ju keni arritur, ju bëj thirrje të mos harroni se autoriteti qendror tatimor me bizneset që ju kontrolloni ka një problem, që janë sigurimet shoqërore. Nuk duhet që të regjistrojmë biznesin për taksën e biznesit të vogël dhe të injorojmë sigurimet shoqërore dhe numrin e punëtorëve, sepse kjo do të thotë të mos punojmë në sintoni me njëri tjetrin. Për të përmbushur këtë detyrë shumë të rëndësishme, nuk është e nevojshme që autoriteti qendror tatimor të shtojë organikën.
Unë ju garantoj se Shqipëria do të ketë nga buxheti qendror një nga përqindjet më të larta për qeverinë vendore. Ne e kemi rritur në 16.1 miliard dhe, nëse shtojmë edhe të ardhurat ato që morët me taksën e biznesit të vogël, realisht shkon në 20 miliard. Ne sërish do ta rrisim atë, sepse ju jeni faktuar investitorë kompetentë dhe kjo ka rëndësi të jashtëzakonshme për vendin.
Ne kërkojmë të bëjmë një përpjekje të madhe për taksën e pronës. Nuk mund të zhvillohet prona pa taksa. Kushti më elementar për zhvillimin e pronës është taksa. Taksa e pronës në Shqipëri është ndër më të ulëtat. Agjencitë publike kanë porosi të prerë t’ju ndihmojnë, mbi bazën e kontratave, në vjeljen e kësaj takse. Ju ftoj të gjeni të gjitha format. Në vende si i yni nuk ka peshën më të madhe në sistemin fiskal, por në vendet e zhvilluara kjo është taksa bazë në përqindjen e të ardhurave. Kërkoj nga ju që të bëni përpjekje të mëdha për vjeljen e saj. Në rast se nuk zhvillojmë dhe konsolidojmë kulturën e taksapagimit, ne nuk do të mund të jemi një shoqëri e lirë. Nëse lexoni historitë e demokracive të mëdha, momentet më madhështore në histori kanë nisur në përpjekjet për të gëzuar taksën, për të pasur vendin që duhet të kishin në përputhje me pagesën e taksës. Ndaj duhet ta marrim me seriozitetin më të madh. Nëse pyesni homologët tuaj në Europë se cila është taksa e pronës, ajo është në nivele të tillë për të cilat unë nuk jam. Ka vende ku është tre herë më e leverdishme ta marrësh me qira, sesa ta blesh. Ne nuk jemi për të kaluar në këto nivele, jemi për taksat e ulëta, por këtë taksë duhet ta mbledhim. Nuk është normale dhe është e papranueshme që të mbajmë qeveri vendore të falimentuara. Është normale që buxheti qendror të vijë tek ju për të krijuar shërbimet më të mira për qytetarët, për rrugët dhe shkollat, por nuk është aspak normale që me buxhetin qendror të mbajmë burokracinë e kjo, vetëm e vetëm, se qeverisja vendore nuk vjel taksën. Nga ana tjetër, ju siguroj se do t’i rishqyrtojmë me shumë seriozitet sanksionet e veçanta për mospërgjigje ndaj këtij detyrimi.
Së bashku ne kemi një sfidë shumë të madhe dhe ajo është reforma e pronësisë. Ju jeni të vetëdijshëm se çfarë problemi madhor është kjo reformë për komunitetet tuaja, shoqërinë dhe vendin në tërësi, për tregun, stabilitetin dhe ardhmen. Kjo reformë kërkon vullnet të qartë politik dhe përkushtim të madh. Çdo vit i kërkoj ministrit të Drejtësisë dhe Agjencisë përkatëse ta ndjekë me përkushtim të madh, por duhet të jemi të vetëdijshëm se asnjë agjenci, nëse ne nuk bashkojmë vullnetin tonë për ta kompletuar e finalizuar këtë reformë, nuk mund ta realizojë dot. Reforma e pronësisë nuk mund të jetë veçse reforma e të gjitha qeverive vendore, e qeverisë qendrore, gjykatave dhe të gjitha institucioneve. Secili prej nesh është i ftuar të bëjë me përkushtim detyrën e tij. Kam bërë një takim me kryetarët e qarqeve për formularin 6. Gjendja është jashtëzakonisht problematike. Imagjinoni të lëshohemi pas dublikatave, do të thotë të bëjmë me shpejtësi të gjithë atë që kemi bërë nëpërmjet një mekanizmi falsiteti të pafund. Ministria e Drejtësisë ka nxjerrë një udhëzim, i cili kërkon vërtetimin e njësisë me origjinalin. Ai nuk duhet të shkelet nga ju në asnjë rast. Sikundër duhet të përcaktohen të gjitha modalitetet për të plotësuar sa më shpejt arkivin me këtë formular bazë në të gjithë reformën e bazuar në ligjin 7501.
Komponent thelbësor i reformës së pronësisë është legalizimi. Për ju ka rëndësi të jashtëzakonshme të dini përkatësinë e pronësisë në territoret që ju qeverisni. Një hap i madh përpara u bë pas një takimi që zhvillova me drejtuesit e qarqeve. Janë rreth 100 mijë banesa të gatshme për të ardhur në KRRTRSH, por mbetetn probleme shumë të mëdha. Një nga problemet është konstituimi i këshillave të administrimit të territorit të bashkive e komunave. Ju garantoj se qeveria ka interes jetik për ndërtimin sa më shpejt të tyre dhe është e pafalshme mosngritja e tyre. Nuk besoj se ka forcë politike të painteresuar për ngritjen e tyre, as në qeveri dhe as në opozitë, sepse do të ishte gjëja më absurde. Por ndodhin sherre lokale, të cilat ju duhet t’i kapërceni me shpejtësi dhe t’i ngrini këto këshilla. Por nuk duhet t’i ngrini ato për të bllokuar. Anëtarëve të këshillave duhet të largojnë çdo koncept të bllokimit aty ku janë minorancë. Transparenca është tjetër gjë dhe duhet ta bëjmë, duhet të dimë qartësisht të gjithë mekanizmin, por bllokimi është i dënueshëm dhe i papranueshëm. Ju garantoj se ky është qëndrimi zyrtar dhe i pandryshueshëm i qeverisë. Ligji i ri i urbanistikës do t’i japë autoritetin dhe përgjegjësinë kryetarit të bashkisë apo komunës dhe ai duhet procedojë. Nuk mund të bllokojmë reformën e pronësisë dhe sektorin e ndërtimit që është motori kryesor i zhvillimit ekonomik të vendit për mosfunksionimin e këtyre këshillave.
Dëshiroj të ndalem edhe në çështjen e arsimit. Arsimi duhet të jetë çështja e parë në agjendën dhe prioritet e qeverisë qendrore dhe qeverive vendore. Ne kemi bërë këto dy vjet hapa shumë të rëndësishëm në drejtim të arsimit, në drejtim të mësuesit dhe të rritjes së investimeve, por pa angazhimin tuaj total dhe pa bashkërendimin me ju vështirë se do të ketë sukses. Reforma dhe investimi në arsim është i lidhur më shumë se çdo gjë tjetër me investimin për të ardhmen dhe për ne shqiptarët shumë më tepër, sepse ne jemi kombi më i ri në Europë. Për rrjedhojë asgjë nuk mund të jetë më përparësore për ne, se arsimi. Edhe qeveria qendrore edhe ju duhet ta nxirrni në krye arsimin, me aq sa keni mundësi, duke treguar se ju jeni në një valë me nevojat, kërkesat dhe shpirtin arsimdashës të qytetarëve shqiptarë. Bursat që jepen në vend janë qesharake. Ne i gjetëm 800 dhe këtë vit do të shkojnë në 1200. Bashkia e Tiranës, me Durrësin bashkë, mund të japin 1200 bursa për universitet apo dhe shkolla të mesme. Ne duhet ta shndërrojmë arsimin në përparësi të madhe, duhet të bëjmë që çdo nxënës ta dijë se në rast se arrin rezultate shumë të mira, por familja e tij nuk mundet, do të ketë mbështetjen e bashkisë, të komunës dhe qeverisë. E theksoj këtë në mënyrë të posaçme.
Jam i inkurajuar nga shkollat që kam vizituar. Të përparësojmë arsimin do të thotë përparësojmë edhe në drejtimet e tij dhe drejtimi profesional është shumë i rëndësishëm. Ne kemi qenë një vend me arsim profesional të shpërndarë në të gjithë Shqipërinë kryesisht me shkollat bujqësore, sepse Shqipëria ishte bujqësore. Këto shkolla ranë njëra pas tjetrës dhe ne sot kemi përqindjen më të ulët të nxënësve në shkollat profesionale. Qeveria është e gatshme të mobilizojë fonde, por ju duhet të bëni përpjekjet më të mëdha. Gjatë një vizite pune në Berat, vizitova një shkollë profesionale të shkëlqyer. Një shkollë polivalente, e bazuar në një koncept shumë të thjeshtë e të përshtatshëm. Për këtë i kam kërkuar ministrit të Arsimit të organizojë një seminar me drejtuesit vendorë tek ajo shkollë. Ne kemi edhe shkolla të tjera të mira si në Durrës, por shkolla të tilla duhet të kemi në çdo bashki të madhe. Duhet të marrim një vendim që në vitin 2008-2009 të fillojnë nga funksionimi. Ne do t’ju mbështesim, por nuk mund t’i hapim ato në të gjitha bashkitë tuaja, në rast se ju nuk e shndërroni këtë në çështje kryesore të punës suaj. Arsimi profesional është orientimi drejt tregut. Sot tregu shqiptar ka kërkesat e tij, por liberalizimi i lëvizjes së lirë do t’u japë mundësi këtyre të rinjve të punësohen aty ku mendojnë se paguhen më mirë, aty ku mendojnë se vazhdojnë jetën më mirë. Ndaj edhe në këtë kontekst, ne duhet të bëjmë çmos që të zhvillojmë arsimin profesional. Në vendet e BE-së raporti arsim profesional-arsim i përgjithshëm është rreth 50 për qind. Në Shqipëri ishte 17 dhe tani ka shkuar 20 për qind. Vitin e ardhshëm duhet të bëjmë një hop të madh cilësor në të gjitha aspektet, me profesione që i nevojiten ndërtimit, si motori kryesor i zhvillimit, por jo më pak i nevojiten bujqësisë, turizmit dhe shërbimeve. Ndaj ju ftoj së bashku të përparësojmë arsimin, të përparësojmë arsimin profesional, se në këtë mënyrë kemi bërë një gjë shumë të madhe për qytetet, fshatrat dhe vendin në tërësi.
Dua të ndalem edhe në çështjen e zbatimit të ligjit. Kjo ka të bëjë kryesisht me prefektët. Unë nuk mund të them se jam i kënaqur me qëndrimin e tyre ndaj ligjit. Ju bëj thirrje dhe kërkoj të qëndrojnë, mbështesin dhe bashkëpunojnë me të gjitha autoritetet e tjera vendore e qendrore për zbatimin e ligjit. Prej një viti e gjysmë i kam kërkuar Ministrisë së Brendshme të sjellë ligjin për prefektët, në mënyrë që ky ligj të shprehë frymën e dekoncentrimit. Dekoncentrimi është i domosdoshëm, sepse prefekti nuk mund të pushtetohet duke i marrë kompetenca kryetarit të bashkisë apo komunës, por duke i marrë kompetenca ministrisë së linjës. Ky është interesi madhor i qeverisë, i komunitetit dhe i autoriteteve vendore. Prefektët janë përgjegjës direkt për zbatimin e ligjit, vendimeve të qeverisë dhe përfaqësues direkt të Këshillit të Ministrave. Ligji për prefektët duhet të sillet sa më shpejt në qeveri dhe duhet të mishërojë frymën e dekoncentrimit, në të kundërt të themi se vendi nuk ka nevojë për prefektët. Në qoftë se drejtorët i emërojnë ministrat dhe ata ndjehen imunë ndaj urdhrave të prefektit, atëherë prefekti bëhet i panevojshëm. Krahas decentralizimit duhet të ecim me dekoncentrimin, si një kusht për përmirësimin e qeverisjes.
Së fundi, dua t’ju informoj se projekti për rrugët rurale po ecën. Ju siguroj se do të shpërndahet në të gjitha qarqet dhe nuk do të ketë qarqe të përjashtuara. Natyrisht duhet të ketë mirëkuptim, të përparësojmë zonat bujqësore për problemet që kanë për arritjen e tregut, pa i injoruar zonat e tjera. Ndaj, zotërinj kryetarë qarqesh, komunash e bashkish, do të jetë më funksionale të përcaktojmë përparësitë dhe të bëjmë projektet. Vendi ynë vuan për projekte më shumë sesa nga thatësira. Prandaj është e rëndësishme ta njohim këtë dhe të vendosim të gjithë potencialin tonë në projekte. Kohë kemi. Përdoreni këtë vjeshtë për qëllim, sepse projekti hyn në fuqi pranverën që vjen, pasi viti fiskal i Bankës Botërore filloi qershorin që kaloi dhe ka procedurën e vet. Ne po përpiqemi të krijojmë dhe fonde të tjera mbi të. Ky është projekt i madh që fillon me 400 milion, por që për t’u finalizuar do, të paktën, 4 miliard, sepse, sipas statistikave më solide, 88 për qind të rrugëve të këtij vendi janë të paasfaltuara. Por kjo nuk do të thotë të mos e fillojmë. Përkundrazi, do ta fillojmë me vendosmëri dhe nuk ka alternativë tjetër përveç sistemimit, rindërtimit dhe asfaltimit të tyre. Kushti kryesor janë projektet. Për këtë angazhoni arkitektë dhe studiot e projektimi. Ky është një rast i madh për të gjithë ekspertët shqiptarë dhe të huaj që të bëjnë projekte jo vetëm për vitin që vjen, por madje edhe për perspektivën. Në këtë mënyrë do të kemi projekte për rindërtimin e të gjitha rrugëve parësore e dytësore të vendit dhe financimi është absolutisht më i thjeshtë sesa projekti.
Duke ju falënderuar dhe siguruar se qeveria mbetet e angazhuar për një partneritet solid me ju, ju garantoj se dyert e qeverisë dhe të zyrave të saj do të jenë të hapura në mënyrë konstante, sikundër projektet tuaja do të konsiderohen, për çka i përket grantit, me përparësi të madhe.
Ju faleminderit.”