Kryeministri Berisha: Do te shumefishojme investimet ne vazhdimesi per komunat e Beratit
- Komunat e Beratit të marra së bashku, qarku i Beratit kanë marrë këto vite nga qeveria, katër herë më shumë investime se c’kanë marrë në 6 vitet e qeverisë së mëparshme.
Në vijim të vizitës në qytetin e Beratit, Kryeministri u ndal në një takim me banorë të komunës së Otllakut. Duke falënderuar banorët, për ftesën e bërë, për të marrë pjesë në përurimin e një sërë veprave të rëndësishme, kryeministri Berisha i përgëzoi ata për punën e mrekullueshme të bërë në tokat bujqësore.
“Së pari ju falënderoj me shumë mirënjohje ju, për këtë nder që më bëtë duke më ftuar sot, që të inaugurojmë së bashku me ju disa inaugurime shumë të rëndësishme për komunën tuaj, por së dyti dua tu jap përshëndetjet më vëllazërorë, nderimin më të madh, respektin më të thellë për punën e mrekullueshme që keni bërë në ngastrat dhe tokat tuaja, i keni qëndisur ato me vreshta, ullishte, pemë frutore, gjithçka , duke bërë që komuna juaj të frymëzojë çdo fermer në Shqipëri.”
Kryeministri vuri në dukje me kënaqësi punën e mirë të pushtetit lokal për përmirësimin e infrastrukturës së zonës, si dhe zhvillimit të arsimit nëpërmjet financimit të bursave për 90 djem dhe vajza të kësaj komune. “Në takimin që pata në komunë, kryetari juaj më njohu me te gjitha projektet e realizuara per ju. Me konceptin e tij të shkëlqyer në qeverisjen e kësaj komune, kjo komunë i ka dhënë mbështetje 90 djemve dhe vajzave për vazhdimin e studimeve universitare, më shumë se çdo bashki e madhe e Shqipërisë.”
Duke garantuar mbështetjen e plotë të qeverisë për realizimin e 12 projekteve të tjera për komunën, Kryeministri i emërtoi këto projekte, si 12 premtime të tij. “Kryetari juaj më informoi se ka gati edhe 12 projekte të tjera dhe këto do ti quajmë 12 premtime të kryeministrit të Shqipërisë dhe unë ju jap fjalën se që të gjitha do ti financojmë.”
Kryeministri u shpreh se qeveria do ti japë përparësi realizmit të projektit për ndërtimin e rrugëve dytësore dhe modernizmit të mëtejshëm të infrastrukturës, si dhe zhvillimit dhe transformimit të institucioneve sociale, kulturore, sportive, në dobi të edukimit dhe argëtimit të të rinjve. “Inauguruam rrugën e Lumasit. Sot banorët e Lumasit për 10 minuta kapin rrugën nacionale. Unë dua të përgëzoj kryetarin e komunës për korrektesën dhe punën e tij. Është rikonstruktuar një pallat kulture modern në të gjitha mjediset. Jam këtu para jush për ti kërkuar që këtë terren sportiv ta shndërrojmë në një teren të shkëlqyer sportiv për të rinjtë dhe të rejat e këtij qyteti.”
Kryeministri garantoi se qeveria do të shumëfishojë investimet për banorët e zonës, për të përmirësuar në vazhdimësi cilësinë e jetës së tyre.
“Edhe njëherë dua tu përshëndes dhe garantoj se do të shumëfishojmë investimet për ju. Sot, komuna e Otllakut ka marrë gjatë një viti, investime nga qeveria , aq sa cka marrë në 5 vitet e qeverisjes së mëparshme. Komunat e Beratit të marra së bashku, qarku i Beratit kanë marrë këto vite nga qeveria, katër herë më shumë investime se c’kanë marrë në 6 vitet e qeverisë së mëparshme.” tha Kryeministri.