Fjala e Kryeministrit Berisha në mbledhjen e Komiteti Ndërministror për Integrimin
Nën drejtimin e Kryeministrit Berisha, u mblodh pasditen e sotme Komiteti Ndërministror për Integrimin, ku u analizua Progres Raporti për Shqipërinë për vitin 2008, si dhe strategjia e Komisionit Evropian për zgjerimin.
Në fjalën e tij, Kryeministri Berisha, u shpreh;
“Thirra këtë mbledhje pasi dy ditë më parë Komisioni Evropian votoi dy dokumente themelorë vjetor për vendin dhe rajonin dhe që të dyja përfshijnë Shqipërinë dhe rajonin. Dokumenti i parë është Dokumenti i Strategjisë për Zgjerimin, të cilin Komisioni ia drejton Këshillit të Ministrave dhe Parlamentit Evropian.
Dokumenti i dytë është dokumenti i punës i stafit të Komisionit Evropian që trajton tërësisht Shqipërinë. Dua të theksoj që në fillim se këto dy dokumente përbëjnë një vlerësim plotësisht objektiv të përparimit të Shqipërisë drejt Bashkimit Evropian, të suksesit të pamohueshëm të reformave të ndërmarra në harkun kohor të 12 muajve që kaluan, nga kjo mazhorancë. Sikundër ndalet dhe shqyrton sfidat dhe problemet të cilat duhet të zgjidhen gjatë vitit në vazhdim.
Raporti apo dokumenti i punës i stafit të Komisionit Evropian titullohet raporti i përparimit të Shqipërisë për vitin 2008. Kjo do të thotë se Komisioni Evropian ka përcaktuar si shtyllë kryesore reference përparimin, nëse ka apo nuk ka përparim. Krahas kësaj përcakton nëse ky përparim është i ndjeshëm, është i vogël, është i kufizuar, është njëfarësoj, apo ky përparim mungon dhe nuk ka përparim.
Ky është edhe kriteri me të cilën është vlerësuar veprimtaria tërësore vjetore, në radhë të parë e qeverisë, por edhe e të gjitha institucioneve të vendit. Pra, cila është ecuria? A shënon kjo veprimtari një përparim me reformat, me zbatimin e tyre, me vendimet dhe me ligjet apo nuk evidentohet një përparim i tillë?
Ata që e vlerësojnë përparimin si të tillë dhe lexojnë këto raporte, do të gjejnë se kryefjala e pothuaj çdo paragrafi është përparimi. Jo në 100 përqind të rasteve, por numërohen me gishtërinjtë e dorës rastet kur kjo fjalë mungon apo kur thuhet se nuk ka pasur përparim. Ky është tipari dallues më kryesor i këtij raporti.
Në parim ky raport vlerëson sa e ka konsoliduar Shqipëria sistemin e saj demokratik dhe kriteret e Kopenhagenit. Vlerëson sa ka ecur dhe ka trajtuar Shqipëria problemet kyçe të partneriteti evropian, sa ka ecur Shqipëria në konsolidimin e ekonomisë së tregut. Raporti vlerëson sa ka ecur Shqipëria drejt standardeve evropiane për qytetarët e saj, pasi dihet se ka qenë ndoshta edhe kilometra apo mijëra e mijëra milje larg tyre.
Sot, rastësisht më kapi syri një titull në një gazetë, e cila thoshte se ‘të ardhurat në Shqipëri ishin 22 përqind e mesatares së vendeve anëtare të Bashkimit Evropian’.
Menjëherë më shkoi mendja tek muaji i parë që u zgjodha President i Republikës, kur unë merrja një rrogë prej 16 dollarësh dhe kur bashkëqytetarët e mi merrnin një rrogë nga 4-8 dollarë dhe zyrtarët mbi ta paguheshin 10-12 dollarë. Unë udhëtoja në Samite apo në takime të ndryshme dhe e vetmja gjë që për të cilën nuk doja të më pyesnin njeri ishte rroga. Sepse në atë periudhë, në një ditë, një punëtor i një vendi perëndimor merrte katërfishin e rrogës së Presidentit të Shqipërisë.
E thashë këtë për të rikujtuar se sa larg kemi qenë ne dhe kur lexoja sot se të ardhurat në Shqipëria janë tek 22 për qind e mesatares së të ardhurave të Bashkimit Evropian, ky është një turravrap shumë i madh. Pra bëhet fjalë për standardet, pa të cilat nuk ka integrim dhe të cilat janë jetike. ë realizimin e tyre ke ndihmë të jashtëzakonshme, por ama duhen realizuar.
Në raport shtrohen një mori problemesh, të cilat presin zgjidhje nga qeveria dhe nga institucionet e vendit. Por, përveç vlerësimit qartësisht pozitiv duke vendosur kryefjalë të tij progresin e shkallëve të ndryshme, raporti i këtij viti ka dy mesazhe të shkëlqyera për shqiptarët.
Mesazhi i parë i madh i këtij raporti është se Shqipëria, me progresin e reformave që ka bërë dhe me përparimet që ka bërë është tashme një vend potencial për statusin e kandidatit ose është në rrugën e të qenit një vend potencial për statusin e kandidatit. Ky është mesazhi më i shumëpritur dhe më i mirëpritur nga shqiptarët. Nuk duhet të harrojmë se ne kemi pasur një histori shumë të vështirë dhe të egër në këtë proces.
Po të rikujtojmë se procesi i integrimit ka nisur nga Samiti i Sarajevës, në vitin 1999, ku shqiptarët, për rolin e jashtëzakonshëm që luajtën me mikpritjen e tyre gjatë luftës për çlirimin e Kosovës, shkuan më ballëhapur dhe më krenarë se kurrë. Ky komb me shumë e shumë probleme u dëshmua se ishte një komb i virtytshëm, me zemër e shpirt të madh. Dhe në atë Samit kishte një dëshirë të madhe që të bëhej një shpërblim ndaj këtij kombi. Përcaktuan vetëm një gjë; zgjedhjet lokale të tetorit për të hapur negociatat. Qeveritë e mëparshme dhunuan çdo zgjedhje, lartësuan çdo ditë e më shumë murin e krimit dhe të korrupsionit dhe bllokuan procesin. Procesi u zhbllokua nga shqiptarët që bënë rotacionin e pushtetit dhe kjo mazhorancë dëshmoi vullnetin më të hekurt dhe më serioz për të ndryshuar situatën me anë të reformave.
Kjo Shqipëri, të cilës i’u deshën 7 vite për të negociuar dhe për të firmosur Marrëveshjen e Stabilizim Asociimit, në një hark kohor prej dy vitesh përgatitet dhe paraqitet si një vend potencial për statusin e kandidatit për në Bashkimin Evropian. Ky është një mesazh jashtëzakonisht i rëndësishëm për çdo shqiptar. Ky vendim, siç kemi thënë, do të merret vetëm në negocimin me Komisionin Evropian dhe vendet anëtare të Bashkimit Evropian. Nuk mund të hysh në një shtëpi pa trokitur dhe pa njoftuar të zotin e shtëpisë. Ky është parimi që ne kemi përcaktuar. Ne nuk kemi ndërmend t’i bëjmë surpriza askujt, por kemi ndërmend që në momentin që do e gjykojmë oportun të diskutojmë me partnerët tanë të Komisionit Evropian dhe të marrim vendimin.
Raporti ka edhe një mesazh të dytë të madh për shqiptarët, të cilin e konfirmoi edhe përfaqësuesi më i lartë i Komisionit Evropian në Shqipëri ambasadori Lohan, se Shqipëria është një vend potencial dhe shqiptarët janë një komb potencialisht i mundshëm, për të fituar heqjen e vizave me Bashkimin Evropian. Edhe kjo ka një rëndësi pothuaj historike. Nëse kemi parasysh se Shqipëria 3 vite më parë në rrethe, në qytete, në zona të tëra qeverisej në mënyrën më brutale nga bandat famëkëqe dhe nëse keni parasysh faktin se për krimin e organizuar shqiptar shkruheshin vëllime horror dhe shkrime të panumërta në Evropë dhe të botë, këtij vendi i njihet lufta e vendosur me zero tolerancë që i ka bërë krimit të organizuar, i njihet shkalla e lartë e sigurisë që ka garantuar në vend, i njihet kontrolli serioz që u bënë kufijve, i njihet bashkëpunimi shumë i mirë që ka vendosur me Interpolin, Europolin dhe të gjitha agjencitë e zbatimit të ligjit të vendeve mike. Këtë vend, ky raport e shpall si një vend që me plotësimin e disa kushteve të tjera, mund të ketë lëvizjen e lirë pa viza të qytetarëve të tij.
Unë mendoj se këto janë dy mesazhe të mëdha, të shumëpritura dhe të mirëpritura nga çdo shqiptar. E vërteta është se raporti në dy çështje madhore të partneritetit evropian ndryshon thelbësisht jo vetëm nga viti 2004 apo 20005, por ndryshon në mënyrë të qartë edhe nga vitit 2007. Kështu në raste se në raportin e vitit 2007 krimi i organizuar shqiptar vlerësohet si një problem shumë serioz, në këtë raport krimi i organizuar për shqiptar vlerësohet si një problem serioz. Por, unë garantoj se ne do të vazhdojmë luftën me zero tolerancë dhe kjo luftë nuk mund të dobësohet sepse ai mbetet një problem serioz për Shqipërinë dhe nuk duhet të dal jashtë saj.
Ka një fushë tjetër të përparësisë themelore të partneritetet evropian dhe kjo është lufta kundër korrupsionit. Progresi i ndjeshëm që ka bërë Shqipëria në këtë luftë, si dhe dokumentacioni i saj, ka bërë që në terminologjinë e këtij raporti jo vetëm të vlerësohen qartësisht arritjet, sikundër të theksohet se sërish i përhapur dhe kjo është absolutisht e vërtetë, sepse nuk mund të bëhet fjalë se korrupsioni qenka i kufizuar vetëm në këtë apo atë institucion dhe zonë. Jo, korrupsioni është përhapur. Raporti me të drejtë thekson se korrupsioni është i përhapur në sistemion e drejtësisë, në shëndetësi, në polici, në dogana dhe e vërteta është se kësaj liste unë personalisht mund ti shtoj edhe agjenci të tjera. Por, raporti thekson me objektivitet të madh se perceptimi për korrupsionin është përmirësuar, se qeveria ka bërë përpjekje për luftën kundër korrupsionit në taksa, në tatime, në prokurime, në dogana dhe se rezultatet priten. Janë bërë përpjekje në sistemin e drejtësisë për të luftuar korrupsionin, ka nisur procedura penale ndaj zyrtarëve përgjegjës. Raporti thekson se janë të realizuara dhe kanë vuajtur dënime rreth 110 zyrtarë të niveleve të ndryshme. Pra, sanksionon se kapitulli i ndëshkimit të korrupsionit është real në Shqipëri. Për të gjitha këto gjuha e përdorur në raportin e vjetshëm, nuk është këtë vit në raport. Në rast se vitin e kaluar në raport theksohej se korrupsioni është një problem shumë serioz, këtë vit evidentohen të gjitha përpjekjet, arritjet dhe dobësitë dhe theksohet se është një problem veçanërisht serioz. Jam absolutisht dakord. Kur themi këtë duhet të kemi shumë të qartë se në rast se duam që të mos ngrejë kokë, duhet që çdo gjë ta shohim me syrin se si do të luftojmë korrupsionin në çdo procedurë dhe në gjithçka. Por, sado e kushtueshme të jetë kjo luftë, sërish është 100 herë më e leverdishme ajo që luftohet duke luftuar korrupsionin.
Zotërinj ministra,
Në shqyrtimin e demokracisë dhe shtetit ligjor në Shqipëri, Komisioni Evropian thekson se Shqipëria ka bërë progres të mëtejshëm dhe këtu një vlerësim të veçantë marrin reformat e realizuara me konsensus ndërmjet partive politike, për të cilat Komisioni thotë se kanë adresuar çështje kyçe të funksionimit të demokracisë dhe shtetit ligjor.
Por, këtu ka një problem themelor që edhe ne duhet t’i japim përgjigjen më të mirë. Kjo kërkohet nga të gjithë shqiptarët, por para së gjithash dhe mbi të gjitha kërkohet nga qeveria shqiptare një proces zgjedhor i lirë, i ndershëm dhe i standardeve më të mira. Evidentohen të gjitha përpjekjet, por problemi është se këto përpjekje duhet të konkretizohen me zgjedhje të lira dhe të ndershme, për të cilat unë dua të zotohem solemnisht se do të bëjmë çdo gjë që shqiptarët të votojnë të lirë dhe në një proces të ndershëm, më mirë se kurrë. Ky është zotimi im.
Pra, theksova se në kriteret politike shprehet vlerësimi për ndryshimin e sistemit zgjedhor, procedurës së zgjedhjes së Presidentit të Republikës, shkurtimit të mandatit të Prokurorit të Përgjithshëm, sikundër edhe miratimin e ligjit për organizimin e sistemit të drejtësisë në Shqipëri.
Në raport ka një vlerësim të qartë për punën e Ministrisë së Integrimit dhe për forcimin e kapaciteteve të kësaj ministrie. Në raport theksohet se raportet me Administratën Publike ka lëvizje të pamotivuara ose të motivuara politikisht dhe nuk dëgjohet sa duhet zëri i Departamentit të Administratës Publike. Thuhet se nuk janë të përcaktuara qartë klasifikimi i punës dhe meritat. Në raport theksohet gjithashtu se qeveria ka rritur ndjeshëm pagat, thuhet se qeveria ka përcaktuar bonuse për graduarit dhe se masat e tjera duhen marrë për konsolidimin e administratës publike dhe rolin e Departamentit të Administratës Publike.
Raporti shpall Parlamentin si qendrën e debatit politik, sikurse dhe është. Raporti vlerëson reformat e ndërmarra nga parlamenti dhe morinë e madhe të ligjeve të miratuara për të përafruar legjislacionin shqiptar me “Acquis Communautaire” dhe kërkon të zhvillojë akoma më tej kapacitetet e ekspertizës së legjislacionit evropian, si dhe ndalet në momentin e zgjedhjes së gjykatësve të Gjykatës së Lartë dhe shpreh se kjo u kapërcyer herën e dytë. Raporti shpreh vlerësimet e tij për gjendjen e lirive dhe të drejtave të njeriut në Shqipëri.
Këtu ka momente shumë të rëndësishme. Raporti thotë se rekordi i qeverisë shqiptare shquhet për vullnetin për të respektuar të drejtat e qytetarëve të saj. Ky është konkluzioni dhe vlerësimi i raportit.
Liria e shprehjes ka njohur progres të mëtejshëm dhe në dallim nga disa vende përreth nuk ka asnjë ndërhyrje në politikat editoriale të mediave nga qeveria.
Por, po ka një problem shumë serioz që është mpleksja e biznesit, interesave politike dhe mediave vazhdon, e cila vazhdon të cenojë zhvillimin e mediave të pavarura. Natyrisht, se në qoftë se bën biznes gazetën, nuk të mbetet gjë tjetër vetëm të shitesh e të blihesh tek klienti i parë që të dalë. Akoma më e rëndë është mungesa e transparencës lidhur me pronësinë dhe financimet, çfarë i bën mediat të akuzueshme për influenca kriminale. Nuk ekziston legjislacion efektiv për të garantuar transparencën e pronësisë dhe financimit të medieve. Kur në mënyrë të përsëritur unë i kujtoj gazetarëve pronarët e tyre, kjo del dhe në raport. Raporti kërkon dekriminalizimin e shpifjes dhe ne e kemi dërguar atë në Parlament. Shpresoj që në bashkëpuni me opozitën të arrimë mirëkuptimin për të dekriminalizuar shpifjen. Kjo është një risi. Është vetëm ‘de jure’ sepse ‘de facto’ administrata shqiptare nuk ka hapur asnjë proces pavarësisht se mund të hapen me titujt dhe me shpifjet më të paimagjinueshme, por procese nuk ka. Është arritur në njëfarë kodi sepse në tërësi gazetat dhe mediat po e botojnë përgënjeshtrimin. Kjo është rruga e duhur, jo procesi gjyqësor sepse përgënjeshtrimi i mbyll të gjitha problemet dhe e vërteta është se konstatoj që edhe në Shqipëri përgënjeshtrimi po publikohet, pra po funksionon.
Nuk ka patur kufizime për mbledhjen e mitingjeve. Përpara Kryeministrisë kanë ardhur dhe do të vinë sa herë të duan të protestojnë.
Në raport thuhet se është respektuar liria fetare dhe kërkohet të shpejtohet kthimi i pronave për institucionet fetare. Kërkohet të arrihen rezultate të mëtejshme për të drejtat e romëve, ndonëse njihet progresi për të drejtat kulturore. Gjithashtu kërkohet që ne të jemi pa imunitet për sa i përket korrupsionit dhe krimit të zakonshëm.
Unë u ndala në disa moment të këtyre dy dokumentave, por dua të theksoj në rast se vura në dukje se është e vërtetë që në tërësi parafjala e cdo paragrafi është progresi, kjo i përket të shkuarës. Ajo që duhet të marrim ne nga ky raport janë detyrat për sot dhe për të ardhmen.
Është pozitive që janë realizuar dhe janë njohur, por detyrimi ynë madhor është adresimi me përparësi i të gjitha sfidave dhe problemeve të shtruara që duhet të marrin zgjidhje.
Askush nuk mund të jetojë me rezultatet e së shkuarës, por çdo njeri duhet të matet me ato aktuale dhe ato që vinë.
Mirëpo këtu kemi një problem dhe ky është se jemi në një vit elektoral. Do të ishte e pafalshme në qoftë se ne për këtë dokument nuk do të bënim përpjekjet më të mëdha për zbatimin e kërkesave të tij pavarësisht nga zgjedhjet.
Këtu ka një mundësi shumë reale. Së pari, që sot, pas kësaj mbledhje ,të gjitha ministritë dhe të gjitha agjencitë që varen nga ministritë do të bëjnë planin e veprimit dhe plani i veprimit duhet të jetë më i ngjeshur. Qytetarët shqiptarë do të lëndoheshin rëndë, jo vetëm moralisht, por edhe ligjërisht në raport me integrimin nëse ne nuk do të bënim përpjekje të mëdha shtesë që pavarësisht nga viti zgjedhor të gjitha detyrat që dalin t’i marrim me seriozitetin më të madh dhe ti jetësojmë, ti zgjidhim.
Koha është e shkurtër dhe në qoftë se ne i lëmë këto për muajin maj dhe qershor, ne nuk jemi të sinqertë. Ndaj dhe ne e kemi shumë të ngjeshur kohën ndaj dhe do të bëhet përpjekja më e fuqishme që tre muajt e parë; dhjetor, janar, shkurt ne të përmbushim të gjitha detyrimet që rrjedhin nga ky raport dhe që do ti përmbushim plotësisht deri në shtator.
Këtu ne do të tregojmë se jemi në lartësinë e ëndrrës së shqiptarëve për integrim dhe projektit të shqiptarëve për integrim. Kemi 3-4 muaj kohë.
Së dyti, krahas planit të ngjeshur të veprimit për të gjitha çështjet e ngritura, sepse ka probleme që janë më afatmesme, të gjitha ato trupëzohen në programin elektoral.
Kjo sepse qytetarët e këtij vendi nuk mbështesin asnjë gjë më shumë se sa integrimin e e tyre në Europë. Sot po diskutoja me një ambasador të një prej vendeve anëtare të Bashkimit Evropian dhe i thashe se në Shqipëri euroskeptike nuk ka, këtu të gjithë janë eurofilë dhe urdhëroni bëni përpjekjet më të mëdha për ta realizuar.”
07/11/2008