E Diel, 1 Nëntor 2026

Kryeministri Berisha vizitoi kabinetin e informatikës në shkollën “Bab Dud Karbunara”

Në vazhdim të vizitës në qytetin e Beratit, Kryeministri Berisha vizitoi kabinetin e informatikës në shkollën “Bab Dud Karbunara”. Ky është kabineti i tretë i informatikës në këtë shkollë, përbëhet nga 16 kompjuter dhe është realizuar në kuadër të nismës së ndërmarrë nga qeveria për shtrirjen e internetit në të gjitha shkollat.

Duke e cilësuar këtë projekt si një përparësi madhore të qeverisë, Kryeministri Berisha u shpreh se brenda këtij viti të gjitha shkollat e vendit do të kenë kabinete informatike dhe shërbime interneti. “Vetëm në muajt e fundit numri i shkollave me kabinete informatike ka arritur në rreth 880 dhe brenda këtij viti shërbimi i internetit do të shtrihet në të gjitha shkollat e Shqipërisë”, u shpreh Kryeministri Berisha.

Më tej, Kryeministri Berisha u shpreh se do të punohet për një përdorim sa më të gjerë internetit, në programe dhe lëndë të tëra.
“Po përpiqemi që me shpejtë të kalojmë në programe aktive të përdorimit të internetit dhe kompjuterit. Fillimisht, ju do të jeni pasuesit që do ta merrni përsipër këtë sepse interneti për moshën tuaj është më i domosdoshëm, por po kaq i rëndësishëm dhe për baballarët dhe gjyshërit tuaj. Të gjithë duhet të përpiqemi që të kapim me shpejtësi moshën e internetit. Dhe, kur të vijë këtu rivali im, merreni në këtë shkollë dhe thojini të klikojë bashkë me ju në internet, sepse çdo shqiptar duhet ta dijë që ne po punojmë seriozisht për internetin”, u shpreh Kryeministri Berisha.

Kryeministri tha se me miratimin e ligjit për komunikimin elektronik është hapur rruga për përshpejtimin e shërbimeve të internetit. Në bazë të një marrëveshjeje të bërë me Albtelekomin, Kryeministri u shpreh se për abonentët do të vendosë 200 000 ADSL abonentëve, ndërkohë që do të vijohet me Wimax dhe në të gjitha format në mënyrë që të garantojmë furnizimin më të fuqishëm me internet. 

Në vazhdim Kryeministri tha se për realizimin sa më të shpejtë të këtij programi krahas ministrisë së Arsimit do të angazhohen organet e pushtetit lokal, si Bashkitë dhe Komunat.

Më shumë nga Zyrtare

Të gjitha ›