Kryeministri Berisha takohet me qytetarë të Pogradecit
Në përshëndetjen e tij, Kryeministri Berisha siguroi se qeveria po punon me përkushtim për realizimin e të gjitha reformave të domosdoshme, me synim kryesor dy projektet madhore të vendit, integrimin e plotë në NATO dhe në Bashkimin Evropian. Kryeministri tha se sot, çdo shqiptar duhet të ndihet krenar, sepse Shqipëria është absolutisht vetëm një hap larg Evropës. “Shqipëria në NATO është Shqipëria zonjë, Shqipëria drejt Bashkimit Evropian dhe shqiptarët në lëvizje të lirë, është Shqipëria zonjë”, theksoi Kryeministri.
Më pas ai, bëri një përmbledhje të arritjeve konkrete të punës së qeverisë në të gjitha fushat, në infrastrukturë, ekonomi, arsim, shëndetësi, zhvillimin social, si dhe reformat në shumë aspekte të tjera, reforma të cilat bënë të mundur që vendet anëtare të NATO-s të besojnë te Shqipëria dhe zhvillimi i saj dhe t’i japin ftesën për anëtarësim në NATO..
Në fjalën e tij, ndër të tjera, Kryeministri u shpreh:
Të nderuar qytetarë të Pogradecit!
Shfrytëzoj sot këtë rast për t’u përshëndetur vëllazërisht me ju, për të përshëndetur të gjithë pogradecarët kudo që janë sot. Dua t’ju falënderoj për pritjen e ngrohtë që më rezervuat. Kam ardhur këtu për t’u raportuar për të gjitha përpjekjet e qeverisë që unë drejtoj, realizimet e projekteve , duke filluar, nga asfaltimi i një rrugice apo ndërtimi i një qendre shëndetësore tek integrimi i vendit në NATO dhe BE.
Viti 2008 është viti i zhvillimeve ndër më të mëdhatë në historinë tonë kombëtare. Kombi shqiptar këtë vit fitoi prestigj, dinjitet, siguri, që nuk i ka njohur kurrë më parë. Këtë vit, gjysma kombit shqiptar, pas përpjekjesh mbinjerëzore, në një kryevepër të vërtetë të qëndresës të njeriut për dinjitet, liri dhe pavarësi fitoi pavarësinë. Sot, shqiptarët në Kosovë janë të lirë dhe të pavarur. Sot, të gjithë shqiptarët kudo që janë, ndihen krenarë, kanë ballin lart dhe janë të lirë si kombet e tjera.
Pavarësia e Kosovës është një nga aktet më të ndritura, jo vetëm në historinë tonë kombëtare, por një nga aktet më madhore në historinë e Evropës pas luftës së dytë botërore, pasi ajo korrigjon një padrejtësi shumë të rëndë qyq u bë ndaj shqiptarëve. Pavarësia e Kosovës nuk erdhi si rezultat i konjukturave politike , por erdhi si rezultat i përkushtimit, vetëmohimit, heroizmit, qëndresës, largpamësisë së popullit shqiptar në Kosovë e kudo që ishte. Viti 2008 do të mbetet një vit i madh në historinë e këtij kombi sepse pas përpjekjesh të mëdha shqiptarët ia dolën të vendosën flamurin e tyre , flamurin më të vjetër të Evropës, krahas flamujve të vendeve më të mëdha dhe më të lira të botës.
Më 3 prill Shqipëria u ftua të bëhet anëtare e plotë e NATO-s. Kjo është garancia më e madhe që kemi marrë ne, në të gjithë ekzistencën tonë, për të ndërtuar si njerëz të lirë të sotmen dhe të ardhmen tonë. Presidenti amerikan Xhorxh Bush do të deklaronte në mes të Zagrebit se tani e tutje kush do që të do të guxojë t’ju prekë ju lirinë, shqiptarëve dhe kroatëve, do të përballen me fuqinë e Shteteve të Bashkuara të Amerikës.
Për vendin tonë nis një epokë krejt tjetër, epokë që nuk e kemi njohur kurrë më parë, epokë e sigurisë së lirive tona. Në qoftë se ne hedhim sytë dhe shohim shkallën e zhvillimit tonë me shkallën e zhvillimit të vendeve të tjera, diferenca e parë e madhe ka qenë liria, ata kanë qenë të lirë, ne nuk kemi qenë të lirë, sepse pasuritë tona janë përrallore, janë pasuri të cilat do ta shndërrojnë Shqipërinë në një nga vendet më të zhvilluara të rajonit dhe të Evropës.
Ftesa për anëtarësim në NATO përbën njërin nga dy projektet madhore në historinë e kombit tonë. Nuk ka qenë aq e thjeshtë kjo rrugë dhe ajo erdhi për meritë të punës, përkushtimit të Shqipërisë dhe shqiptarëve dhe mbështetjes që u dha për këtë arsye nga miqtë e Shqipërisë dhe shqiptarëve, kudo në botë, me në krye SHBA.
Shqipëria nuk u pranua në NATO thjesht sepse ka një pozicion strategjik, siç duan ta paraqesin disa. Të dashur qytetarë të Pogradecit, në kohën e aeroplanmbajtëseve dhe teknologjive të tjera ushtarake, konceptet e pozicioneve strategjike janë krejt të ndryshme nga sa ishin 40 apo 50 vjet më parë. Shqipëria nuk u pranua në NATO, as për faktin se ishte interesi i rajonit për këtë gjë, por ajo mori ftesën për në NATO sepse u dëshmoi vendeve anëtare të NATO-s, në 15 vjet, një bashkëpunim besnik. Gjithsesi, kjo nuk mjaftonte.
Shqipëria u pranua në NATO para së gjithash dhe mbi të gjitha, sepse ndërmori këto vitet e fundit reformat më të thella, së pari kundër krimit të organizuar. NATO është aleanca e sigurisë dhe asnjë vend nuk mund të pranohet në të, nëse nuk ka standarde sigurie. Nuk mund të pranohesh në NATO, nëse qytete, fshatra, krahina apo zona, sundohen nga bandat e kriminelët. Jo! Për këtë gjë të jemi realist. Aq sa mund të duket kjo gjë e parëndësishme, aq është një mur i pa kapërcyeshëm. Duhet të japësh prova të qarta se ke siguruar jetën e qytetarëve të tu, duhet të japësh prova të qarta se po lufton me zero tolerancë krimin. Këtë gjë ne e bëmë me vendosmërinë më të madhe.
Të gjithë atyre që iu dukej e tepërt kur ne numëronim bandat që shkatërroheshin njëra pas tjetrës në mbarë Evropën, në botën e mafies shqiptare, sot iu them se ftesa në NATO do të ishte një horizont i pa arritur, në qoftë se bandat do të sundonin në Shqipëri. Në këtë kontekst, kanë një meritë të jashtëzakonshme të gjitha institucionet që e shndërruan Shqipërinë në një nga vendet e sigurisë më të madhe në rajon dhe në Evropë, në një nga vendet me tregues të kriminalitetit nën mesataren e treguesve të kriminalitetit në Bashkimin Evropian.
Shqipëria u pranua në NATO sepse dha dëshmi të qarta se është e vendosur të luftojë korrupsionin. Në asnjë rast dhe në asnjë rrethanë, pa këtë kusht, Shqipëria nuk mund të ecte drejt NATO-s, pasi nëse të tjerët mendojnë apo konkludojnë se ti po shpërdoron taksat dhe tatimet e qytetarëve të tu, për ata është e pamundur të të japin taksat dhe tatimet e qytetarëve të vet.
Ne u angazhuam në një betejë pa kompromis me korrupsionin, një betejë e cila - ju jap fjalën – do të nxjerrë përfundimisht fitimtarë Shqipërinë dhe shqiptarët. Unë nuk them se nuk ka më korrupsion, sigurisht që ka dhe nuk ka gjë më të shëmtuar se ai. Por ju ftoj të mos harroni se dy vjet e gjysmë më parë, në qeverinë që zëvendësuam ne, kishte ministra me monopole të ushqimeve, të ndërtimit, të naftës. Ku janë sot ministrat dhe monopolet? Sot, në administratën shtetërore, kushdo që gjendet në konflikt interesi ka vetëm një alternativë; largimin prej saj. Dy vjet e gjysmë më parë, shpenzimet që bëheshin për bileta udhëtimi, telefonata, dieta, pritje përcjellje, arrinin një shumë prej mbi 300 milionë dollarë, apo 3 për qind të GDP-së. Ne vendosëm disa kritere, me të cilat ne nuk lejojmë që paratë tuaja të përdoren për qëllime personale dhe private. Kjo bëri të mundur që kryeministria të shkurtojë shpenzimet rreth 50 për qind.
Unë udhëtojë në të gjithë botën, i kam të hapura dyert kudo, për të bërë avokatinë tuaj, për të bërë avokatinë e vendit tim. Krahasuar me qeverinë e mëparshme, për të njëjtin numër udhëtimesh jashtë shtetit, deri tani bilanci është 50 për qind më pak shpenzime, sepse paratë janë tuajat. Unë udhëtoj normalisht me dinjitet të plotë, në hotele normale dhe kjo është ajo që duhet të bëjmë. Të gjitha këto na kanë dhënë mundësinë që, në shkallë kombëtare, të shkurtojmë rreth 110 milionë euro shpenzimet operative të administratës.
Sërish ka korrupsion, por unë dua t’ju them se 3 vjet më parë, 70 për qind e prokurimeve ishin direkt dhe se në 40 për qind të rasteve, autoritetet kontraktuese nuk ua jepnin kompanive dosjen e ofertave të tenderit, përveçse me seleksionim.
Në vitin 2007 nuk ka pasur asnjë prokurim direkt. Në vitin 2008, të gjitha prokurimet e ministrive dhe agjencive të mëdha do të jenë elektronike. Unë nuk them se është zhdukur korrupsioni në këtë fushë, por është ulur me 20 për qind kostoja e përgjithshme e prokurimeve publike. Këto janë taksat tuaja.
Të gjitha raportet ndërkombëtare rendisnin faktin se në Shqipëri, 1.4 miliardë dollarë taksa e tatime përfundonin në xhepat e kontrabandistëve, zyrtarëve të korruptuar dhe evazorëve. Ndërsa ne, ulëm taksat sa askush tjetër në Evropë, ulëm tatim fitimin nga 25 për qind në 10 për qind, ulëm të ardhurat personale nga 23 për qind në 10 për qind, ulëm 33 për qind sigurimet shoqërore. Ndërkohë, të ardhurat për buxhetin u rritën me 1.2 miliardë dollar. E gjithë kjo shumë u është marrë kontrabandistëve, evazorëve, informalëve. Ju jeni dëshmitarë se ne çdo vit, ashtu sikurse do bëjmë edhe këtë vit, kemi dërguar në Kuvend çdo qershor një buxhet suplementar, nga 250 në 350 milionë dollar. Kjo nuk ka ndodhur sepse në Shqipëri kanë dalë puse nafte, as se kemi gjetur miniera floriri, por vetëm e vetëm sepse kemi luftuar korrupsionin, kontrabandën, klientelizmin.
Ne erdhëm në pushtet në një kohë kur të gjitha pranimet në universitet ishin pazar i turpshëm. Por është i treti vit që as kryeministri i vendit e askush tjetër nuk ka pasur autoritet të dërgojë asnjë nxënës në universitetet e Shqipërisë. Që të gjithë kanë ardhur mbi bazën e pikëve dhe meritës, me procedurën më të pastër që ka njohur vendi ndonjëherë, për sa i përket korrupsionit.
Është e vërtetë që sërish ka korrupsion. Por unë ju jap disa të dhëna të cilat ne kemi arritur t’i kurorëzojmë me anë të luftës ndaj korrupsionit, një korrupsion të cilin ne po e përballojmë dhe luftojmë me të gjitha format.
Në luftën kundër korrupsionit, një zhvillim madhor do të jetë heqja e imunitetit. Është për t’u përshëndetur ujdia publike mes qeverisë dhe opozitës për të zhveshur zyrtarët nga imuniteti, për t’i bërë të barabartë para ligjit, si të gjithë ju. Unë ju jap fjalën se këto reforma do të ndikojnë gjithnjë e më shumë, do të përmirësojnë gjithnjë e më shumë jetën tuaj, të fëmijëve tuaj, të ardhmen tuaj.
Ne morëm ftesën në NATO, sepse dëshmuam një seriozitet të madh në projektet zhvilluese të vendit. Pikërisht për faktin se ne luftuam korrupsionin, Fondi Monetar Ndërkombëtar trefishoi kreditë për qeverinë shqiptare. Për faktin se ne luftuam kontrabandën, evazionin dhe informalitetin, këtë vit, ne investojmë në rrugët e Shqipërisë, në rrugët e Pogradecit, në ujësjellësit e vendit, jo një apo dy, por 8 herë më shumë sesa në vitin kulmor të qeverisë paraardhëse. Në vitin kulmor të tyre janë investuar 11 miliardë, ndërsa ne investojmë këtë vit 89 miliardë lekë, vetëm në rrugë, pa llogaritur ujësjellësit. Nga Konispoli deri në Valbonë, rrugët e Shqipërisë janë në rindërtim. Këto janë taksat tuaja dhe ne po i miradministrojmë shumë mirë.
Çdo ditë ne po bëjmë të mundur që procedurat të liberalizohen dhe të zhvlerësohen në një euro, në mënyrë që dora e zezë e atij që shtrihet drejt tyre, dora e turpit, të mos mund të marrë gjë. E shfrytëzoj këtë rast për t’u bërë thirrje të na ndihmoni në këtë betejë. Nuk ka betejë më jetike për ne, identitetin tonë, pasurimin tonë, integrimin tonë, të ardhmen tonë evropiane. Ndaj qëndroni të vendosur kundër ryshfetxhinjve. Kryeministri i Shqipërisë është dhe do të jetë pas jush. Unë ju jap fjalën se ligji do të veprojë me ashpërsinë më të madhe ndaj cilitdo që kërkon të zhvatë ju për atë që ju takon.
Ftesën në NATO ne e morëm sepse dëshmuam seriozitet të madh në përparësitë tona. Një nga përparësitë më madhore është shkollimi i fëmijëve tanë. Imagjinoni një qeveri e cila detyrohet të investojë në rrugë sepse i ka të shkatërruara, 8 herë më shumë se në vitin 2004. Sërish kjo qeveri merr përsipër në katër vjet të dyfishojë buxhetin për shkollimin e fëmijëve shqiptarë. Ne po e dyfishojmë këtë buxhet. Nuk ka vend tjetër në Evropë e në botë që të ketë rritur në 2 vjet rrogat e arsimtarëve dhe infermierëve me 50 për qind, siç ka bërë qeveria jonë. E kemi bërë këtë për hir të fëmijëve tanë, në mënyrë që të vendosim në piedestalin e duhur mësuesit e fëmijëve tanë. Kemi hapur dyert e universiteteve. Kemi pasur 52 mijë studentë, sot kemi 102 mijë studentë dhe sërish do ta rrisim numrin e tyre dhe do bëjmë çdo përpjekje që çdo fëmijë që mbaron klasën e 9-të, të ndjekë gjimnazin dhe që çdo fëmijë që dëshiron të ndjekë universitetin, t’i ketë dyert e hapura për të.
Dy vjet më parë, ne shpallëm nismën “internet në çdo shkollë”, e cila tingëllonte disi e pabesueshme për disa. Por unë isha i bindur se kompjuteri dhe internet janë mjetet më të shkëlqyera për të ndryshuar jetën e fëmijëve tanë. Brenda këtij viti ne finalizojmë në çdo shkollë kabinetin e informatikës dhe të internetit në mbarë Shqipërinë.
Ne jemi të vendosur të investojmë në garën e dije, me bindjen më të thellë se kjo është gara që do ta çojë Shqipërinë drejt lartësive që ajo meriton. Ndaj do të bëjmë çdo përpjekje për të kthyer në Shqipëri, përkohësisht ose përfundimisht, të gjithë djemtë e vajzat e shkëlqyer shqiptarë që kanë studiuar në shkollat e perëndimit. Sikundër, kemi caktuar fondin prej 1 milionë euro, por që do rritet absolutisht aq sa të jetë e nevojshme, për të gjithë fëmijët, djemtë dhe vajzat tuaja që mbarojnë shkëlqyer universitetin dhe që fitojnë të drejtën për të ndjekur universitet e perëndimit.
Ne vazhdojmë punën me projektet tona. Me reformat e thella të ushtrisë ne arritëm të përcaktojmë një buxhet mbi 2 për qind të GDP-së, për ushtrinë. Ia arritëm të kemi njësitë tona në të gjitha zonat e nxehta dhe të na përfaqësojnë në mënyrën më të shkëlqyer. Të gjitha këto së bashku, u dëshmuan burrave të shteteve të 26 vendeve anëtare të NATO-s, se Shqipëria është tjetër tashmë, se Shqipëria nuk është më ajo që lexonin në gazeta e shihnin në kronika, por është një Shqipëri që ecën me shpejtësi me reformat, një vend i sigurt, një vend i cili bën përpjekje gjigante për reformat e saj.
Dua t’ju siguroj se, nga data 3 prill e deri vitin e ardhshëm, kjo qeveri do të plotësoje çdo kërkesë, në mënyrë që ne të anëtarësohemi plotësisht në samitin e ardhshëm të NATO-s. Ne po punojmë me përkushtim të madh për Pogradecin evropian, për Shqipërinë evropiane.
Lëvizja e lirë është kërkesa juaj më legjitime. Unë ju jap fjalën se qeveria do të bëjë të gjitha përpjekjet për të plotësuar të gjitha kushtet që nevojiten që ju të lëvizni të lirë në mbarë Evropën.
Në Shqipëri ka sërish njerëz që përjetojnë dhimbje nga skamja. Pensionistët tanë përballen me vështirësi të mëdha në përballimin e jetës së përditshme. Por dua t’ju them sot se; kam premtuar verën e vitit 2005 në Elbasan se në qytet nuk do ketë pension nën 100 dollarë, sot në qytet nuk ka pension nën 110 dollarë. Kam premtuar se do të dyfishoj pensionet minimale, i cili në Shqipëri ka qenë 34 dollarë, ndërsa sot është mbi 60 dollarë.
Sërish ata kanë vështirësi. Prandaj jam këtu për t’u dhënë fjalën se, vështirësitë që janë krijuar nga rritja e çmimeve, nga data një korrik, do t’u kompensohen qindarkë për qindarkë, të gjithë pensionistëve, të gjithë rrogëtarëve të ulët, të gjithë qytetarëve me ndihmë ekonomike. Qeveria ka marrë të gjitha masat në këtë drejtim. Ne nuk kemi ndërhyrë në taksat e tregut. Unë sapo u ktheva nga një vizitë në Starovë, ku pashë fushat me grurë që ishin të mrekullueshme. Por nëse ne lëvizim me tarifat doganore, me TVSH-të, etj. atëherë ua kalbim në fushë grurin korçarëve dhe myzeqarëve. Ndaj ne do kompensojmë të gjithë ata që janë në ndihmë ekonomike dhe do përpiqemi edhe diçka më shumë.
Në të gjitha përpjekjet tona, qytetari është në epiqendër, përpjekjet për një jetë më të mirë të tij e të fëmijëve, për një jetë më të sigurt, për një klimë biznesi më të favorshme, më të zhvilluar. Për këtë qëndron qeveria që unë kryesoj.
Pogradeci është vendi i korifejve të mëdhenj, i mendimit perëndimor të kombit. Gjenerata ime ka kaluar dekada në diktaturë dhe thirrja e rilindësve “të shohim Shqipërinë zonjë”, për ne që e dinim se ku konsistonte kjo, vetëm dy dekada më parë na dukej e largët sa në hënë. Kurse sot ne duhet të ndihemi krenar, sepse e kemi absolutisht vetëm një hap larg saj.
Shqipëria në NATO është Shqipëria zonjë, Shqipëria drejt Bashkimit Evropian, shqiptarët në lëvizje të lirë, është Shqipëria zonjë.