E Diel, 1 Nëntor 2026

Kryeministri Berisha: Qeveria po përgatit një platformë të re për mbrojtjen e qytetarëve prej rreziqeve

-Në ceremoninë e përurimit të njësisë së zjarrfikëseve në Portin e Durrësit, Kryeministri Berisha kërkoi nga qytetarët të mos ambientohen me rrezikun, por ta denoncojnë atë si njerëz të qytetëruar

Në përfundim të vizitës në rrethin e Durrësit, Kryeministri Berisha mori pjesë në ceremoninë e përurimit të njësisë së zjarrfikëseve në Portin e Durrësit, një investim prej 80 milion lekësh.

Në fjalën e tij përshëndetëse, Kryeministri Berisha u shpreh se po bëhen përpjekje të mëdha për të fuqizuar shërbimin e zjarrfikësve, i cili është një shërbim jetik jo vetëm për të shpëtuar jetën e qytetarëve, por për të shpëtuar pronat, pasuritë kombëtare, etj.
 
Duke iu referuar sistemit të dobët të sigurisë ndaj rreziqeve që ka trashëguar vendi ynë, Kryeministri Berisha u shpreh se Shqipëria ka nevojë urgjente për qëndrim të ri ndaj rreziqeve. “Ngjarjet e zhvilluara janë dëshmi shumë e hidhur e këtij niveli të papranueshëm të qëndrimit ndaj rreziqeve”, u shpreh Kryeministri.

Më tej, Kryeministri theksoi se qeveria po bën përpjekje të mëdha për një qëndrim të ri dhe për një platformë të re, e cila mbron qytetarët prej rreziqeve në tërësi.
 
Në këtë kontekst, Kryeministri kërkoi edhe kontributin e qytetarëve. “Kam një apel për të gjithë qytetarët e këtij vendi; të mos ambientohemi me rrezikun, ta denoncojmë atë si njerëz të qytetëruar, më përgjegjësinë qytetare që ka njeriu i qytetëruar dhe t’i shmangim rreziqet sepse nuk i meritojmë”, u shpreh Kryeministri.

Në përfundim të ceremonisë, forcat e repartit të zjarrfikëseve demonstruan një moment nga përballimi i një situatë të emergjencës.

Ndër të tjera, Kryeministri Berisha u shpreh;

“Ne po bëjmë dhe do të vazhdojmë të bëjmë përpjekje të mëdha për të zgjeruar dhe fuqizuar më tej shërbimin e zjarrfikëseve. Ushtria po krijon një repart të fuqishëm zjarrfikësesh dhe do të ketë një numër të konsiderueshëm zjarrfikësesh të reja. Ne do të vazhdojmë të fuqizojmë këtë shërbim, i cili është jetik për të shpëtuar jetën e njerëzve, për të shpëtuar shtëpitë, pronat dhe pasuritë kombëtare, pasi klima e vendit tonë gjatë stinës së verës i favorizon mjaft zjarret. Ne kemi vendosur ligje të rrepta ndaj zjarrvënësve të qëllimshëm, pasi mund të themi se zjarret në pyjet dhe kullotat nuk janë në tërësi të rastësishme, por janë të qëllimshme.

Shqipëria ka nevojë urgjente për qëndrim të ri ndaj rreziqeve. Ne kemi nevojë jetike që të përshtatim një qëndrim të ri dhe tërësisht tjetër ndaj rrezikut dhe rreziqeve, si të tilla. Shqipëria dhe shqiptarët trashëguan një nivel sigurie jashtëzakonisht të dobët për sa u përket rreziqeve, për të mos thënë që në shumë aspekte ishte inegzistent. Ngjarjet e zhvilluara janë një dëshmi shumë e hidhur e këtij niveli të papranueshme për qëndrimin ndaj rreziqeve.

Ditë më parë, në qytetin e Gjirokastrës u shemb një pallat. Humben jetën tre qytetarë. Një fëmijë, nëna e saj dhe një zonjë e moshuar mbetën nën rrënojat e këtij pallati. Ishte një vdekje shumë tragjike dhe tërësisht e parandalueshme.

Rreziqet janë në ndërtime, rreziqet janë në stacionet e pompimit të benzinës, të cilat në Shqipëri tre herë më shumë nga ç’duhet të jenë për frymë sepse ka një standard për ndërtimin e tyre. Rreziqet shkaktuan hatanë e Gërdecit, e cila po hetohet dhe do të hetohet pa asnjë mëdyshje duke nxjerrë çdo përgjegjësi. Dhe është shumë e rëndësishme. Por, të grumbullosh qindra tonelata barut në një vend, pavarësisht nga se udhëhiqesh, dëshmon shkallën më absolute të papërgjegjësisë njerëzore.

Ndaj, ju garantoj se qeveria po bën përpjekje të madhe për një qëndrim të ri ndaj rreziqeve në tërësi dhe për një platformë, e cila mbron qytetarët prej rreziqeve.
Por, në këtë kontekst është i domosdoshëm kontributi i qytetarëve, roli dhe qëndrimi i tyre. Ju garantoj se nuk do të bini në vesh të shurdhër. Vërtetë një problem mund të mbyllet midis dy zyrtarëve, por s’do mund të mbyllet kurrë në të gjithë hierarkinë shtetërore.

Nuk duhet të nënshtrohemi dhe të mësohemi me rreziqe, por t’i denoncojmë ato si problemin më kryesor. Ky është interesi i çdo qytetari, të mos pranojë që babëzia të zërë rrugët dhe rrugicat e qyteteve tona, siç ka ndodhur dhe po ndodh.  Qeveria do të vazhdojë të verifikojë çdo leje dhe çdo ndërtim. Por, unë kam një apel për të gjithë qytetarët e këtij vendi; të mos ambientohemi me rrezikun, ta denoncojmë atë si njerëz të qytetëruar, më përgjegjësinë qytetare që ka njeriu i qytetëruar dhe t’i shmangim rreziqet sepse nuk i meritojmë.

Duke ju uruar për inaugurimin e këtij reparti shumë të rëndësishëm, ju garantoj se qeveria do të bëjë përpjekje të mëdha, së pari për të parandaluar rreziqet dhe së dyti për të marrë të gjitha masat sipas sektorëve për dominimin sa më të shpejtë të tyre, kur ato shfaqen”.


11/11/2008

Më shumë nga Zyrtare

Të gjitha ›