Kryeministri Berisha: Qeveria është e përqëndruar në shkollimin e fëmijëve dhe modernizimin e arsimit
- Vetëm në komunën Gjepalaj janë bërë 70 milion investime
Kryeministri Berisha po zhvillon sot një vizitë në rrethin e e Durrësit. Fillimisht, Kryeministri Berisha u ndal në komunën Gjepalaj, ku inauguroi punimet për ndërtimin e shkollës 9-vjeçare, investim i buxhetit të shtetit me vlerë 25 milion lekë.
Kryeministri Berisha shprehu kënaqësinë se shkolla e re do të jetë e standardeve moderne, e pajisur me laboratorin e informatikës dhe kabinete të tjera të mësimdhënies dhe mbi të gjitha do të ketë 14 klasa, duke reduktuar në këtë mënyrë numrin e nxënësve në një klasë.
Kryeministri tha se shkollimi i fëmijëve shqiptarë dhe modernizimi i arsimit është prioritet i qeverisë së tij dhe se ajo mbetet e përqëndruar në realizimin e tij. “Ju jeni dëshmitarë të përqëndrimit të madh të qeverisë në shkollimin e vogëlushëve dhe modernizimin e arsimit,” u shpreh Kryeministri.
Kryetari i komunës Gjepalaj falënderoi Kryeministrin Berisha për mbështetjen dhe vëmendjen ndaj komunitetit të kësaj zone, e cila, në një vit e gjysëm, ka përfituar nga qeveria 70 milion lekë investime në infrastrukturë dhe shkolla.
Duke përgëzuar kryetarin e komunës për projektin e ndërtimit të shkollës, Kryeministri Berisha inkurajoi autoritetet lokale të hartojnë projekte të tjera zhvillimore dhe i siguroi se qeveria do të financojë çdo projekt që përmirëson jetën e komunitetit të tyre.
11/11/2008