E Diel, 1 Nëntor 2026

Kryeministri Berisha: Raporti do të shërbej si plan veprimi për vitin e ardhshëm

-Kryeministri u shpreh se do të bëhen përpjekje të fuqishme që në tre muajt e parë të vitit 2009 të përmbushen të gjitha detyrimet që rrjedhin nga ky raport

Pas analizimit të Progres Raportit për Shqipërinë për vitin 2008, Kryeministri Berisha kërkoi nga ministrat që nga ky raport të marrin detyrat për sot dhe për të ardhmen, duke theksuar se askush nuk mund të jetojë me rezultatet e së shkuarës, por duhet të matet rezultatet aktuale dhe ato që vinë.

“Detyrimi ynë madhor është adresimi me përparësi i të gjitha sfidave dhe problemeve të shtruara që duhet të marrin zgjidhje. Askush nuk mund të jetojë me rezultatet e së shkuarës, por duhet të matet me rezultatet aktuale dhe ato që vinë”, u shpreh Kryeministri Berisha.

Duke i’u referuar faktit se ky viti 2009 është një vit elektoral, Kryeministri Berisha u shpreh se do të ishte e pafalshme në qoftë se nuk do të bëheshin përpjekjet më të mëdha për zbatimin e kërkesave të këtij dokumenti. “Që sot, pas kësaj mbledhje, të gjitha ministritë dhe të gjitha agjencitë që varen nga ministritë do të bëjnë planin e veprimit dhe plani i veprimit duhet të jetë më i ngjeshur. Qytetarët shqiptarë do të lëndoheshin rëndë, jo vetëm moralisht, por edhe ligjërisht në raport me integrimin nëse ne nuk do të bënim përpjekje të mëdha shtesë që pavarësisht nga viti zgjedhor të gjitha detyrat që dalin t’i marrim me seriozitetin më të madh dhe ti jetësojmë, ti zgjidhim.  Koha është e shkurtër dhe në qoftë se ne i lëmë këto për muajin maj dhe qershor, ne nuk jemi të sinqertë. Ndaj dhe ne e kemi shumë të ngjeshur kohën ndaj dhe do të bëhet përpjekja më e fuqishme që tre muajt e parë; dhjetor, janar, shkurt ne të përmbushim të gjitha detyrimet që rrjedhin nga ky raport dhe që do ti përmbushim plotësisht deri në shtator. Këtu ne do të tregojmë se jemi në lartësinë e ëndrrës së shqiptarëve për integrim dhe projektit të shqiptarëve për integrim’, u shpreh Kryeministri Berisha.
 
Më tej, Kryeministri Berisha nënvizoi se krahas planit të ngjeshur të veprimit për të gjitha çështjet e ngritura ka probleme që janë më afatmesme, dhe të gjitha ato trupëzohen në programin elektoral.


07/11/2008

Më shumë nga Zyrtare

Të gjitha ›