Kryeministri Berisha: Linja e interkonjeksionit Tiranë-Podgoricë garanton furnizimin e stabilizuar me energji elektrike
Shqipëria po bën të gjitha përpjekjet për t`u shndërruar në një vend jo vetëm furnizues konstant e i rregullt i konsumatorëve të saj, por edhe në një eksportues të rëndësishëm të energjisë në rajon dhe më gjerë.
Kryeministri Berisha inspektoi sot punimet për ndërtimin e linjës 400 kv të interkonjeksionit Tiranë-Podgoricë në komunën e Koplikut të rrethit të Shkodrës.
Kryeministri Berisha e cilësoi ndërtimin e kësaj linje si jashtëzakonisht të rëndësishme për garantimin e stabilizuar të furnizimit me energji elektrike dhe për lirinë e tregut.
“Sot erdha për të inspektuar përparimin e madh që ka bërë ndërtimi i kësaj linje, e cila lidh Tiranën me Podgoricën, një linjë jashtëzakonisht e rëndësishme që do t`i japë tone të reja lirisë së tregut në të dyja vendet tona, do të garantojë një furnizim të stabilizuar me energji të të dy vendeve, por edhe një kontribut të madh në të gjithë rajonin”, u shpreh Kryeministri Berisha.
Duke i shprehur mirënjohjen më të thellë qeverisë gjermane dhe Kancelares Merkel, Kryeministri Berisha përgëzoi Bankën Gjermane për Zhvillim (KfV) për këtë projekt të mrekullueshëm. Gjithashtu, Kryeministri shprehu mirënjohjen e thellë ndaj qeverisë italiane, e cila ka financuar ndërtimin e segmentit tjetër të kësaj linje, Tiranë-Elbasan.
“Dua të falenderoj drejtuesit e kompanisë, inxhinierët e saj, punonjësit shqiptarë, të cilët deri tani kanë ngritur bazamentin e rreth 180 shtyllave dhe kanë ndërtuar mbi 70 shtylla. Ata po aplikojnë një teknologji shumë solide, po hedhin bazat e fillimit të ndërtimit të linjës tjetër, e cila do të jetë Tiranë-Prishtinë”, tha Kryeministri.
Në këtë mënyrë, vlerësoi Kryeministri Berisha, Shqipëria po bën të gjitha përpjekjet për t`u shndërruar në një vend, jo vetëm furnizues konstant e i rregullt i konsumatorëve të saj, por edhe në një eksportues të rëndësishëm të energjisë në rajon dhe më gjerë. “Siç e shikoni, Shqipëria po ndryshon. Ne ecim të sigurtë drejt mandatit të dytë. Zotërisë që numëron ditët më duhet t`i them; mos i numëro ditët, por numëro edhe orët, sepse absolutisht ato po shkojnë drejt asaj date në të cilën ti, lutju Zotit të mbetesh kryetar i partisë së Bashkisë së Tiranës. Lutu, sepse as atë nuk e ke të sigurtë, sepse je i vetmi kryetar bashkie në Europë buxhet-humbur. Sidoqoftë numëroji mirë ditët, mos i harro”, tha Kryeministri.
Kryeministri Berisha shprehu edhe njëherë mirënjohjen ndaj qeverisë gjermane dhe ambasadës gjermane në Tiranë për dhjetëra e dhjetëra projekte të mëdha që shtrihen nga Saranda deri në Kukës, në të gjitha nevojat më themelore të qytetarëve shqiptarë, projekte të cilat janë zbatuar me përpikmëri dhe efiçencë të madhe. Këto projekte, vlerësoi Kryeministri, kanë dhënë një kontribut të madh në ndryshimin për mirë të jetës së qytetarëve shqiptarë, për ndryshimin e Shqipërisë.
Nga ana e tij, Zëvendësambasadori gjerman në Tiranë, Jan Rudolph, vlerësoi se ky investim përbën një moment të jashtëzakonshëm të bashkëpunimit shqiptaro-gjerman. Tashmë është e qartë, tha Zëvendësambasadori Rudolph se Shqipëria dhe Gjermania janë partnerë të besueshëm, të cilët mbajnë premtimet e njëri-tjetrit dhe, në sajë të këtij bashkëpunimi, janë arritur rezultate konkrete në të mirë të qytetarëve. Gjermania, u shpreh Z. Rudolph, është një ndër donatorët më të rëndësishëm të Shqipërisë, duke evidentuar faktin se në asnjë vend të botës Gjermania nuk ka dhënë një ndihmë kaq të madhe për frymë të popullsisë sikurse në Shqipëri. Zëvendësambasadori Rudolph tha se deri tani Gjermania ka dhënë 800 milionë euro asistencë për Shqipërinë, në kuadër të këtij bashkëpunimi, ndërkohë që në muajin tetor të vitit te shkuar, me gjithë krizen financiare që përfshiu mbarë botën, po në kuadrin e bashkëpunimit Shqipëri-Gjermani, janë premtuar për 2 vjecarin e ardhshëm 90 milionë euro. Duke shprehur vendosmërinë e qeverisë gjermane për vazhdimin e këtij bashkëpunimi, Zëvendësambasadori Rudolph tha se Gjermania do të vazhdojë të mbështesë fuqimisht procesin e integrimit të Shqipërisë në NATO dhe BE.
Ndërtimi i linjës 400 kv Tiranë-Podgoricë financohet nga Republika Federale e Gjermanisë nëpërmjet Bankës Gjermane për Zhvillim (KfV). Punimet filluan në tre mujorin e fundit të vitit 2007 dhe përfshijnë ndërtimin e 155 km linjë të transmetimit Tiranë-Podgoricë dhe ndërtimin e nënstacioneve në Podgoricë dhe Elbasan.
Gjatë këtij inspektimi ishin të pranishëm Kryetarja e Kuvendit, Jozefina Topalli, Ministri i Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjetikës Genc Ruli, Zëvendësambasadori gjerman në Tiranë, Jan Rudolph, Drejtoresha e KfV-së në Tiranë, Ute Rotrian, deputetë të zonës dhe përfaqësues të pushtetit vendor.
26/01/2009