Kryeministri Berisha: Qeveria shfuqizon vendimin e qeverisë Meta për trojet në bregdet
Gjatë mbledhjes, Kryeministri Berisha tha se me këtë vendim ish Kryeministri Ilir Meta u dorëzoi firmave rentiere si pronësi një tokë që ato nuk e kishin kurrë në pronësi. Ky vendim, theksoi Kryeministri, u bë për qëllime përfitimi personal, duke u dhënë pjesët më të bukura të bregut firmave rentiere dhe për t’jua marrë me klanin e tij.
Kryeministri e konsideroi vendimin e vitit 2001 të karakterit arbitrar, i marrë jashtë kompetencave ligjore të Këshillit të Ministrave, për të urdhëruar regjistrimin në pronësi të shoqërive huamarrëse të sipërfaqeve të trojeve në pronësi të shtetit.
Vendimi është një veprim i paligjshëm, pasi regjistrimi duhet të vinte si rezultat i një veprimi juridik kalimi pronësie nga shteti tek pronari privat. Këshilli i Ministrave nuk mund të marrë vendime regjistrimi të një prone të caktuar. Këshilli i Ministrave si pronar i pronës shtet kryen veprime me pronën shtet, por regjistrimi i saj është subjekt i sistemit të regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme, i cili funksionon mbi bazën e ligjit të regjistrimit.