E Diel, 1 Nëntor 2026

Kryeministri Berisha: Bonus për firmat që dorëzojnë punimet para afatit

-       Kryeministri inspekton punimet për ndërtimin e urës që lidh Beratin me Përmetin, të cilën firma ndërtuese pritet ta përfundojë 15 muaj para afatit të parashikuar

Kryeministri Berisha inspektoi sot ecurinë e punimeve për ndërtimin e urës së re që lidh qytetin e Beratit me Përmetin, investim i buxhetit të shtetit me vlerë rreth 200 milion lekë. Në bashkëbisedim me drejtuesit e firmës ndërtuese, Kryeministri Berisha i përgëzoi ata për angazhimin e tyre për ta përfunduar rrugën 15 muaj para afatit të parashikuar. Kryeministri i kërkoi ministrit të Punëve Publike, Transportit dhe Telekomunikacionit të përcaktojë bonusin për këtë kompani për përfundimin e punimeve para afatit. Kryeministri u shpreh se ndërtuesit që avancojnë punimet duhet të shpërblehen.

Kryeministri Berisha tha se edhe rruga që të çon tek Ura e re do të trajtohet me përparësi dhe do të marrë menjëherë financimin. “Ura është vepra e parë e boshtit qendror të jugut. Unë jam njeri që persistoj në ato që besoj dhe kam bindjen se ky bosht është i domosdoshëm. Po bëhet studimi i dytë për të dhe pas tij edhe projekti,” tha Kryeministri.

Gjithashtu, Kryeministri theksoi se do të financohet edhe rruga që të çon në Drobonik dhe i kërkoi Ministrisë së Transportit të fillojë procedurat e tenderimit, në mënyrë që rruga dhe ura të përfundojnë së bashku. Në këtë mënyrë, u shpreh Kryeministri, ne vazhdojmë të mbajmë një pas një premtimet tona.

Më shumë nga Zyrtare

Të gjitha ›