E Shtunë, 31 Tetor 2026

P R O J E K T L I GJ PËR DISA NDRYSHIME DHE SHTESA NË LIGJIN NR.9655, DATË 11.12.2006, “PËR AKADEMINË E SHKENCAVE TË REPUBLIKËS SË SHQIPËRIS˔

P R O J E K T L I GJ

PËR

 

DISA NDRYSHIME DHE SHTESA NË LIGJIN NR.9655,   DATË 11.12.2006, “PËR AKADEMINË E SHKENCAVE TË REPUBLIKËS SË SHQIPËRISË”

Në mbështetje të neneve 78 dhe 83, pikat 1 e 2, të Kushtetutës, me propozimin e Këshillit të Ministrave, Kuvendi i Republikës së Shqipërisë

V E N D O S I:

Në ligjin nr.9655, datë 11.12.2006, “Për Akademinë e Shkencave të Republikës së Shqipërisë”, të bëhen këto ndryshime dhe shtesa:

Neni 1

Neni 5 ndryshohet, si më poshtë vijon:

“Neni 5

Anëtarët e Akademisë

1.Akademia ka në përbërje anëtarë të rregullt, anëtarë të asociuar dhe anëtarë nderi.

2.Anëtarët e rregullt të Akademisë mbajnë titullin “Akademik” dhe të tillë janë 30 veta.

3.Anëtarët e asociuar të Akademisë mbajnë titullin “Akademik i asociuar” dhe të tillë janë 15 veta.

4.Anëtarë nderi të Akademisë janë personalitete të njohura të vendeve të tjera. Numri i tyre përcaktohet në statutin e Akademisë, por ky numër nuk e kalon atë të anëtarëve të rregullt të Asamblesë së Akademisë.”.

Neni 2

Pas nenit 6 shtohet neni 6/1, me këtë përmbajtje :

«Neni 6/1

Përfundimi i anëtarësisë në Akademi

dhe plotësimi i vendeve vakante

1.Statusi i anëtarit të rregullt dhe i atij të asociuar përfundon kur anëtari:

a) mbush moshën 70 vjeç;

b) jep dorëheqjen;

c) zgjidhet apo emërohet në funksione drejtuese në parti politike apo organe kushtetuese;

ç) deklarohet i paaftë për të vepruar, me vendim gjyqësor, të formës së prerë;

d) dënohet me vendim gjyqësor, të formës së prerë, për kryerjen e një krimi;

dh) shkarkohet me dy të tretat e votave të të gjithë anëtarëve të Asamblesë për akte e sjellje, që diskreditojnë rëndë figurën e anëtarit të Akademisë;

e)  vdes.

2.Statusi i anëtarit të nderit përfundon kur vërtetohet një nga rastet e parashikuara në shkronjat «b », « c », « ç », « d », « dh », dhe « e ».

3.Procedurat për plotësimin e vendit vakant, krijuar për shkak të përfundimit të funksionit, sipas pikës 1, të këtij neni, fillojnë jo më vonë se dy muaj para përfundimit të funksionit, sipas shkronjës «a », dhe jo më vonë se 30 ditë pas përfundimit të tij, sipas shkronjave  «b », « c », « ç », « d », « dh », dhe « e ».

Neni 3

Neni 8 shfuqizohet.

Neni 4

Neni 11 ndryshohet, si më poshtë vijon:

“Neni 11

Mënyra e zgjedhjes së kryesisë

1. Kryetari i Akademisë përzgjidhet drejtpërdrejt me votim të fshehtë nga asambleja, nga radhët e anëtarëve të rregullt. Kryetar zgjidhet kandidati, i cili merr më shumë se gjysmën e votave të të gjithë anëtarëve të asamblesë. Kryetari i zgjedhur nga asambleja emërohet nga Presidenti i Republikës.

2. Zëvendëskryetari, sekretari shkencor dhe drejtuesit e seksioneve përzgjidhen drejtpërdrejt me votim të fshehtë nga asambleja, nga radhët e anëtarëve të rregullt dhe të asociuar, sipas procedurave të përcaktuara në statutin e Akademisë.          

3. Kohëzgjatja e mandatit të kryetarit dhe të zëvendëskryetarit është 4 vjet, ndërsa e sekretarit shkencor dhe e drejtuesve të seksioneve është 5 vjet. Në çdo rast, mandati i  kryetarit, zëvendëskryetarit, sekretarit shkencor dhe drejtuesve të seksioneve mbaron me përfundimin e statusit të anëtarit të rregullt ose të asociuar, në përputhje me nenin 6/1, të këtij ligji.

4. Kryetari, zëvendëskryetari, sekretari shkencor dhe drejtuesit e seksioneve mund të zgjidhen në të njëjtin funksion për dy mandate, por jo radhazi.”.

Neni 5

Pas nenit 14, në përbërje të kreut VII, shtohen nenet 14/1, 14/2, 14/3, 14/4 dhe 14/5, me këtë përmbajtje:

Neni 14/1

Riorganizimi i Akademisë

1. Riorganizimi i Akademisë kalon në një periudhë kalimtare, e cila zgjat deri një vit, nga hyrja në fuqi e këtij ligji.

2. Gjatë periudhës kalimtare përgatiten kushtet për zgjedhjen e organeve dhe autoriteteve drejtuese të Akademisë.

3. Riorganizimi i Akademisë drejtohet nga Komiteti i Reformimit të Akademisë së Shkencave (KRASH), krijuar me urdhër të Kryeministrit, sipas nenit 14/2, të këtij ligji. 

4. Drejtimi i përditshëm i veprimtarisë së Akademisë  gjatë periudhës kalimtare, kryhet nga Kryesia e Përkohshme e Akademisë (KPA).

5. Veprimtaria e KRASH-së dhe KPA-së mbaron në ditën e emërimit të kryetarit të Akademisë nga Presidenti i Republikës, sipas pikës 1, të nenit 11, të këtij ligji.

Neni 14/2

Komiteti i Reformimit të Akademisë së Shkencave

1. Komiteti i Reformimit të Akademisë së Shkencave kryesohet nga zëvendëskryeministri dhe ka në përbërje si anëtarë:

-          Ministrin e Arsimit dhe Shkencës;

-          Një përfaqësues të asamblesë ekzistuese të Akademisë, i cili e ruan anëtarësinë edhe pas hyrjes në fuqi të këtij ligji dhe propozohet nga KPA-ja;

-          Dy anëtarë, ekspertë të Këshillit të Arsimit të Lartë dhe Shkencës, (KALSH).

2. Komiteti ka të drejtë të angazhojë, për probleme të veçanta të reformës, ekspertë, shqiptarë dhe të huaj.

3. Komiteti merr vendim, me shumicën e anëtarëve të pranishëm.

Neni 14/3

Detyrat e Komitetit të Reformimit të Akademisë së Shkencave

KRASH-ja, në bashkëpunim me Kryesinë e Përkohshme të Akademisë, realizon këto detyra:

a) Harton kuadrin rregullator të veprimtarisë së Akademisë (Statuti, rregulloret, etj.);

b) Harton dhe miraton planin afat mesëm të zhvillimit të Akademisë;

c) Propozon përbërjen e komisionit përzgjedhës (KP) të anëtarëve të rinj të asamblesë së akademisë;

ç) Me propozimin e Komisionit Përzgjedhës bën shpërndarjen e vendeve vakante për anëtarë në Asamblenë e Akademisë, sipas fushave të shkencës dhe miraton kriteret, që duhet të plotësojnë kandidatët për këto vende;

d) Mbikëqyr  procedurat e konkurrimit për  vendet vakante; 

      dh) Përgatit, shpall dhe mbikëqyr procesin e zgjedhjes së organeve kolegjiale dhe të autoriteteve drejtuese të Akademisë, në përputhje me këtë ligj dhe statutin e Akademisë.

Neni 14/4

Kryesia e Përkohshme e Akademisë

Kryesia e Përkohshme e Akademisë emërohet nga Presidenti i Republikës në bazë të propozimit të KRASH-së, brenda një muaji nga hyrja në fuqi e këtij ligji. KRASH-ja i propozon Presidentit të Republikës, dy kandidatë për secilin post, të kryesisë së përkohshme. 

 

Neni 14/5

Komisoni përzgjedhës (KP)

1. Komisioni përzgjedhës ngrihet me vendim të Këshillit të Ministrave. Ai përbëhet nga 9 anëtarë, të cilët janë figura të njohura, për kontributin e tyre shkencor. Katër anëtarë të këtij komisioni propozohen nga Kryesia e Përkohshme e Akademisë dhe duhet të jenë anëtarë të Akademisë, të cilët e ruajnë anëtarësinë edhe pas hyrjes në fuqi të këtij ligji. Katër anëtarë të tjerë dhe kryetari i komisionit propozohen nga ministri i Arsimit dhe Shkencës, në bazë të rekomandimit të KALSH-së.

2. Komisioni Përzgjedhës përcakton dhe i propozon KRASH-së shpërndarjen e vendeve vakante, sipas fushave të shkencës, dhe kriteret, që duhet të plotësojnë kandidatët për këto vende. Ky komision përzgjedh prej tyre anëtarët e Asamblesë së Akademisë.

3. Komisioni përzgjedhës merr vendim me shumicën e votave të pjesëmarrësve në mbledhje. Mbledhjet e këtij komisioni janë të vlefshme, kur në to marrin pjesë, së paku, 5 anëtarë.

4. Anëtarët e rinj të Akademisë, të përzgjedhur nga KP-ja, shpallen nga Kryesia e Përkohshme e Akademisë.”. 

Neni 6

Neni 15 ndryshohet, si më poshtë vijon:

“Neni 15

1. Struktura dhe organizimi i Akademisë, si edhe statuti i saj përshtaten në përputhje me këtë ligj, brenda 3 muajve nga hyrja në fuqi e tij.

2. Akademia e riorganizuar zhvillon zgjedhjet e organeve drejtuese, brenda  6 muajve nga hyrja në fuqi e këtij ligji.”.

Neni  7

Hyrja në fuqi

Ky ligj hyn në fuqi 15 ditë pas botimit në “Fletoren zyrtare”.

K R Y E T A R I

JOZEFINA  TOPALLI

Më shumë nga Zyrtare

Të gjitha ›