Kryeministri Berisha: Fabrika “Europast”, dëshmi e shijeve më të mira të kulinarisë së Beratit
Kryeministri Berisha, i cili ndodhet sot në Berat, vizitoi fabrikën ëmbëlsirave “Europast”, në Poshnje.
Duke përgëzuar drejtuesit e fabrikës për këtë investim, me vlerë 800 mijë euro, dhe për cilësinë e prodhimeve të tyre, Kryeministri Berisha tha se fabrika me produktet e saj prezanton më së miri Beratin, i njohur në të gjithë vendin për artin e tij kulinar.
“Berati, - tha Kryeministri - qëndron në krye të shijes në vend, sepse ka trashëguar nga gjenerata në gjeneratë artin më të mirë të shijeve të kuzhinës dhe të kulinarisë. Berati qëndron në krye të shijeve shqiptare edhe për prodhimet e mrekullueshme bujqësore të tij, është një kombinim i mirëfilltë me natyrën që e bën Beratin krenarinë e shijes për Shqipërinë e shqiptarët.”
Kryeministri e konsideroi një lajm të gëzuar faktin që së shpejti fabrika do të pajisej me certifikatën ISO për të eksportuar prodhimet e saj edhe në tregun europian. “Ambicia e fabrikës është tregu evropian. Kur ta vizitojmë sërish atë, do ta gjejmë të dyfishuar kapacitetin prodhues, pasi me këto prodhime të shijshme tregu është i siguruar.”
Fabrika “Europas” është ngritur disa muaj më parë dhe ka në përdorim teknologji bashkëkohore.