E Diel, 1 Nëntor 2026

Kryeministri Berisha: Qeveria e vendosur për zgjerimin e mundësive të fëmijëve shqiptarë për arsimim

Kryeministri Berisha mori pjesë sot në ceremoninë e përurimit të fillimit të punimeve për ndërtimin e shkollës 9-vjeçare në periferi të qytetit të Kavajës.

Në këtë ceremoni ishin  të pranishëm kryetari i Bashkisë së Kavajës, Refik Rrugija, deputetë të zonës dhe drejtues të tjerë të pushtetit lokal.    

Kryeministri Berisha në fjalën e tij uroi qytetarët e Kavajës për hedhjen e themeleve të kësaj shkolle të re në një zonë të re të Kavajës, e cila po legalizohet dhe urbanizohet çdo ditë me sukses të plotë.    

Kryeministri u ndal veçanërisht në përpjekjet dhe arritjet e qeverisë në fushën e arsimit, duke nënvizuar rritjen e ndjeshme të pagave për arsimtarët, dhe në projektin për shtrirjen e internetit në të gjitha shkollat e Shqipërisë deri në fund të vitit 2008.

“Gjatë këtyre dy viteve ne kemi bërë përpjekje të mëdha për arsimin, kemi rritur në mënyrën më të ndjeshme rrogat për mësuesit tuaj. Kjo rritje do të vazhdojë.
Do të modernizojmë shkollat duke shtrirë internetin deri në vitin 2008 në çdo shkollë të Shqipërisë. Do të ngremë dhe të fuqizojmë trajnimin dhe kualifikimin e mësuesve”, u shpreh Kryeministri.

Gjithashtu Kryeministri vlerësoi se arsimi parauniversitar do të njohë një zhvillim të madh.

“Përpjekja jonë është që çdo fëmijë që mbaron klasën e 9-të t`i ketë dyert e hapura dhe të gjitha mundësitë për të ndjekur shkollën e mesme. Ne sot nisim historinë e gjatë të inaugurimit të një seri shkollash dhe konvikteve për sistemin tonë arsimor’, u shpreh Kryeministri Berisha. 

Të gjitha këto, tha Kryeministri, do të mundësojnë një pjesëmarrje shumë më të lartë të nxënësve në arsimin e mesëm, një organizim shumë më të mirë të arsimit dhe modernizim të këtij sistemi.

Gjithashtu Kryeministri u kërkoi kompanive ndërtuese që punojnë në ndërtimin e veprave publike në të gjithë vendin që të shpejtojnë në maksimum punën duke iu përgjigjur rritjes së buxhetit për këto vepra. 

“Sot unë do t`i bëj thirrje kompanisë ndërtuese të kësaj shkolle që duke filluar nga data 15 prill deri më 15 tetor të japë shembullin e punës me 3 turne. U drejtoj një thirrje ndërtueseve në mbarë Shqipërinë të punëve publike të shpejtojnë në maksimum ritmet e realizimit të investimeve. Kapacitet buxhetore janë 3-4 fishuar. Ftoj kompanitë e ndërtimit t`i 3-4 fishojnë kapacitete e tyre duke rekrutuar të punësuar të rinj dhe duke shtuar turnet në punë”, tha Kryeministri. 

Në këtë mënyrë, vijoi më tej Kryeministri, ata bëhen motorë të fuqishëm të shpejtimit të zhvillimit të vendit.

Gjatë bashkëbisedimit me Kryeministrin, përfaqësues të kompanisë u zotuan për përfundimin e punimeve të kësaj shkolle para afatit të përcaktuar.

Më shumë nga Zyrtare

Të gjitha ›