Kryetarja e Kuvendit pret në takim delegacionin e parlamentit të Bullgarisë.
Kryetarja e Kuvendit të Shqipërisë, Jozefina Topalli priti sot në takim delegacionin e Komisionit për Çështjet Europiane të Parlamentit të Bullgarisë, kryesuar nga Mladen Cervenjakov.
Zoti Cervenjakov vlerësoi hapat e shpejta të bëra nga Shqipëria në procesin e integrimit dhe reformat e mëdha të miratuara nga parlamenti shqiptar.
"Ne e shohim si shumë të favorshëm këtë moment për afrimin e Shqipërisë me BE-në, tha ai, dhe për këtë mund të mbështeteni plotësisht te përkrahja e Bullgarisë."
Rritja ekonomike në Shqipëri është tregues i një stabiliteti të fortë dhe do të dëshironim që në gjurmët e traditës së marrëdhënieve mes dy vendeve, të forconim bashkëpunimin ekonomik. Do të ishte në interesin tonë, vijoi ai, një rritje e numrit të investitorëve bullgarë në Shqipëri."
Duke rikujtuar vizitën e fundit të Kryetares së Kuvendit të Shqipërisë në Bullgari, zoti Cervenjakov theksoi se: "Kjo vizitë në ditën e ratifikimit të protokollit të NATO-s nga Bullgaria ishte shumë e frytshme dhe fjalimi juaj bëri një impresion të madh në parlamentin Bullgar. "
Biseda më tej u ndal gjerësisht edhe në bashkëpunimin konkret për nxitjen e projektit të Koridorit 8, si një nga projektet prioritare që do të sillte një zhvillim jo vetëm infrastrukturor por mbi të gjitha ekonomik për të gjithë tregun rajonal.