Kryeministri Berisha merr pjesë në ceremoninë e 5 vjetorit të Raiffesien Bank ne Shqipëri
- Presidenti i Bordit Drejtues të Raiffeisen Bank, Dr. Herbert Stepic: Shqipëria ka bërë një progres të jashtëzakonshëm dhe është i vetmi vend në Europën Juglindore me një zhvillim tepër të qëndrueshëm, me një monedhë shumë të qëndrueshme
Kryeministri Sali Berisha mori pjesë, sot pasdite, në ceremoninë e 5 vjetorit të aktivitetit të Raiffeisen Bank në Shqipëri. Në këtë ceremoni ishin të pranishëm, Presidenti i Bordit Drejtues të Bordit të Raiffeisen Bank, Dr. Herbert Stepic, Drejtori i Përgjithshëm i Raiffeisen Bank në Shqipëri, z.Oliver J.Whittle, Guvernatori i Bankës së Shqipërisë z. Ardian Fullani, personalitete të institucioneve ndërkombëtare financiare në Shqipëri, përfaqësues të bankave dhe sipërmarrjeve të ndryshme në Shqipëri, etj.
Presidenti i Bordit Drejtues të Bordit të Raiffeisen Bank, Dr. Herbert Stepic vlerësoi në fjalën e tij përshëndetëse se Shqipëria, në këto vite të aktivitetit të Raiffeisen Bank në Shqipëri, ka bërë progres të dukshëm, duke theksuar se Raiffesin Bank ka kontribuar dhe do të vazhdojë të kontribuojë në procesin e transformimit të industrisë bankare në Shqipëri. “Shqipëria ka bërë një progres të jashtëzakonshëm dhe është vetmi vend në Europën Juglindore me një zhvillim tepër të qëndrueshëm, me një monedhë shumë të qëndrueshme, me një interes relativisht të ulët, inflacion të ulët për një treg në zhvillim, ndërkohë që pjesa tjetër e Evropës ndodhet në një krizë financiare”, theksoi z. Stepiç.
Presidenti i Bordit Drejtues të Bordit të Raiffeisen Bank, Dr. Herbert Stepic, shprehu vlerësimin e madh për punën dhe përkushtimin e Kryeministrit Berisha në këtë progres të madh të vendit dhe siguroi se Raiffeisen Bank do të vazhdojë bashkëpunimin dhe kontributin e saj në zhvillimin e tregut bankar shqiptar. Ai nënvizoi se Austria ka qenë një aleat shumë i ngushtë për Shqipërinë dhe shqiptarët në shumë momente të rëndësishme të zhvillimit dhe integrimit euroatlantik të Shqipërisë, duke siguruar mbështetjen e saj edhe në vazhdim për integrimin europian të vendit.
Nga ana e tij, Kryeministri Berisha shprehu mirënjohjen e qeverisë shqiptare për gjithë mbështetjen që Raiffeisen Bank i ka bërë ekonomisë shqiptare dhe tregut bankar në Shqipëri. Në këtë kontekst, Kryeministri i bëri një apel gjithë sistemit bankar në Shqipëri që të mos ndikohet nga kriza e përgjithshme financiare botërore. “Unë i ftoj bankat që, në përputhje me realitetin shqiptar, të kreditojnë, të kreditojnë, të kreditojnë. Në mënyrë absolute, të gjithë treguesit e ekonomisë shqiptare janë optimist dhe në rast se ju, nuk ndikoheni nga kriza financiare botërore, e cila edhe ajo po kalon tashmë, ju do të keni këtu përfitimet më të mëdha me kreditimet tuaja”.
Kryeministri Berisha siguroi se në katër vitet që vijnë, ndryshimet dhe zhvillimi në vend, do të jetë 4 herë më i madh. Katër vitet që vijnë janë vitet e mundësive të mëdha për sistemin bankar në Shqipëri. Në këtë drejtim, Kryeministri përmendi hapat e ndërmarrë nga qeveria, veçanërisht në fushën e investimeve të mëdha në sistemin energjetik në vend, duke përmendur këtu se qeveria, gjatë vitit të fundit, ka firmosur mbi 5 miliardë euro investime në fusha të cilat janë më premtuese për tregun, kryesisht në fushën energjetike. Gjithashtu, Kryeministri tërhoqi vëmendjen për potencialin e jashtëzakonshëm turistik që ka Shqipëria, si dhe u fokusua në vëmendjen e qeverisë për zhvillimin e infrastrukturës rrugore në vend.
Në fjalën e tij, ndër të tjera, Kryeministri u shpreh:
“Kohërat e zgjedhjeve janë kohërat më të ngjeshura me aktivitete, por përvjetorët e tillë si ky i Raiffeisen Bank nuk mund të mos kenë përparësinë që meritojnë.
Ne kremtojmë sot këtu një ngjarje shumë të madhe për Shqipërinë; instalimin e Raiffeisen Bank në Shqipëri, e cila në një hark kohor 5-vjeçar është sot banka më e rëndësishme e vendit, me një portofol prej 700 milionë euro kredi dhe një treg prej 27 për qind të të gjithë vendit.
Raiffeisen Bank u shndërrua në një promotor të këtij transformimi të madh që Shqipëria ka pësuar gjatë këtyre viteve. Ajo ka shtrirë degët e saj në të katër anët e vendit, ka fituar një besim të madh tek biznesi dhe tek qytetarët shqiptarë, ka rritur në mënyrë të jashtëzakonshme produktet e saj, ofron shërbime të shkëlqyera qytetarëve dhe biznesit shqiptar.
Dr. Stepiç, ju e vutë theksin tek ndryshimi i madh i Shqipërisë. Unë dua t’ju garantoj është se në katër vitet që vijnë, këto ndryshime do të jenë 4 herë më të mëdha. Unë jam njeri që i shoh ëndrrat e mia gjithnjë realitet, për arsyen e vetme se unë nuk shoh kurrë ëndrra natën, por unë punoj shumë që ëndrrat e ditës t’i realizoj. Katër vitet që vijnë janë vitet e oportuniteteve të mëdha për sistemin bankar në Shqipëri. Qeveria ime, gjatë vitit të fundit, ka firmosur mbi 5 miliardë euro investime në fusha të cilat janë më premtuese për tregun, kryesisht në fushën e energjisë elektrike. Dje ne inauguruam fillimin e punimeve të hidrocentralit të Ashtës. Në 8 qershor, ne inaugurojmë fillimin e punimeve për projektin më të madh në Evropë në fushën e hidro-energjisë, Kaskadën e Devollit, e cila ka një investim prej mbi 1 miliardë euro. Por, krahas këtyre dy projekteve, janë edhe 102 hidrocentrale të tjera, kontratat e të cilave janë finalizuar dhe kanë filluar, po fillojnë dhe do të fillojnë ndërtimin, ndërkohë që 300 të tjera janë në studim e sipër të projekteve.
Ky vend, në 10 vjetorin e Raiffeisen Bank, do të jetë afër të qenit një superfuqi energjetike në rajon. Unë përmenda këtu ujërat e vendit, por potencialet e tjera të vendit janë edhe më të mëdha, si në fushën turistike. Nuk ka potencial turistik më tërheqës në Europë, për t’u zhvilluar. Është e vërtetë që bregu, por edhe Alpet tona nuk janë aq të larta sa Alpet e Austrisë, por në disa aspekte, duke qenë se unë i kam vizituar Alpet e të dy vendeve, do të thosha se do të investoja më parë në Alpet e Shqipërisë, pasi ato janë terrene të virgjra. Ne do të çojmë në to infrastrukturën e nevojshme.
Në këto katër vite, në kemi ndërtuar dhe kemi në ndërtim e sipër 5 mijë kilometra rrugë, 7 mijë të tjera do ndërtohen në vitet që vijnë. Shqipëria, në katër vitet që vijnë do të ketë rrjetin rrugor më të ri dhe ndër më modernët në Europë.
Në këtë kontekst, ne vlerësojmë dhe llogarisim shumë bashkëpunimin me ju. Ne ju jemi mirënjohës për gjithë mbështetjen që ju i bëni ekonomisë shqiptare, por unë kam një apel për të gjithë sistemin bankar në Shqipëri; të mos ndikohet nga kriza e përgjithshme financiare botërore. E them këtë gjë, sepse unë vij nga fusha e mjekësisë dhe e di që ka të sëmurë dhe ata patjetër që duhen mjekuar, por keqardhje më të madhe më ndillnin ata njerëz që nuk ishin të sëmurë por bënin si të tillë.
Prandaj, unë i ftoj bankat që, në përputhje me realitetin shqiptar, të kreditojnë, të kreditojnë, të kreditojnë. Në mënyrë absolute, të gjithë treguesit e ekonomisë shqiptare janë optimist dhe në rast se ju, nuk ndikoheni nga kriza financiare botërore, e cila edhe ajo po kalon tashmë, ju do të keni këtu përfitimet më të mëdha me kreditimet tuaja. Unë pres, zoti Stepic, që ju, Raiffeisen Bank, të udhëhiqni këtë proces.
Edhe njëherë urimet e mia më të përzemërta”.
26/05/2009