E Diel, 1 Nëntor 2026

Kryeministri Berisha: Qeveria është e vendosur të zbatojë programin e saj dhe se më 1 maj do të rrisë pagat për mësuesit

 -       Kryeministri Berisha u shpreh se rindërtimi tërësor i infrastrukturës arsimore, modernizimi i procesit të mësimdhënies dhe orientimi i arsimit drejt tregut janë objektiva prioritare të qeverisë

Gjatë vizitës në shkollën e re 9- vjeçare “Neim Babameto”, në Spitallë, Kryeministri Berisha u shpreh se rindërtimi tërësor i infrastrukturës arsimore, modernizimi i procesit të mësimdhënies dhe orientimi i arsimit drejt tregut janë objektiva prioritare të qeverisë. “Një vend i lirë është vend i lirë dhe u jep të rinjve mundësinë e mësimit dhe të studimit. Ne po hapim shkolla profesionale, por ende mbetet problem fakti që nxënësit dhe prindërit nuk janë të prirur drejt arsimit profesional. Por, ne duhet të punojmë bashkërisht me nxënësit në klasën e 8-të apo të 9-të, me qëllim që t’i nxisim dëshirën për të ndjekur arsimin profesional", u shpreh Kryeministri Berisha.

Më tej, Kryeministri Berisha tha se qeveria është e vendosur të zbatojë programin e saj dhe se më 1 maj do të rriten pagat për mësuesit.  “Është e vërtetë që ka një krizë botërore, kjo është reale dhe e pamohueshme.  Është e vërtetë që kjo krizë ndikon edhe tek ne, por, nga ana tjetër, është e vërtetë që kjo krizë nuk ndikon tek ne në atë shkallë që ne të mos zbatojmë programin tonë. Ndaj, me 1 maj gjithë mësuesit do të kenë rrogat e ngritura”, u shpreh Kryeministri Berisha.


14/04/2009

Më shumë nga Zyrtare

Të gjitha ›