E Diel, 1 Nëntor 2026

Kryeministri Berisha: Qeveria do të vazhdojë të bëjë çdo përpjekje që qyteti i Shkodrës të ketë infrastrukturën më moderne

Kryeministri Berisha inauguroi sot përfundimin e punimeve të rrugës hyrëse të qytetit të Shkodrës, investim i buxhetit të shtetit me vlerë 120 milionë lekë. 
Duke shprehur bindjen se kjo është hyrja që qyteti i Shkodrës meriton, Kryeministri Berisha garantoi qytetarët e Shkodrës se qeveria do të vazhdojë të bëjë çdo përpjekje që ky qytet të ketë infrastrukturën më moderne.

Në këtë kontekst Kryeministri theksoi se së shpejti do të nisë investimi në autostradën që lidh Shkodrën me Podgoricën, të cilën e vlerësoi si jetike për Shkodrën dhe mbarë vendin.        

Gjithashtu, Kryeministri informoi qytetarët e Shkodrës se Ministria e Punëve Publike, Transportit dhe Telekomunikacionit së shpejti do të nisë projektin për të shndërruar në një autostradë me 4 korsi rrugën Shkodër-Lezhë, duke garantuar se Shkodra dhe Vlora do të jenë dy qytetet që do të lidhen me autostrada me katër korsi me kryeqytetin.

Duke iu referuar ndryshimeve të mëdha që ka bërë vendi, Kryeministri Berisha shprehu besimin për fitoren e një mandati të dytë në zgjedhjet parlamentare të qershorit. “Ne po ecim drejt mandatit të dytë, mandatit të fitores. Ne vijmë sot tek ju krenarë, sepse kemi mbajtur premtimet tona. Në këto katër vite Shqipëria ka ndryshuar më shumë se kurrë, në këto katër vite Shkodra ka ndryshuar dhe ka marrë jetë të vërtetë më shumë se në të gjitha vitet pas rënies së ‘Perdes së Hekurt’ deri më sot”, theksoi Kryeministri.

Duke përshëndetur përzemërsisht qytetarët e Shkodrës, Kryeministri i garantoi ata se qeveria do të zbatojë pikë për pikë programin e saj dhe në mandatin e dytë do të bëjë 8 herë më shumë se këto katër vite që lamë pas.

Gjatë këtij takimi Kryeministri Berisha i bëri thirrje kryetarit të Partisë Socialiste Edi Rama, t`i kërkojë falje Shkodrës për krimet kundër njerëzimit të kryera nga regjimi barbar komunist.        

 
Në fjalën e tij gjatë takimit me qytetarë të Shkodrës, Kryeministri Berisha u shpreh: 

"Së pari, bashkë me ju shpreh bindjen dhe kënaqësinë më të madhe që Shkodra, qyteti juaj, bëhet sot me një hyrje të re, hyrje të merituar.

Unë jam sot këtu për t`u zotuar se qeveria ka bërë dhe do të bëjë çdo përpjekje që Shkodra të ketë infrastrukturën më moderne. Ky është një ndër qytetet që aktualisht ka furnizimin më të mirë me ujë, por ju garantoj se shumë shpejt do nisë investimi në autostradën që lidh Shkodrën me Podgoricën. Kompania fituese është shpallur dhe pritet vetëm Nulaosta e autoriteteve italiane, të cilat dua t`i falenderoj me mirënjohejn më të thellë për financimin që kanë parashikuar, së bashku me buxhetin e shtetit, për këtë austrodatë jetike për Shkodrën dhe për mbarë vendin në tërësi.

Gjithashtu, dua t`ju infiormoj ju dhe gjithë Shkodrën se Ministria e Punëve Publike së shpejti nis projektin për të shtruar një autostradë me 4 korsi rrugën Shkodër-Lezhë. Shkodra dhe Vlora do të jenë dy qytetet, të cilat do të lidhen me një autostradë të re me katër korsi.
Kompani serioze po punojnë për projektin e bypass-it të Shkodrës. Sapo të përfundojë projekti, kjo hyrje e mrekullueshme do të degëzohet në dy drejtime; njera lidhet me bypass-in dhe do të bashkohet me autostradën jashtë qytetit , tjetra do të hyjë në qytet, në mënyrë që të parandalohet trafiku i madh dhe ndotjet e pasojat për mjedisin në qytetin tuaj.

Ne po ecim drejt mandatit të dytë, mandatit të fitores. Ne vijmë sot tek ju krenarë, sepse kemi mbajtur premtimet tona. Në këto katër vite Shqipëria ka ndryshuar më shumë se kurrë, në këto katër vite Shkodra ka ndryshuar dhe ka marrë jetë të vërtetë më shumë se të gjitha vitet pas rënies së ‘Perdes së Hekurt’ deri më sot.

Por unë sot shfrytëzoj këtë moment për t`i bërë thirrje zotit Edi Rama që ai t`i kërkojë të falur Shkodrës, sepse nuk pranon të dënojë krimet kundër njerëzimit që sistemi barbar komunist ka kryer në mbarë vendin në tërësi, por në Shkodër në veçanti. Zoti Rama, ato krime janë shekuj dhe mijëvjeçarë jetë dhe rini të këputura, ato krime janë tortura çnjerëzore të qindra e qindra qytetarëve të këtij qyteti!  Z. Rama, ato krime janë arrestime, internime e qindra e mijëra grave dhe fëmijëve të këtij qyteti martir.

Unë të shtroj pyetjen: Si ka mundësi, ti që në vitet `90 erdhe në këtë qytet dhe themelove partinë opozitare të KIS-it, parti e cila, fund e krye, si platformë kishte dënimin e sistemit komunist. Por, çfarë ndodhi me ty? Eja në Shkodër e kërko të falur, bashkohu me dënimin e krimeve monstruoze të komunizmit.
Do të dal nga gjuha zyrtare në këtë moment dhe do të theksoj se; në rast se edhe ti nuk je i mjeruar, pra me vrimë që në rini, ashtu siç po thonë, dëno krimet kundër komunizmit, përndryshe do më bësh të besoj se je i tredhur në rininë tënde dhe ky s`është faji im.

Ai shkonte një ditë në Gruemirë dhe ju thoshte: Dëgjoni vëllezër se, po fitoi edhe kësaj here Sali Berisha, gjenerata ime ka marrë fund. Por më duket se ka marrë fund në rininë tënde, z. Rama, ti nuk ke pasur rini me këto që bën..

Edhe njëherë ju përshëndes përzemërsisht dhe ju jap fjalën se programin tonë do ta zbatojmë pikë për pikë dhe në katër vitet që vijnë do të bëjmë 8 herë më shumë se këto katër vite që lamë pas".          
 
 
. 


26/01/2009

Më shumë nga Zyrtare

Të gjitha ›