Kryeministri Berisha: Qeveria e vendosur të bëjë cdo përpjekje për mbrojtjen e biodiversitetit
Sot, në ditën ndërkombëtare të biodiversitetit, Kryeministri Berisha vizitoi ekspozitën me temë “Biodiversiteti në art”, në galerinë Te & Ge, në Tiranë. Çelja e kësaj ekspozite me fotografi dhe punime në pikturë, u bë nën kujdesin e Ministrisë së Mjedisit, Pyjeve dhe Administrimit të Ujërave, në kuadër të kësaj dite.
Duke marrë fjalën, Kryeministri Berisha përgëzoi organizatorët, dhe artistët pjesëmarrës për këtë gjetje të veçantë, në ditën e larmisë dhe shumëllojshmërisë së natyrës shqiptare.
“Shqipëria ka njërin prej biodiversiteteve më të fuqishme të kontinentit. Ka një pasuri realisht të pashtershme të pafundme të të gjithë spektrit të biodiversitetit, nga shpendët e lagunës së Karavastasë, tek poliflora e mahnitshme e Çajupit, apo Alpet.”
Kryeministri u shpreh se biodiversiteti në Shqipëri, ka qenë një burim i madh frymëzimi, jo vetëm për të gjithë studiuesit e disiplinave biologjike, por edhe për piktorët dhe fotografët shqiptarë “Në shekuj biodiversiteti ka qenë muza e dytë për piktorët, madje për shumë gjini të pikturës ka qenë e para. Pra i tillë është biodiversiteti për piktorët e shquar shqiptarë , për fotografët e shquar shqiptarë, të cilët e kanë pasqyruar atë në veprat e tyre të mëdha, pikturat, fotografitë me një mjeshtri të admirueshme.”
Duke garantuar se qeveria shqiptare do të bëjë çdo përpjekje për të mbrojtur biodiversitetin, Kryeministri Berisha vuri në dukje se janë dyfishuar sipërfaqet e parqeve kombëtare, të cilat do të shtohen sërish në të ardhmen, si rruga më sigurt e mbrojtjes së pasurive natyrore.
Ndër të tjera, kryeministri përshëndeti të gjithë ambientalistet e vendit, dhe i falënderoi ata për përkushtimin dhe kontributin e madh që japin në ruajtjen e mjedisit.
“Dua ti siguroj të gjithë këta studiues se tek qeveria ime ka një zë që i dëgjon me shumë vëmendje dhe që vlerësonn realisht, punën dhe kontributin e tyre”. tha Kryeministri.