E Diel, 1 Nëntor 2026

Kryeministri Berisha: Qeveria e angazhuar në një seri investimesh në Berat

-       Kryeministri Berisha përuron përfundimin e fazës së parë të rikonstruksionit të rrugës së Vakëfit, në qytetin e Beratit

Kryeministri Berisha përuroi përfundimin e fazës së parë të rikonstruksionit të rrugës së Vakëfit, në qytetin e Beratit. Rikonstruksioni i fazës së parë të kësaj rruge, me gjatësi 1.2 kilometra, është financim me vlerë 50 milion lekë dhe pas saj do të vazhdohet me fazën e dytë për përfundimin e plotë të rrugës. Në ceremoninë e përurimit morën pjesë edhe ministri i Punëve Publike, Transportit dhe Telekomunikacionit Sokol Olldashi dhe kryetari i bashkisë së Beratit Fadil Nasufi.

Kryeministri Berisha tha se qeveria është e angazhuar në një seri projektesh e investimesh për përmirësimin e infrastrukturës së qytetit të Beratit dhe projektesh të tjera.

“Në Berat, ne jemi angazhuar me një seri projektesh dhe investimesh të rëndësishme në infrastrukturë veçanërisht për bulevardin kryesor të qytetit, bulevardin që të çon tek ura e re, rruga Pal Golemi”, një tjetër urë është ndërtim, rruga e Drobonikut dhe një seri projektesh të tjera që do të marrin financime të reja edhe në buxhetin suplementar.

Sërish qeveria ka një buxhet suplementar këtë vit dhe ne do t’u kalojmë këtë shumë komuniteteve dhe qeverive vendore në përdorim. Me kryetarin e bashkisë kemi rënë dakord të nisim punën për hapjen e universitetit të Beratit, të vendosim godinën e bashkisë në një ndërtesë të re, të përshtatshme dhe dinjitoze.”

Kryeministri Berisha shprehu bindjen për zhvillimin e shpjet të Beratit, një qytet për të cilin interesi i vizitorëve vendas dhe të huaj është gjithnjë në rritje.  

“Unë e shoh me shumë optimizëm zhvillimin e këtij qyteti dhe zgjimin gjithnjë e më të madh të interesit të turistëve shqiptar e të huaj për të vizituar Beratin. Nuk ka ndonjë qytet tjetër që t’u tregojë më shumë vizitorëve sesa Berati,” u shpreh Kryeministri.

Kryeministri Berisha po zhvillon një vizitë në rrethin e Beratit, gjatë së cilës ka përuruar disa veprave të rëndësishme publike për këtë rreth.

Më shumë nga Zyrtare

Të gjitha ›