Kryeministri Berisha: Do ti rikthejmë liqenit të Pogradecit pastërtinë natyrore
Kryeministri Berisha ndodhet sot në qytetin e Pogradecit ku mori pjesë në inspektimin e punimeve për ndërtimin e impiantit të pastrimit të ujërave të zeza dhe kolektorit të ketij qyteti. Investimi me vlerë prej 7.8 milion euro, është financim i bankës gjermane KFV.
Kryeministri u shpreh se ky investim bëhet në një nga zonat më të rëndësishme turistike të Pogradecit dhe është në vazhdim të modernizimit të sistemit të ujësjellës-kanalizimeve të Pogradecit me një vlerë totale prej 15 milion eurosh, të financuara nga banka gjermane KFV dhe buxheti i shtetit.
Me këtë investim, u shpreh kryeministri realizohet pjesa kryesore e një projekti të madh, i cili synon të pastrojë liqenin nga të gjitha derdhjet e ujërave të papastra, duke i rikthyer liqenit pastërtinë natyrore që ka.
Duke përgëzuar drejtuesit dhe punëtorët e kompanisë ndërtuese, për punimet cilësore dhe vendosmërinë e tyre për ta dorëzuar në një kohë sa më të shkurtër, Kryeministri u shpreh se kjo është një domosdoshmëri e madh për të inkurajuar turizmin në qytetin e bukur të Pogradecit.
Duke përfituar nga rasti, Kryeministri përgëzoi fermerët për tokat e sistemuara me kujdes dhe u garantoi atyre se qeveria do të bëjë çdo përpjekje që të mos cenohet tregu i prodhimeve bujqësore, duke garantuar cilësi për prodhimet e tyre.
“Dua të shfrytëzoj këtë rast për të përgëzuar të gjithë fermerët sepse kanë qëndisur tokën , kanë mbjellë grurë dhe kultura të tjera dhe mesa duket do të ketë një vit të mbarë të prodhimit bujqësor sikundër dua ti garantoj se qeveria ka bërë dhe do të bëjë çdo përpjekje që të mos dëmtohet, të mos cenohet tregu por të garantohet cilësi për prodhimet e tyre.”