Kryeministri Berisha: Qeveria shqiptare, përpjekje të vazhdueshme për shkollimin dhe punësimin më të mirë të të rinjve
Sot pasdite, Kryeministri Berisha zhvilloi në qytetin e Pogradecit një takim me të rinj, të Forumit Rinor të Partisë Demokratike të këtij qyteti, nga ku 100 prej tyre u anëtarësuan në Partinë Demokratike.
Gjatë këtij takimi, Kryeministri siguroi se qeveria shqiptare do të bëjë çdo përpjekje për shkollimin dhe punësimin më të mirë të të rinjve shqiptarë, duke u krijuar atyre të gjithë hapësirën e nevojshme për realizimin sa më shpejtë të projekteve të tyre.
Në fjalën e tij, kryeministri u shpreh:
“Të dashur të rinj dhe të reja, anëtarë, që nga sot, të Partisë Demokratike, partisë e cila përmbysi regjimin më të egër komunist të Evropës, partisë, që në Shqipërinë tërësisht kolektiviste, ndërtoi ekonominë tregut, si dhe shoqërinë e lirë, nga një shoqëri totalitare. Parti e cila ka patur përkushtimin dhe detyrimin e shndërrimit në realitet të ëndrrës së rinisë shqiptare, shndërrimin e Shqipërisë, në një Shqipëri evropiane, integrimin e Shqipërisë në NATO dhe në BE.
Anëtarësimi juaj sot në Partinë Demokratike është një ngjarje shumë e madhe, për ju, familjet tuaja dhe të gjithë familjen e madhe të demokratëve shqiptarë, që mezi presin kontributin tuaj, përkushtimin dhe devocionin tuaj për të çuar përpara , projektet e mëdha të zhvillimit, të Pogradecit, të zhvillimit të Shqipërisë, të integrimit të Shqipërisë në BE dhe NATO.
Anëtarësimi juaj sot në Partinë Demokratike përbën një detyrim madhor të kësaj partie që në të gjitha përpjekjet e saj së pari, të vendosë qytetarin dhe të parin e të parëve të ketë rinjtë shqiptarë. Unë ju jap fjalën ju, se qeveria do të bëjë çdo përpjekje që vendin dhe shoqërinë tonë ta ngrejë në pastërtinë tuaj morale. Ti japë Shqipërisë moralin tuaj.
Do të bëj çdo përpjekje për shkollimin dhe punësimin më të mirë tuajin. Do të bëj çdo përpjekje për tu krijuar ju, të gjithë hapësirën e nevojshme që ju të bëni me shpejtësi realitet projektet tuaja.
Partia Demokratike erdhi në pushtet tre vjet me parë. Në këto tre vjet ajo ka bërë që ky vend të ndryshojë më shumë se kurrë ndonjëherë në historinë e tij. Nga një vend i skajuar, ndaj të cilit fjalën e mirë pothuajse askush nuk e thoshte, për shkak të gjëmave dhe bëmave, të bandave që sundonin në vend, për shkak të korrupsionit që gjallonte në vend. Ndërsa sot ky vend arriti te marre ftesën për anëtarësim në NATO.
Shqipëria sot ka një imazh tjetër. Ajo në këto tre vite dyfishoi numrin e turistëve dhe emri i saj i bë gjithnjë e më i mirënjohur në botë. Shqipëria e cila tre vjet më parë numëronte 52 mijë studentë ka sot 102 mijë studentë dhe së shpejti do të ketë 140 mijë. Ne jemi të vendosur të investojmë në shkollimin tuaj. Ne jemi të vendosur të bëjmë cdo përpjekje për punësimin tuaj, jemi të vendosur të krijojmë në Shqipëri standardet më të mira për biznesin në mënyrë që vendi të zhvillohet me shpejtësi.
Ju anëtarësoheni sot në Partinë Demokratike. Unë mund tu quaj ju gjenerata e NATO-s sepse jeni gjenerata e NATO-s.
Kur së bashku me studentet dhe të rinjtë e Tiranës në vitin 90 brohorisnim “Shqipëria në NATO”, NATO-ja na dukej me vite drite larg, por ne besonim në ëndrrën tonë dhe insistuam , kurse ju sot e keni NATO-n në dorën tuaj.
Ju nuk e keni më larg, siç e kishim ne, por ju jeni të rinjtë e një vendi anëtar i plotë i NATO-s. Jeni gjenerata e parë që rriteni tërësisht në liri, që nuk keni vite të këputura në diktaturë siç i kemi ne.
Jeni gjenerata e parë që rriteni me dinjitet të plotë. Jeni gjenerata më e bukur, më e fuqishme dhe më mrekullueshme e këtij kombi. Ndaj ju uroj ju sot, ju jap fjalën se projektet, posaçërisht ato për rininë do ti shndërrojmë në realitet. Ju uroj suksese.”