E Diel, 1 Nëntor 2026

Kryeministri Berisha: Qeveria është e përqëndruar totalisht në shërimin e të plagosurve dhe gjetjen e të munguarve

Kryeministri Berisha ishte sot në Bashkinë e Vorës, për t`u njohur nga afër me masat që ka marrë Komisioni Ndërministror i Emergjencës për normalizimin e situatës në fshatin Gërdec.

Gjatë këtij takimi, Kryeministri shprehu solidaritetin e plotë të qeverisë shqiptare, por edhe solidaritetin dhe ngushëllimet e shumë qeverive të vendeve mike, të SHBA-së, Francës, Gjermanisë, Italisë, Greqisë, Zvicrës, Turqisë, Kroacisë dhe Maqedonisë dhe shumë vendeve të tjera, të cilat dëshmuan dje një solidaritet të jashtëzakonshëm me qeverinë dhe qytetarët shqiptarë.              

“Duke u shprehur ngushëllimet më të thella familjeve dhe urimet për shërim sa më të shpejtë të plagosurve, dua të shpreh një falenderim të thellë ndaj jush, ndaj anëtarëve të shtabit, ndaj gjithë qytetarëve të bashkisë suaj, të cilët dje, së bashku me forcat e ushtrisë dhe forcat e rendit, u angazhuan në operacionet më të rrezikshme, por edhe më të suksesshme të shëptim-kërkimit që vendi ka parë ndonjëherë. Ata shpëtuan shumë jetë njerëzish me gjakftohtësi, trimëri dhe kurajo. Natyrisht, të parat janë jetët e njerëzve “, u shpreh Kryeministri Berisha.

Kryeministri theksoi se ka ndjekur çdo minutë punën e Komisionit Ndërministror të Emergjencave dhe angazhimin e reparteve të ushtrisë e forcave të ndërhyrjes së shpejtë, forcave të emergjencës dhe forcate shpëtim-kërkimit të minierave, punën e të cilëve Kryeministri Berisha e cilësoi si vetëmohuese. 


“Po vij nga spitalet., ku u shpreha mjekëve të njëjtën mirënjohje, por ju këtu ishit në vijën e rrezikut më të madh dhe me qëndrimin tuaj keni bërë të mundur evakuimin në tërësi të popullatës, por mbi të gjitha evakuimin e të plagosurve, duke përfshirë edhe vendin e shpërthimit’, u shpreh më tej Kryeministri duke  nënvizuar se shumë qytetarë kanë vepruar me të njëjtën kurajo, njëlloj si repartet më të specializuara.    

Kryeministri e vlerësoi një veprim shumë pozitiv edhe futjen e zyrtarëve në vendin e shpërthimit.  “Një veprim të drejtë kanë bërë dhe ministrat dhe zyrtarët, të cilët u futën në vendin e e shpërthimit, sepse përderisa djemtë e këtij fshati shkonin aty, uniformat tona shkonin aty, natyrisht edhe zyrtarët nuk kishin vend tjetër përveçse aty”, deklaroi më tej Kryeministri Berisha.


Kryeministri theksoi se aktualisht qeveria është e përqëndruar totalisht në shërimin e të plagosurve, në shpëtimin e jetëve të tyre dhe gjetjen e të munguarve.

Këshilli i Ministrave, vijoi më tej Kryeministri Berisha, e ka shpallur Bashkinë e Vorës zonë të fatkeqëisë të emergjencës civile. “Në këtë kontekst qeveria do të mobilizojë të gjitha resurset për të kapërcyer plotësisht pasojat e kësaj tragjedie. Zoti Oketa kryeson komisionin ndërqeveritar, unë do ta ndjek siç e kam ndjekur çdo minutë. Deputeti i zonës, Patozi, prefekti, kryetari i qarkut, ministrat, të gjithë do të jemi këtu për ta kapërcyer këtë situatë sa më shpejt dhe sa më mirë, për të përballuar të gjithë pasojat ashtu siç është e domosdoshme”, tha Kryeministri.

Gjatë 2-3 ditëve në vazhdim Kryeministri theksoi se do të bëhet një punë e thelluar me ekipet e vlerësimit.  “ALUIZNI duhet të na furnizojë me ekipet e vlerësimeve. Është agjencia që ka punonjës të këtij profili më shumë se agjencitë e tjera të bashkëpunojmë dhe të bëjmë vlerësimin e plotë në njësi kohe sa më të shkurtë. Mos të harrojmë se janë njerëz me shtëpi të shembura. Emergjenca është emergjencë dhe duhet të veprohet siç kemi vepruar në këtë operacion pa asnjë lloj ndërprerje për vlerësimin e të gjitha dëmeve dhe ndërhyrjet me emergjencë për rindërtimin e bizneseve për zhdukjen sa më të shpejtë të të gjitha pasojave”, u shpreh Kryeministri duke shtuar se qeveria do të ndërmarrë të gjitha masat që këto pasoja të mbyllen në një kohë sa më të shkurtër.

Kryeministri tha se janë 313 shtëpi të shkatërruara dhe me dëmtime të rënda 185 të tjera. Në këtë kontekst Kryeministri u ka kërkuar anëtarëve të Komisionit Ndërqeveritar që të gjejnë familjet që u janë shkatërruar shtëpitë dhe të vendosen në kovalenshencën e Ministrisë së Brendshme dhe të Ministrisë së Mbrojtjes në Durrës, dhe të qëndrojnë atje deri në rindërtimin e shtëpive të tyre.  


Kryeministri Berisha e konsideroi si të domosdoshëm shërbimin e psikologëve për të plagosurit dhe banorët e tjerë të zonës, për kalimin e këtij shoku psikologjik.
“Duhet të angazhohet një numër i konsiderueshem psikologësh të marrin kontakt si me të plagosurit në spitale me familjarët në mënyrë që t`i ndihmojnë  në kapërcimin e kësaj traume shpirtërore që kanë pësuar”, u shpreh Kryeministri.

Lidhur me rivendosjen e shërbimeve të tjera në zonë, Kryeministri Berisha theksoi se KESH është zotuar që do të vendosë brenda një kohe shumë të shkurtër rrjetin e energjisë në të gjithë zonën.


Më tej Kryeministri theksoi se për çfarëdo nevoje që do të kenë banorët e kësaj zone kanë mundësi të komunikojnë me Komisionin Ndërministror të Emergjencës.   
“Unë edhe njëherë dua t`ju shpreh ngushëllimet më të thella familjeve të të afërmëve,  ndërsa bashkisë mirënjohjen më të madhe për përkushtimin e treguar dhe t`ju përcjell solidaritetin e plotë të qeverisë”, nënvizoi Kryeministri Berisha

Pyetje: A është kjo lista përfundimtare apo priten edhe viktima të tjera ?  
Kryeministri Berisha: Nuk mund të them se ky është realisht lista përfundimtare. Por, është e mundshme që bilanci të jetë pak a shumë ky, sepse nga autoritetet është punuar gjithë natën në këtë drejtim. Edhe familjarët janë angazhuar gjithë natën, për të kontrolluar tek lidhjet e tyre. Sidoqoftë, operacioni i shpëtim kërkimit vazhdon me intensitet të plotë.

Pyetje: Banorët e këtyre zonave dihet tashmë që janë evakuar dhe sistemuar në disa qendra për shkak të rrezikut në zonën e tyre. A do të ketë qeveria mbështetje për të gjithë këta njerëz të cilët kanë lënë pas shtëpitë e pronat e tyre?
Kryeministri Berisha: Qeveria ka vendosur mbrëmë në të gjithë zonën njësitë e policisë. Kjo zonë është tashmë zonë emergjence dhe do të jetë plotësisht e mbrojtur. Sikundër, edhe njëherë u bëj thirrje banorëve, kudo që ndodhen, duke falënderuar me shumë mirënjohje ata që i kanë strehuar dhe që mund të jenë familjarët më të afërt të tyre, që të shfrytëzojnë ato lehtësi që kemi krijuar në dy qendrat e kovaleshencës dhe dua t’i garantoj se së bashku me autoritetet vendore,  me Emergjencën Civile dhe me gjithë autoritetet e vendit do të punojmë për të ringritur, rindërtuar, në një kohë sa më të shkurtër, shtëpitë e tyre, për të pastruar sa më shpejt zonën nga predhat  e municionet që paraqesin rrezik për jetën e tyre.

Pyetje: Cila mund të jetë shifra financiare e ndihmës së qeverisë për banorët që u janë shkatërruar shtëpitë e tyre?
Kryeministri Berisha: Përpara se të flasim për shifrat, do të bëhet njohja e dëmeve. Kjo do të bëhet nëpërmjet një vlerësimi. Unë e theksova se duhet të ngremë me emergjencë grupet e vlerësimit. Unë rekomandova ALUIZNI-in  që ëshë një agjenci  më e specializuar në matje, së bashku me ekspertë të gjendjes civile, ekspertë të prefekturës. Duhet të ngremë një grup të madhe pune që të bëjmë këtë vlerësim në një kohë sa më të shkurtër. Pasi të bëhet ky vlerësim, qeveria është e vendosur të mobilizojë të gjitha resurset e saj për t’iu përgjigjur me shpejtësinë dhe për të marrë veprimet më energjike që të rikuperohet e rindërtohet sa më shpejtë zona, realisht e shkatërruar. Pas vlerësimit të dëmit do të përcaktohen të gjitha rrugët e kapërcimit të situatës. Tani për tani ne e kemi të domosdoshme vlerësimin milimetrik dhe të saktë të zonës, dhe mbi atë bazë  do të merret vendimi i qeverisë. Deri tani është një vlerësim i bërë brenda 24 orëve dhe është një punë shumë e madhe, por duhet bërë një vlerësim i plotë në mënyrë që qeveria të marrë vendimin e duhur.

Pyetje: Kur pritet që të nisin masat kokrete?
Kryeministri Berisha: Dje jemi marrë me jetën e njerëzve, ashtu sic duhej të vepronim, jemi marrë me përkushtimin total  të shpëtojmë, transportojmë e shërojmë të plagosurit, e të ndihmojmë banorët e tjerë. Ju jeni dëshmitarë se është bërë një punë jashtëzakonisht e madhe, në mënyrë konstante. Sot, ashtu siç po e shikoni dhe ju, krahas kërkim – shpëtimit, ka filluar dhe është bërë vlerësimi i parë i dëmit nga autoritetet vendore. Tashmë do të rivlerësohet kjo punë, për të bërë të mundur ndërhyrjet sa më emergjente. Zona është shpallur  zonë e emergjencës civile, zonë fatëkeqësie. Vendi ynë ka ligje, që përcaktojnë të gjitha  modalitetet e ndërhyrjeve në zonat e emergjencës. Ne do të zbatojmë ligjet e vendit.

Pyetje: A ka rrezik  për shpërthime të tjera në këtë zonë?
Kryeministri Berisha: Jo nuk ka rrezik për shpërthime të tjera. Predha të mbetura ka, por shpërthime të fuqishme nuk ka. Për këtë është e sigurt. Krejtësisht jashtë rrezikut zona nuk është, sepse  ju e kuptoni që një predhe askush nuk ia përcakton dot rrugën. Por, shpresojmë që të mbyllet sa më shpejtë faza e eksplodimit.Dua të t’ju them se edhe pse atje ka eksplodime, atje ka edhe njerëz në operacionin e kërkim shpëtimit.     

Më shumë nga Zyrtare

Të gjitha ›