Deklaratë për shtyp e Kryeministrit Berisha

Kryeministri Berisha, sot në një konferencë për shtyp, bëri të ditur se pranon dorëheqjen e Ministrit të Drejtësisë, zotit Ilir Rusmali. Gjatë kësaj konference, Kryeministri prezantoi edhe kandidatin për këtë post, zotin Enkelejd Alibeaj.
Në hapje të konferencës, Kryeministri bëri këtë deklaratë:
"Jam këtu, përpara jush, të komunikoj vendimin tim dhe të njoftoj opinioin për të pranuar dorëheqjen e një prej bashkëpunëtorëve të mi më të ngushtë, në këto 12 vitet e fundit dhe një prej ministrave më efiçentë, zotit Ilir Rusmali.
Në këtë rast, dua të falënderoj, me shumë mirënjohje dhe respekt, zotin Rusmali për bashkëpunimin e tij luajal dhe për kontributin e frytshëm që ai ka dhënë në fushën e ligjeve dhe reformave në tërësi, në Shqipëri. Si promotor kryesor i këtyre reformave, të shpreh bindjen se, dhe pas dorëheqjes, kontributi dhe bashkëpunimi i tij i çmuar do të vazhdojë.
Unë pranova dorëheqjen e zotit Rusmali me bindjen time më të thellë se ai nuk ka pasur asnjë lidhje, përveç lidhjes së gjakut, me përpjekjen e të vëllait për të përfituar në tendera. Unë e pranova dorëheqjen e zotit Rusmali, sepse nuk mund të refuzoj standardin e ri që bashkëpunëtori im vuri për politikën dhe zyrtarin shqiptar. Standardin më të lartë dhe të civilizuar të përgjegjësisë së një zyrtari që kontraston, aq sa kontraston dita me natën, errësira me dritën, me qëndrimet e mëparshme të zyrtarëve, të cilët, pavarësisht se familjarët e tyre më të afërt, fëmijë, prind, bashkëshorte a bashkëshorti kapeshin me drogë, me trafiqe e motele prostitucioni, rrëmbenin tendera, shkrehnin breshëri mbi qytetarë të tjerë dhe vazhdonin të qetë në postin e tyre, sikur asgjë të mos ekzistonte, përveç interesave vetjake.
Së dyti, jam para jush për të paraqitur kandidatin tim për Ministër të Drejtësisë, zotin Enkelejd Alibeaj, një nga bashkëpunëtorët e mi më të çmuar, më efiçent dhe një nga juristët më të talentuar që unë kam njohur, drejtuesin efiçent të Departamentit të Antikorrupsionit dhe të Kontrollit të Brendshëm të Këshillit të Ministrave, i cili, në këto dy vjet, ka dhënë një kontribut thelbësor në luftën kundër korrupsionit.
Me ekipin që ka drejtuar, zoti Alibeaj ka bërë të mundur qëndrime ligjore në dhjetëra dhe qindra raste, ka dorëzuar në institucionin e Prokurorisë dhjetëra e dhjetëra dosje. Zoti Alibeaj ka qenë, para ardhjes sonë në pushtet, një nga ekspertët tanë më të mirë në fushën e ligjeve, një bashkëpunëtor në reformën zgjedhore dhe përfaqësuesi ynë në mbrojtje të së drejtës së votave të grabitura e mandateve të dhunuara. Unë kam bindjen më të madhe se zoti Alibeja, një magjistrat i brilant, do t’ju përkushtohet reformave në sistemin e drejtësisë, në sistemin e vuajtjes së dënimeve dhe të gjitha agjencive që kjo ministri, ndër më të rëndësishmet e vendit, ka nën autoritetin e saj.
Ndaj unë do t’ia paraqes zotin Alibeaj kryesisë së Partisë Demokratike si kandidatin e përzgjedhur nga unë. Është ky forum që vendos për kandidaturën, të cilën do t’ia dërgoj Presidentit të Republikës për miratim dhe më pas Parlamentit".