Kryeministri Berisha: Qeveria qëndron e pamposhtur në premtimet ndaj qytetarëve
Kryeministri Berisha, në vijim të turit të tij “Shqipëria në NATO, zhvilloi sot në mbrëmje një takim me qytetarë të Beratit. Kryeministri Berisha u shpreh se Shqipëria e mori ftesën për anëtarësim në NATO, pasi qeveria shqiptare dëshmoi seriozitet në realizimin e reformave për zhvillimin dhe integrimin e vendit.
Duke bërë një panoramë të të gjitha arritjeve konkrete të qeverisë në të gjitha fushat, në luftën kundër korrupsionit, kontrabandës, informalitetit, në reformat në fushën ekonomike, sociale, arsimore, etj, Kryeministri Berisha theksoi: “Unë qëndroj i pamposhtur në premtimet ndaj jush, në betimin ndaj jush dhe sot jam këtu për t’ju thënë se jam 100 herë më i vendosur dhe i sigurt në këtë betejë”
Ndër të tjera, në fjalën e tij Kryeministri Berisha theksoi:
“Dëshiroj t’ju përshëndes në mënyrën më të përzemërt të gjithëve. Para se të ngjitesha në këtë podium, kryetar i bashkisë tuaj më pyeti nëse kisha ndier emocion të madh në 3 prill, në Bukuresht. Unë iu përgjigja se kam ndier një emocion të atillë që nuk e kam ndier kurrë në jetë. Kjo sepse, po të keni parasysh historinë tonë, asnjë komb nuk ka vuajtur më shumë se ne, nga pasiguria gjatë shekujve dhe mijëvjeçarëve, nuk ka dëshmitar më të madh se Berati, me kështjellën e tij të luftës, vuajtjes sakrificave mbi njerëzore të shqiptarëve për liri, siguri e dinjitet. Më 3 prill ne ia dolëm të mbërrijmë së bashku në brigjet e sigurisë, brigjet e shpresës, brigjet e NATO-s.
Më 4 prill, në sheshin e Shën Markut në Zagreb, Presidenti i SHBA do t’u drejtohej qytetarëve të mbarë Shqipërisë e Kroacisë se tani e tutje kushdo që do të guxojë të cenojë liritë tuaja do të përballen me fuqinë e SHBA-ve, do të përballen më fuqitë e Aleancës më të madhe të lirisë që kohërat kanë njohur në të gjithë shekujt dhe mijëvjeçarët.
Për ne shqiptarët që e patëm historinë si një njerkë të pa mëshirë, siguria e lirive tona është vendimtare për zhvillimin, prosperitetin, begatinë, integrimin tonë, dinjitetin tonë kombëtar. Ndaj dhe 3 prilli, për historinë e këtij vendi, është një nga ditët më të mëdha të të gjitha kohërave. Por në 3 prill, që nga viti 1468, për herë të parë ne, shqiptarët, vendosim flamurin tonë në familjen e flamujve të cilëve ai u përket, vendosim përfaqësuesit tanë në tryezën e kombeve të faljes të cilës ne i përkasim. .Në 3 prill ne u rikthyem jo vetëm në brigjet e sigurisë e të lirisë së sigurt, por u kthyem në gjirin e familjes, të vlerave që mbart Berati, Shqipëria, kombi ynë, një nga kombet më të lashta të këtij kontinenti.
Ne morëm ftesën pas një përpjekjeje të madhe, shumë serioze. Në 15 vjet Shqipëria faktoi se ishte një besnike e Aleancës së Veriut Portet dhe aeroporti i saj, në të gjitha rastet ishin në dispozicion të Aleancës, në misionet e saj të ruajtjes dhe bërjes së paqes në Ballkan.
Ne morëm ftesën, së pari, sepse u dëshmuam seriozë në reformat tona, sepse kjo qeveri, me transparencë të plotë, u faktoi partnerëve evropianë dhe aleatëve se siguria e qytetarëve shqiptarë, e jetës së tyre, e fëmijëve të tyre, rrugët e sigurta për shkollimin e fëmijëve të tyre, është objektivi më madhor i yni. Ndaj edhe Shqipëria që dominohej nga bandat, të cilat ishin bërë famëkeqe në mbarë Evropën, banda që qeverisnin në Lushnjë, Tiranën, Durrës, Tropojë e në qytete të tëra. Ato ishin bërë famëkeqe dhe kishin përcjellë këtë famë të keqe kudo, për ne shqiptarët, për mbarë Shqipërinë, sepse kishin krijuar përshtypjen e një vendi të rrezikshëm, e shoqërie e cila është pajtuar me të keqen, me krimin. Kurse ne kishim parësor dinjitetin dhe besonim shumë në moralin e qytetarëve shqiptarë, ndaj dhe shpallëm luftë me zero tolerancë krimit të organizuar. Mobilizuam të gjitha përpjekjet tona për t’i kapur ata kudo që ishin, në shpellat e Alpeve, në hotelet me 5 yje të Europës dhe vendosëm para ligjit 206 grupe njëri pas tjetrit, 900 anëtarë e bosë të tyre. Shqipëria sot është më e sigurt se kurrë, ajo ka sot treguesit e kriminalitetit, qartësisht nën mesataren e treguesve të kriminalitetit në vendet anëtare të BE-së. Kjo ishte një nga arsyet e para madhore me të cilat ne u faktuam aleatëve se e meritojmë ftesën, sepse ne duhet të punojmë për sigurinë më gjerë se në Shqipëri, por me kusht, pasi të kemi siguruar qytetarët tanë.
Ftesa për në NATO nuk erdhi aspak për pozicion strategjik të vendit apo konjuktura politike. Jo. Pozicioni strategjik, sot , në epokën moderne, është tërësisht tjetër nga ajo që mendohet. Ftesa për në NATO erdhi sepse ne treguam përkushtim të madh ndaj vlerave demokratike, përkushtim të madh në luftën kundër korrupsionit. Korrupsioni ishte sistem në vetvete.
Sërish, unë e di, ju përballeni me korrupsionin, sërish ka mitmarrje, ka mjek që ndyjnë bluzën e tyre duke u marrë juve para për t’u ofruar shërbimin, sërish ka gjykatës matrapazë që në vend të të së drejtës, bëjnë jo të drejtën, sërish ka prokuror që në vend të dënimit bëjnë antidënimin. Por këto raste, bëhen e do të vazhdojnë të bëhen çdo ditë e më të pakta, sepse qeveria, ditën e parë u zotua para jush për këtë situatë.
Më lejoni t’ju tregoj sot se çfarë kemi bërë. Së pari, nxorëm administratën jashtë konfliktit të interesit. Leva e Arkimedit për korrupsionin është konflikti i interesit. Sot nuk ka zyrtarë të udhëheqin monopole private si në qeverinë e mëparshme me monopolin e ushqimit, të naftës, të ndërtimeve. Nuk do të ketë asnjëherë të tilla gjëra.
Së dyti, ne vendosëm disa kritere në zyrat tona, me të cilat ne nuk mund të përdorim paratë tuaja për qëllime private apo personale, për pritje e orgjia të pa motivuara, për udhëtime luksi etj. Kjo solli një shkurtim të shpenzimeve në zyrat e kryeministrisë prej rreth 50 për qind, shkurtim të shpenzimeve operative në administratë, në shkallë vendi prej 31 përqind, duke realizuar një kursim prej 110 milionë euro. Ky është një nga rezultatet më madhore të luftës kundër korrupsionit.
Sot sërish ka korrupsion, por dua t’ju them se situata është tërësisht tjetër. Ditën që kemi ardhur në pushtet, në mijëra borde në këtë vend, kemi gjetur zyrtarë që ishin anëtarë në 20 borde dhe në të gjitha këto zyrtarët caktonin rrogat lart e më lart, në mënyrë që të shpërbleheshin në përqindje me rrogën e tyre. Me një vendim të qeverisë sonë, kjo piramidë korrupsioni u shemb. Askush nuk mund të jetë anëtarë në më shumë se 3 borde dhe askush nuk mund të vendosë më shumë se një të tretën e rrogës së një drejtori, rrogë e cila s’mund të jetë asnjëherë më e madhe se e Sekretarit të Përgjithshëm të ministrisë. Kjo nismë çliroi qindra e qindra milionë lekë.
Të gjithëve u kujtohej se cili ishte pazari që bëhej për hyrjen e një studenti në universitet. Më thoni nëse në dy vitet e fundit keni parë apo dëgjuar qoftë edhe një rast të vetëm korrupsioni për pranimet në universitete. Absolutisht asnjë. Kryeministri i këtij vendi dhe asnjë zyrtar nuk ka patur fuqi të fusë në universitetin e këtij vendi asnjë student. Që të gjithë e kanë fituar këtë të drejtë mbi bazën e meritës.
Kur ne kemi ardhur në pushtet, 70 për qind e prokurimeve bëheshin direkt, pra e drejta i jepej atij me të cilin zyrtari do të ndante paratë. Në vitin 2007 në Shqipëri nuk ka patur asnjë prokurim direkt, sepse ne bëmë ligjin që e ndalon këtë mënyrë prokurimi. Nëse në fillim, në 40 për qind të dosjeve të tenderëve, jepej e drejta vetëm atyre që dëshironin zyrtarët, sot çdo qytetarë shqiptar mund të tërheqë nga kompjuteri çdo dosje prokurimi, nga Konispoli deri në Tropojë. Tani po kalojmë në prokurimin e plotë elektronik. Rezultati ka qenë 23 për qind e uljes së kostos së prokurimeve.
Ne erdhëm në pushtet në një vend ku informaliteti, kontrabanda e korrupsioni ishin në kulm të tyre. Vetëm në tatime e dogana atyre humbitnin 1.4 miliardë dollarë dhe që të gjitha përfundonin në xhepat e kontrabandistëve, zyrtarëve të korruptuar, evazorëve. Sot, pasi kemi ulur 150 përqind tatim fitimin, nga 28 përqind e kemi çuar 10 përqind, pasi kemi ulur tatimin mbi të ardhurat personale nga 23 në 10 përqind, sigurimet shoqërore në 31 për qind, një seri tarifash të tjera në 1 euro, ne fusim sot në arkën e buxhetit, në arkën tuaj të dytë, 1.2 miliardë dollarë më shumë. Çdo muaj qershor ne kemi dërguar një buxhet të dytë në parlament dhe edhe këtë vit do a bëjmë këtë. E tërë kjo shifër, vetëm duke ua marrë nga kthetrat kontrabandistëve, evazorëve, e zyrtarëve të korruptuar.
Ne e kishim shpallur këtë objektiv edhe pa u mundësuar privatizimi i ARMO-s. Tashmë edhe ky privatizim e rriti edhe më shumë këtë objektiv. Cilat janë privatizimet e rëndësime të realizuara nga kjo qeveri? Privatizuam bankën Italo- Shqiptare me 46 milionë euro, duke trefishuar kapitalin e vendosur aty. Privatizuam Telekomin. Prishja e kontratave është një akt i rëndë kur ke të bësh me raportet mes dy vendeve, por ne i nxorëm edhe 100 milionë dollarë të cilat po zhdukeshin nga kjo pasuri dhe, nga 110 milionë, ky privatizim shkoi në 190 milionë. Pra, bëmë më të mundshmen, më të mirën. Për sa i përket ARMO-s, 4 vjet më parë, ne treg, ajo ka patur ofertën për t’u blerë vetëm me 10 milionë euro dhe 4 vjet më parë asetet e saj janë vlerësuar gjithsej 20 milionë euro. Ne e shitëm 128 milionë euro dhe 250 milionë të tjera do të bëhen investime në fushën e naftës. Ne e realizuam këtë sepse punuam me përkushtim, i realizuam privatizimet me transparencë dhe për interesin tuaj më të mirë dhe jo të zyrtarëve të korruptuar.
Sërish them se ende edhe sot ka mjekë, nëpunës, gjykatës, prokurorë, të cilët për t’ju dhënë ju të drejtat u presin gjobën. Un ju bëj thirrje të mblidhemi fuqishëm kundër tyre. Unë ju garantoj se Kryeministri i Shqipërisë do të jetë tërësisht pas jush. Të mos lejojmë një grusht horrash e faqezinjsh të nëpërkëmbin moralin tonë. Ne jemi komb i NATO-s, jemi komb i Bashkimit Europian. E gjithë forca jonë qëndron në vlerat tona, në moralin tonë. Qeveria ka bërë dhe do të bëjë shumë më tepër në këtë drejtim. Lufta kundër korrupsionit është betejë kryesore dhe unë ju jap fjalën e nderit se ne do të bëjmë çdo ditë e më shumë këtë luftë dhe do ta fitojmë. Por kërkoj edhe mbështetjen tuaj, ndihmën tuaj morale, vlerat tuaja morale që të mos pranoni t’ju nëpërkëmbin, t’ju poshtërojnë, horrat apo faqezinjtë që për të firmosur për të drejtën tuaj, ju vjedh kuletën. Sa më shumë të qëndrojmë së bashku aq më shpejt do të arrijmë qëllimet tona. Ndaj, edhe njëherë, janë 1.2 miliardë euro të mbledhura nga aferat e kontrabandistëve, janë 110 milionë euro nga zyrtarët abuzivë, janë qindra milionë nga prokurimet.
Por këto s’mjaftojnë. Duhen shumë masa të tjera. Duhet që mjeku t’ju shërbejë si shërbëtor, duhet që gjykatësi të japë vendimin mbi bazën e ligjit të një vendi demokratik dhe jo fatkeqësisht të mbrojë vrasësin, siç ndodhi në Elbasan me kryetarin e Gjykatës së Elbasanit. Ky rast është tmerrësisht tronditës. Motra e viktimës më shkruante: Ma vranë vëllanë tek hynte te dera e shtëpisë. Personi u arrestua por Kryetari i Gjykatës e liroi. Kishte paralajmëruar që do e lironte. Dhe ky faqezi ia mbathi. Por do ta ndjekim edhe pas diellit. Ia mbathi me paratë që i dha vrasësi. Kjo është një ngjarje tronditëse. Janë 7 minatorë njëri pas tjetrit që lanë jetën në Bulqizë dhe në të gjitha këto raste, prokurorët e këtij rrethi ndajnë paratë me hajdutët. Ndaj ne duhet, që së bashku ta vazhdojmë këtë betejë. Unë qëndroj i pamposhtur në premtimet ndaj jush në betimin ndaj jush. Sot jam këtu për t’ju thënë se jam 100 herë më i vendosur dhe i sigurt në këtë betejë.
Qytetarë të Beratit!
Ftesën e NATO-s ne e morëm sepse i faktuam botës dhe partnerëve tanë se kemi përkushtim të madh për të modernizuar Shqipërinë. Me paratë tuaja ne po shndërrojmë në realitet premtimet e bëra. Sot, gjithë ditën, e kam kaluar duke takuar qytetarë, fermerë, duke inauguruar dhe inspektuar vepra për të cilat unë jam zotuar para jush dhe qeveritarëve tuaj. Inauguruam rrugën e Lumasit, i premtova kryetarit të bashkisë suaj, të cilin e përgëzoj për punën që ka bërë deri tani, se do realizojmë ndërtimin e urës dhe projekti i urës do nisë menjëherë, i premtova mbështetje për terrene sportive, pra i premtova mbështetje për 12 projektet e tij. Erdha në Berat, inaugurova rrugën, që ishte një premtim i bërë. Inspektuam me kryetarin e bashkisë punimet në urën e re të Beratit, madhështore, e bukur, vepra e parë e boshtit qendror të jugut. Unë ju jap fjalën dhe dua t’i informoj qytetarët e Beratit se nëse studimi i para për të nuk ia vlente, kam porositur një studim të dytë dhe do ta bëj këtë derisa të gjendet studimi që do ia vlejë më shumë. Nuk mund të lemë ne Beratin qytet 2500 vjeçar si qytet fundor, sepse Berati është epiqendër, Berati i bën nder shqiptarëve, kombit, ai duhet të ketë të gjithë trafikun ndërkombëtar që meriton.
I kërkova ministrit të Transporteve dhe Telekomunikacionit dhe kryetarit të bashkisë të tenderojnë menjëherë rikonstruksionin e bulevardit të qytetit dhe të inaugurojmë urën dhe bulevardin bashkërisht. I kërkova ministrit të ecet me rregullimin e hyrjes së Beratit, një nga hyrjet më moderne të Shqipërisë.
Sot, me kryetarin e bashkisë kemi rënë dakord të punojmë këtu me intensitet për të hapur këtu universitetin. Në shkollën Bab Dud Karbunara, unë pyeta nxënësit e një mature se si mendonin për të vazhduar universitetin, të gjithë më thanë se kishin vullnet për të shkuar në shkollë të lartë. Unë iu thashë se që të gjithë do shkoni. . Shkolla kishte 3 kabinete me internet. U jap fjalën se në çdo shkollë të Shqipërisë brenda këtij viti do të ketë kabinete informatike.
Unë e di që ne jemi njerëz që kemi halle dhe interneti ndonjëherë mund të tingëllojë si luks, por absolutisht jo. Do të jetë e shkurtër koha kur do ju faktojmë se ai sjell shërbimet më të shkëlqyera për ju, sepse siguron transparencën më të madhe dhe shërbimet më të lira për ju. Duke u përvetësuar kjo teknologji nga gjithë nxënësit, kjo do të ndikojë deri tek prindërit e tyre, te të gjithë shqiptarët. Ne duhet të ecim të sigurt drejt asaj moshe, moshës digjitale, sepse është mosha e modernitetit, mosha e zhvillimit.
Ne kemi ndërmarrë në mbarë vendin me qindra e qindra projekte. Në qarkun e Beratit investimet tona janë 4 herë më shumë se në qeverinë e mëparshme. Kanë investuar në atë qeverisje 200 milionë, ndërsa ne investojmë 800 milionë, pa llogaritur investimet e reja, hyrja e Beratit, boshti i Jugut, për të cilin ju jap fjalën se do të jetë edhe ai një realitet i madh për ju dhe shqiptarët. Kudo, nga Saranda në Valbonë, rrugët e Shqipërisë janë në rindërtim. Vetëm nga Levani në Konispol janë mbi 850 kilometra autostradë dhë rrugë kombëtare në ndërtim e sipër. Ne do ta bëjmë Shqipërinë me rrugë moderne që shpejtojnë zhvillimin e vendit. Unë ju jap fjalën se brenda 3-4 viteve, ky vend do të ketë sistemin rrugor më europian.
Me gjithë problematikat, ne nuk kemi lënë dhe nuk do të lemë kurrë pas dore pensionistët tanë. Vërtetë ne po dyfishojmë investimet për fëmijët tanë, po dyfishojmë rrogat për mësuesit e tyre, po trefishojmë investimet në arsimin e lartë, kemi dyfishuar numrin e studentëve dhe do shkojmë drejt trefishimit të tij. Por dua të siguroj pensionistët në fshat e në qytet se do të jenë gjithnjë në agjendën e kësaj qeverie për të përmirësuar jetën e tyre. Premtuam pensionin minimal 100 dollarë dhe e realizuam atë 1 vit e gjysëm para kohe. Sot, ka në treg rritje të çmimeve dhe unë ju garantoj se kjo rritje do t’u kompensohet qindarkë për qindarkë pensionistëve, rrogëtarëve, atyre që janë me ndihmë ekonomike.
Prania e kryetarit të bashkisë, përfaqësues i një force tjetër politike, më obligon të kufizohem në një polemik me rivalin dhe kundërshtarin tim politik, por dy gjëra do t’i them; Nëse vjen në Berat, duhet të shikosh shkollën Bab Dud Karbunara, Mos thuaj ku është interneti sepse ai ja ku është. E dyta, duhet ta harrosh garën e ruajtjes së premtimeve. Unë jam njeri i fjalës së dhënë, i fjalës së mbajtur. Unë e kam shumë të thjeshtë qëndrimin tim; mendohem shumë herë para se të premtoj, por nëse premtoj, në mënyrë absolute nuk i ndahem premtimeve. Mos më imito me premtime e të tilla gjëra, sepse e ke kot.
Edhe njëherë dua t’ju përshëndes dhe të zotohem këtu, se qeveria, në mënyrën më serioze, do të punojë që sa më shpejtë ne të jemi anëtarë të plotë të NATO-s, që sa më shpejt ju, qytetarët e këtij qyteti ndër më të famshmin në rrafshin historik në trevat ballkanike, të lëvizni të lirë në të katër anët e Europës, si qytetarë të Europës. Ndaj le të vazhdojmë së bashku projektet. Dua ta mbyll këtë fjalë duke shprehur nderimin më të madh për ju, për gjithë qytetarët e këtij rrethi, të cilët, me shpirtin e tyre, me punë e tyre të mrekullueshme, të obligojnë dhe të detyrojnë aq shumë. Ju garantoj se, nga viti në vit, për ju, investimet dhe projekte do të dyfishohen”.