Kryeministri Berisha: Qeveria do të sjellë në qytetin e Kavajës të gjitha investimet për ta bërë atë njërin prej qyteteve më moderne të Shqipërisë
- Ia dolëm t’i japim Shqipërisë një emër të mirë në botë, Shqipëria në NATO, Shqipëria me kërkesën e paraqitur me konsensus të plotë për kandidate për anëtare në BE, Shqipëria më e mira në Ballkan, në dhjetëshen më të mirë në botë në luftën kundër korrupsionit, qeveria e Sali Berishës, kampione për reformat në luftën kundër korrupsionit, Shqipëria, e dyta në botë për klimë e biznesit.
Kryeministri Berisha zhvilloi sot pasdite një takim me banorë të qytetit të Kavajës. Në fjalën e tij, Kryeministri u shpreh:
“Kam ardhur sot këtu para së gjithash për t’u përulur me nderimin më të madh ndaj jush, me mirënjohjen më të thellë por edhe me krenarinë më të madhe, sepse ne së bashku ia dolëm që sot të mblidhemi në këtë shesh të fitores, si qytetarë të NATO-s, si Kavaja, Shqipëria, anëtare e Aleancës më të madhe të të gjitha kohërave. Ne shndërruam në realitet projektin tonë ëndërr, në këtë përpjekje të kombit shqiptar, për ju, qytetarë të Kavajës, burra dhe gra,, djem dhe vajza të këtij qyteti të bekuar, qyteti në krye të përpjekjes kombëtare për liri, dinjitet dhe demokraci.
Sot mblidhemi këtu jo vetëm si qytetarë të një vendi anëtarë të NATO-s, por mblidhemi këtu si qytetarë të një vendi që ka aplikuar për anëtarësim në Bashkimin Europian, mblidhemi këtu si qytetarë të një vendi që brenda vitit të parë të mandatit tonë të dytë, do të realizojë lëvizjen e lirë të qytetarëve të saj në mbarë Europën.
Unë dua t’ju shpreh gjithashtu mirënjohjen për mbështetjen e madhe që më keni dhënë, të shpreh krenarinë time që sërish do t’ju përfaqësoj ju dhe mbarë shqiptarët në parlamentin e ardhshëm.
Duke ardhur këtu, unë kam bërë analizën e investimeve në Kavajë dhe gjej një bilanc realisht pozitiv. Në Kavajë, gjatë këtyre katër viteve, në qytet, në komuna, ne kemi investuar 5 miliardë e 800 milionë lekë. Socialistët investuan gjithsej 180 milionë lekë. Pra, ne kemi investuar 25 herë më shumë. Por, unë jam i bindur se ju meritoni jo 5 miliardë e 800 milionë, por 58 miliardë. Në këto katër vite ne kemi asfaltuar në qytetin e Kavajës dhe në komunat e saj 160 kilometra rrugë. Zotimi im para jush është se, në katër vitet që vijnë, nuk do të ketë më pëllëmbë rrugë ne këtë qytet të pa asfaltuar. Në këto vite ne kemi investuar në përpunimin e ujërave të zeza; ndërtuam ujësjellësin e Manskurisë. Jam këtu për t’u zotuar se brenda gjysmës së parë të mandatit të dytë, Kavaja, ky qytet i bekuar, do të ketë 24 orë ujë të pijshëm.
Në katër vitet që vijnë, Kavaja, e cila e ka shpitin sportdashës më të madh se çdo qytet tjetër, do të ketë stadiumin e lojërave me dorë, ndër më të bukurit në Shqipëri. Kavaja po përfundon edhe ndërtimin e Pallatit të Kulturës. Unë ju jap fjalën se qeveria do të sjellë në këtë qytet të gjitha investimet për ta bërë atë njërin prej qyteteve më modern të Shqipërisë.
Jam i bindur se secili prej jush ndihet sot në këtë shesh më krenar, më i lehtësuar se asnjëherë, sepse në këto katër vite të mandatit ne ia dolëm të shënojmë në Shqipëri ndryshimet më të mëdha se asnjëherë më parë. Ia dolëm t’i japim Shqipërisë një emër të mirë në botë, Shqipëria në NATO, Shqipëria me kërkesën e paraqitur me konsensus të plotë për kandidate për anëtare në Bashkimin Europian, Shqipëria më e mira në Ballkan, në dhjetëshen më të mirë në botë në luftën kundër korrupsionit, qeveria e Sali Berishës, kampione për reformat në luftën kundër korrupsionit, Shqipëria, e dyta në botë për klimë e biznesit. Këto nuk janë deklaratat e mia, nuk janë deklaratat tuaja, por janë deklaratat e institucioneve më serioze në botë. Këto deklarata dhe vlerësime mos mendoni se na janë bërë për favor. Jo dhe jo. Unë, ashtu sic ju e dini qarkulloj kudo në botë dhe në çdo takim botëror unë kam një deklaratë; ne kërkojmë të vlerësohemi mbi bazën e meritës sonë, ne nuk kërkojmë asgjë më tepër dhe nuk do të kërkojmë kurrë atë që nuk na takon.
Por ne ia dolëm ta ndryshojmë me aq shpejtësi këtë vend në katër vite, saqë, njëri prej bankierëve më të mëdhenj të Austrisë dhe Europës, në një takim do tú deklaronte të pranishmëve se për të, si austriak, këto katër vite të zhvillimit të Shqipërisë janë të pabesueshme, janë të paimagjinueshme. Kjo ndodh sepse nuk është kollaj e besueshme t’i thuash tjetrit se në Kavajë kemi asfaltuar, rindërtuar apo ndërtuar 160 kilometra rrugë dhe në tërë Shqipërinë rreth 6 mijë kilometra rrugë. Sepse nuk është lehtësisht e besueshme t’i thuash tjetrit se në Shqipëri kemi dyfishuar pensionet për 170 mijë pensionistë në fshat dhe kemi rritur me 50-70 për qind pensionet ne qytet. Nuk është lehtë e besueshme t’u thuash të tjerëve se kemi dyfishuar rrogat e 44 mijë arsimtarëve, 60 mijë infermierëve, 6 mijë mjekëve. Ne i kemi bërë të gjitha këto realitete, pikërisht sepse ne shembëm muret e korrupsionit dhe të krimit, pikërisht sepse ne shndërruam Shqipërinë në një vend të sigurt. Të tjerët u mahnitën, na vlerësuan dhe hapën dyert e NATO-s, hapën dyert e Europës, do t’i hapin gjithnjë e më shumë ato për shqiptarët.
Ky qytet është djep demokracie, ky qytet është djepi i mençurisë demokratike, ndaj unë ju bëj thirrjen më vëllazërore; t’i bëjmë këto zgjedhje, më të bukurat, më të lirat, më të ndershmet, për të nderuar në radhë të parë sakrificën tonë, për të nderuar dinjitetin tonë, të fëmijëve tanë, fytyrën, nderin tonë para vendit dhe Europës. Ndaj dhe le t’i marrim të gjithë letërnjoftimet e reja, të shkojmë të gjithë në votime.
Vëllezër e motra.
Opozita është në pikën e saj më të çoroditur se kurrë ndonjëherë. Ajo po rend sot nëpër Shqipëri si njeriu pa kokë. Ndaj unë dua t’i bëj thirrje Edi Ramës; lëshoje karrigen e bashkisë së Tiranës, shko dhe regjistrohu si kandidat për deputet. Nëse ti do, mbledhim sërish parlamentin, ndryshojmë ligjin dhe dil në krye të garës elektorale, dil dhe priju anëtarëve dhe mbështetësve të tu, sepse kështu e do rregulli, kështu e do burrnia, kështu e do pluralizmi, kështu e do Shqipëria, kështu e do demokracia. Mos u fshih më pas karriges së bashkisë sepse po turpëron vendin. Ndaj, deklaro që do të regjistrohesh si kandidat dhe ne thërrasim parlamentin, ndryshojmë ligjin dhe në këtë mënyrë dil në shesh.
Zgjedhjet do të jenë të lira, të ndershme, Kavaja do të fitojë, do të fitojë Shqipëria. Në 28 qershor , ju bëj thirrje, votoni për Sali Berishën, për Kavajën për Shqipërinë.
27/05/2009